2011-01-20 13:35:07

Iraku dhe Afganistani, probleme për Perëndimin


(20.01.2011 RV)Atentatet e reja në Irak e në Afganistan vënë në pah se zotërinjtë e luftës në ato zona janë jashtëzakonisht aktivë. Paradite, në ditën e tretë të atentateve kundër forcave të sigurisë, në Bakuba të Irakut shpërtheu një autobombë e vendosur pikërisht para qendrës së policisë së qytetit. Shkaktoi tre viktima, ndër të cilat një gazetare, dhe rreth 30 të plagosur. Dje, dy atentate në veri të Bagdadit shkaktuan 15 viktima, ndërsa është rritur në 65 të vdekur bilanci i viktimave të pardjeshme në Tikrit. E njëjta gjendje në Afganistan, ku pas vrasjes së një ushtari italian, shpërthimi i një mine shkaktoi 13 të vdekur, të gjithë civilë. Nesër, Toni Bler do të dëshmojë para Komisionit hetimor për luftën në Irak, mes protestave, që parashikohen në gjithë Evropën, ndërsa në Afganistan shtohen zërat për një infarkt të mundshëm të liderit terrorist, i njohur si Mullah Omar. Ndërkaq, qeveritë perëndimore shtrojnë për diskutim çështjen e qëndrimit të kontingjenteve të tyre ushtarake në këto vende, kaq larg nga demokracia. Për mungesën e sigurisë në Irak e Afganistan, pyetëm eksperten italiane të terrorizmit, Loreta Napoleoni. Ta dëgjojmë:
Besoj se problemi themelor qëndron në faktin se forcat e koalicionit nuk kanë arritur të fitojnë besimin e shumicës së popullsisë, prandaj shihen si ushtri pushtuesish. Është e qartë se kjo krijon tensione brenda shoqërisë, të cilat shfrytëzohen gjerësisht nga ata, që duan ta radikalizojnë gjendjen. Për më tepër, qeveritë e reja, që kanë ardhur në pushtet, pas të ashtuquajturit “proces të çlirimit”, janë në të vërtetë, qeveri jashtëzakonisht të korruptuara.
Si është e mundur që Perëndimi nuk ka ditur të gjejë persona me vlerë, që mund ta marrin në dorë si duhet Irakun dhe Afganistanin?
Kjo nuk ka ndodhur, sepse janë afruar njerëz me moralitet dhe etikë të dyshimtë, që jetonin në SHBA-të, si për shembull, Çalabi në Irak fillimisht, e Karzai në Afganistan. Këta u vunë në krye të qeverive të reja e pasojat i shohim sot.
Konflikte kaq të gjata, pa ndonjë zgjidhje të sigurtë, fillojnë ta lodhin opinionin publik perëndimor, i cili i nxit qeveritë të kthejnë kontengjentet e tyre ushtarake në atdhe e të tërhiqen…
Sipas meje, pasojat do të jenë tepër të rënda. Mendoj se tërheqja nga Afganistani do të krijonte probleme të mëdha edhe në Pakistan, ku situata, siç e dimë, nuk është aspak e qetë. Pakistanin mund ta humbasim në këtë mënyrë. Por, njëkohësisht, mbajtja e trupave dhe vazhdimi i strategjisë së deritanishme nuk çon në përmirësimin e situatës e aq më pak në demokraci. Prandaj, mendoj se duhet rimenduar e ndryshuar rrënjësisht strategjia dhe politika e jashtme jo vetëm nga ana e SHBA-ve, por edhe nga ana e të gjitha vendeve që bëjnë pjesë në koalicion, për të çuar demokracinë e vërtetë në vende si Afganistani, apo Iraku. Por kjo, do të thotë të paktën një impenjim dhjetëvjeçar.







All the contents on this site are copyrighted ©.