2011-01-20 16:05:50

Java për Bashkimin e të Krishterëve. Kardinali Koh: të lutemi sëbashku për vëllezërit e persekutuar


(20.01.2011 RV)Tema e sotme e Javës për Bashkimin e të Krishterëve bazohet mbi njërën nga katër shtyllat, që përbëjnë temën e përgjithshme. “Na bashkon besnikëria ndaj mësimeve të apostujve” është e para, që ndiqet nga ndarja e përbashkët e pasurive, thyerja e bukës eukaristike dhe lutja, të gjitha, themelet e mënyrës së jetesës e të veprimit të bashkësive të para të krishtera.
Të hënën, më 24 janar, Papa do të presë në audiencë private një delegacion të Kishës së Bashkuar Evangjelike-Luterane të Gjermanisë. Një ditë më parë, të dielën, presidenti i dikasterit për Bashkimin e të Krishterëve, kardinali Kurt Koh do të kryesojë një takim ekumenik në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve. Gjatë takimit, do të zhvillohet ceremonia e mbjelljes së një peme, në shenjë të vëllazërimit me “Kopshtin e Luterit” në Uitenberg të Gjermanisë. Së fundi, të martën, më 25 janar, në orën 17.30, po në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, Benedikti XVI do të kryesojë Mbrëmësoren e dytë, në solemnitetin e Kthimit të Shën Palit Apostull, që mbyll Javën e lutjes. Në rit do të marrin pjesë përfaqësues të Kishave e të bashkësive të tjera kishtare, të pranishme në Romë. Këtë vit, Java e lutjes për Bashkimin e të Krishterëve i kushtohet në veçanti besimtarëve, viktima të persekutimit e të diskriminimit. Të dëgjojmë kardinalin Kurt Koh, në mikrofonin tonë:
Besoj se pikërisht në botën perëndimore, ndihet urgjenca e ndërgjegjësimit për persekutimin e të krishterëve në kohën e sotme. Për shumë vetë në Evropë, persekutimi i të krishterëve është pjesë e historisë së Kishës, sepse kështu kanë dëgjuar. Por që edhe sot, të krishterët të jenë grupi fetar më i persekutuar, fatkeqësisht, nuk u ka hyrë akoma në kokë. Gjatë kësaj jave, kjo do të shihet më qartë, pasi ne do të lutemi për të krishterët e persekutuar, do të denoncojmë hapur të gjitha rastet e martirizimit e do të tregojmë se “kristianofobia” po rritet vazhdimisht në Evropën Perëndimore. Jemi të vetëdijshëm për antisemitizmin, që po rilind dhe, për islamofobinë, që po përhapet, por jemi të verbër para kristianofobisë, e cila është gjithashtu e pranishme mes nesh.
Në ç’pikë jemi sot, në rrugën e bashkimit ndërmjet të krishterëve?
Jemi në rrugë. As në fillim, as në fund. Nuk duhet të sillemi sikur sapo kemi filluar, por nuk mund edhe të pretendojmë se ia kemi arritur qëllimit. Gjendemi në një rrugë, që kërkon shumë durim e durimi është vëllai i vogël i shpresës. Besimi ynë në këtë rrugë shprehet me faktin se kemi durim.
Si janë marrëdhëniet me ortodoksët e protestantët?
Ndryshimi themelor në marrëdhëniet me ta është se kemi shumë gjëra të përbashkëta me ortodoksët dhe me vetero-lindorët. Kur kam kontakte me anëtarë të Kishave vetero-lindore, nga të cilat, në të vërtetë jemi ndarë tashmë që prej 1500 vjetësh, ndjehem në shtëpi, sepse ato kanë të njëjtën strukturë kishtare me ne. Ajo që na ndan është kultura, disi e ndryshme. Ndërsa, me Kishat e lindura nga Reforma nuk kemi të përbashkët shumicën e bazamentit të fesë, por kemi të njëjtën kulturë. Kam përshtypjen se për shumë të krishterë, si katolikë, ashtu edhe protestantë, nganjëherë, baza e përbashkët kulturore është më e rëndësishme se ajo fetare.
Kohët e fundit, është ngritur Ordinariati për anglikanët, që dëshirojnë të hyjnë në Kishën Katolike. Si mund të shpjegohet kjo gjendje, nga pikpamja ekumenike?
Pikësëpari, këtu në Romë, kemi ndarjen e qartë të detyrave: për anglikanët, që dëshirojnë të vijnë në Kishën tonë është kompetente Kongregata për Doktrinën e Fesë; ne, në Këshillin për Bashkimin e të Krishterëve, vazhdojmë dialogun ekumenik. Në epokën e ekumenizmit, kthimet janë e mbeten çështje e ndërgjegjes së secilit. Risi është se po paraqiten grupe të tëra, me meshtarë e ipeshkvij e, këtu, qëndrimi ynë, ai i Kishës Katolike, i Atit të Shenjtë është ky: nëse ndokush troket në portën tonë, nuk mund të mos ia hapim. Ky është qëndrimi ynë. E kuptoj se mund të jetë e vështirë për Kishën Anglikane, por ne duam të kontribuojmë, që bota anglikane të rigjejë bashkimin.
Ç’duhet bërë sot për të vazhduar rrugën drejt ekumenizmit?
Kjo, natyrisht, varet nga dialogu i veçantë. Në Këshillin për Bashkimin e të Krishterëve kemi 15 dialogë të ndryshëm me 15 Kisha të ndryshme: secila është rast më vete. Në thelb, nevojiten dy gjëra: dialogu i dashurisë dhe dialogu i së vërtetës. Në fakt, pa dialogun e dashurisë, pa marrëdhëniet miqësore, që lidhen e thellohen, dialogu i së vërtetës nuk mund të shkojë përpara. Pastaj, ekzistojnë akoma shumë çështje për diskutim, që mund të na ndihmojnë të gjejmë një bazë të përbashkët në fe, në mënyrë që të kremtojmë sëbashku Eukaristinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.