2011-01-21 19:23:29

Irak: takim i ipeshkvijve kaldej kushtuar gjendjes së të krishterëve.


(21.01.2011 RV)U mbajt në Ankava të Irakut, takimi i tretë i ipeshkvijve kaldej, gjatë të cilit prelatët e pranishëm përgatitën programin e vizitës baritore në dioqezin e nuncit të ri apostolik në Irak e Jordani, imzot Gjorgjio Lingua. Gjatë takimit, siç pohoi imzot Luis Sako, kryeipeshkëv i Kirkukut e koordinator i takimeve të tilla, që organizohen çdo muaj, u vendos që më 22 shkurtin e ardhshëm të mblidhet, në selinë ipeshkvnore të Erbilit, takimi i meshtarëve kaldej. Gjatë këtij takimi atyre do t’u krijohen mundësitë të shprehin mendime lidhur me veprimtarinë, që duhet zhvilluar në fusha të ndryshme, sidomos në atë baritore, shpirtërore e kulturore. Në përfundim do të hartohet edhe një dokument orientues.Në Ankava u fol edhe për Sinodin e ardhshëm të Kishës, sipas kërkesës së Patrikut, kardinalit Mar Emanueli III Deli. Ipeshkvijtë e pranishëm uruan që sinodi i ardhshëm të mblidhet në Irak, për t’u dhënë zemër të krishterëve të vendit. Përsa i takon gjendjes së të krishterëve, u nënvizua se është e rëndësishme që Kisha të trajtojë argumentet më të rëndësishme për bashkësinë e krishterë. Së fundi, u kujtua se Kisha është e thirrur t’i orientojë politikanët e krishterë, që të punojnë për mirëqenien e bashkësisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.