2011-01-21 19:23:18

Imzot Varduni parlamentit italian: të krishterët në Irak janë në rrezik të madh


(21.01.2011 RV)Dje, në Dhomën e Deputetëve të Parlamentit italian, mëkëmbësi patriarkal i Bagdadit, imzot Shlemon Varduni, foli për gjendjen e të krishterëve në vendin aziatik para Komisionit për Punët e Jashtme e Komunitare, në kuadrin e hetimeve me karakter njohës e informativ, për shkeljen e të drejtave të njeriut në botë. Imzot Varduni pohoi se të krishterët e vendit të tij janë në rrezik të madh. Situata e pakicave – pohoi prelati – keqësohet çdo ditë. Ata nuk kanë asnjë mbrojtje, përballë dhunës së egër. Pavarësisht nga kjo, problemet irakiane nuk mund të zgjidhen në mënyrë të pjesshme: kanë të bëjnë me të gjithë banorët e këtij vendi të martirizuar. Irakianët, shpjegoi imzot Varduni, janë njerëz të mirë, që kanë jetuar bashkë, pa u ngatërruar kurrë, në shekuj, pavarësisht nga larmitë etnike e konfesionale. Ju lutemi – tha ipeshkvi – ta ndihmoni të gjithë popullsinë e posaçërisht, pakicat, ndërmjet të cilave, edhe ajo e krishterë, që ka bërë shumë për ndërtimin e Irakut. Prelati, më pas, nënvizoi edhe se hapi i parë për ta nxjerrë Irakun nga emergjenca, është bashkëpunimi i të gjitha forcave, për të realizuar paqen e sigurinë në Irak e në të gjithë Lindjen e Mesme. Iraku – vërejti – është vend i pasur e mund të jetojë me forcat e veta, në se nuk cënohet nga interesa të huaja për të. Në radhë të parë – bëri thirrje ipeshkvi – duhet ndaluar shitja e armëve nga ata, që nuk e duan paqen. U duhet krijuar mundësi punësimi të rinjve irakianë. Duhen sistemuar infrastrukturat e sidomos, duhet themeluar një gjykatë ndërkombëtare, që të zbulojë të vërtetën mbi vrasjen e martirëve të krishterë, siç është rasti i imzot Rahho, kryeipeshkëv i Mosulit. Prelati u ndalua edhe tek islamizimi në rritje i vendit, ku ata që nuk janë myslimanë e kanë gjithnjë më të vështirë të jetojnë. Të krishterët – tha në përfundim prelati – kanë lirinë e kultit, por nuk mund ta praktikojnë plotësisht fenë e tyre. Ata që kthehen në fenë islame nuk hasin kurrnjë pengesë, ndërsa ato që kthehen në fenë e krishterë, kërcënohen edhe me jetë!







All the contents on this site are copyrighted ©.