2011-01-20 16:06:29

Hu Zhintao në SHBA: Kina e pranon se të drejtat e njeriut janë të rëndësishme.


(20.01.2011 RV)Mosmarrëveshje për të drejtat e njeriut por marrëdhënie gjithnjë e më të forta në fushën ekonomiko-financiare. Me këto pak fjalë mund të përmblidhet takimi i djeshëm në Uashington i presidentit kinez Hu Zhintao dhe atij amerikan Barak Obama.
“Sot mund të hedhim bazat e një bashkëpunimi më të ngushtë ndërmjet Kinës dhe SHBA për 30 vjetët e ardhshme” e nisi fjalën e tij presidenti amerikan Barak Obama. Më pas ai kujtoi edhe se “të drejtat e njeriut duhet t’i garantohen gjithkujt dhe se janë themeli i një shoqërie më harmonike”. “Ne ju këshillojmë të dialogoni me Dalai Lamën për të zgjidhur problemet dhe për të ruajtur identitetin e popullit tibetan.” shtoi Obama. Dy udhëheqësit, pranuan se bashkëpunimi ndërmjet SHBA dhe Kinës është i domosdoshëm për zhvillimin dhe paqën në botë. Hu Zhintao deklaroi se gjendet në Uashington për t’i përmirësuar marrëdhëniet me SHBA dhe pranoi, të paktën me fjalë, vlerën e përbotëshme të të drejtave njerëzore. Po përsa i përket kostos së valutës kineze, Hu Zhintao nuk bëri asnjë lëshim. Sidoqoftë, për të treguar vullnetin e mirë të Pekinit ai deklaroi për shtypin se u nënshkruan kontrata për import nga SHBA që arrijnë në 45 miliardë dollarë.
Sot Hu Zhintao do të vizitojë Kapitolin dhe më pas do të drejtohet për në Çikago. Në Kapitol do të bisedojë me kryetarin e republikanëve në Dhomë, Xhon Bëner dhe atë të demokratëve në senat, Herri Reid. Vetë Reid, sipas agjencisë së lajmeve CNN, e cilësoi presidentin kinez gjatë një interviste radiofonike si “diktator”.

E ndërsa presidenti Hu Zhintao gjendet për vizitë në SHBA, u bë e ditur se rritja e prodhimit të brendshëm brut të Kinës kapi shifrën 10,3 % duke ia kaluar kështu edhe Japonisë për t’u renditur e dyta në botë pas SHBA. Sigurisht edhe aspektet ekonomike u peshuan mirë gjatë kësaj vizite. E në fakt SHBA dhe Kina lidhën marrëveshje akoma më të forta se ato të mëparshmet. Në mikrofonin tonë flet specialisti i politikës amerikane i së përditshmes “La Stampa” Paolo Mastrolili:

Pyetje: Nënshkruan marrëveshje për shkëmbime tregtare që parashikojnë eksport të mallrave amerikane drejt Kinës që kapin vleftën 45 miliardë dollarë, dhe që mendohet se do të krijojnë afro 230 mijë vende të reja pune në SHBA. Në një gjendje krize ekonomike si kjo e tashmja, natyrisht Amerika nuk mund ta anashkalojë një mundësi për zhvillim të këtyre përmasave. Prej kohësh roli ekonomik që luan Kina i ka bërë të gjithë analistët të flasin për një G2, pra, për marrëdhënie të privilegjuara ndërmjet Kinës dhe SHBA, të cilat po kthehen në shtetet sunduese të planetit. Por, sido që të jetë, mbeten ende shumë mosmarrëveshje politike mjaft domethënëse.

Pyetje: Mbeten, në fakt, mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat njerëzore, ndonëse Hu Zhintao, i nxitur nga Obama, tha se janë një temë e përbotëshme...

Përgjigje: Po ja, le të themi se e zgjidhi gjuhën pak më tepër se zakonisht, kur deklaroi se Kina e pranon se të drejtat njerëzore janë të rëndësishme, dhe shtoi se vendi i tij po bën përparime në këtë fushë, por nuk harroi të përsërisë edhe avazin e vjetër se meqë Kina është një republikë popullore në zhvillim, atëherë, për t’i rënë shkurt, ka nevojë që në disa raste zhvillimit t’i jepet përparësi në krahasim me të drejtat e njeriut. Sigurisht pastaj, ishte edhe çështja e hapur e Çmimit Nobel për Paqën, i cili gjendet akoma në burg në Kinë. Ato fjalë më tepër që tha Hi Zhintao mund të jenë domethënëse për ndryshimet që po ndodhin në Kinë, ose mund të jenë thjeshtë disa fjalë që tha vetëm e vetëm për të shpëtuar presidentit Obama në sytë e opinionit publik. Kjo do të shihet pastaj në vitet e ardhëshme bashkë me faktin se a do të vazhdojnë SHBA ta ushtrojnë presionin për të drejtat e njeriut mbi Pekinin si më parë apo jo.

Pyetje: Ky udhëtim i Hu Zhintaos në SHBA vulos në mënyrë zyrtare zhvendosjen e boshtit politiko-ekonomik drejt Lindjes. A nuk rrezikon Evropa të izolohet në këtë mënyrë?

Përgjigje: SHBA vazhdojnë të kenë interesa shumë të forta në Evropë qoftë nga këndvështrimi ekonomik, qoftë nga ai politik e ai kulturor. Nuk ka aleatë më të mirë për SHBA në të gjithë botën. Kur ka kriza, si ajo e luftës kundër terrorizmit apo e gjendjes në Afganistan, apo për situatën në Irak, SHBA nuk kanë aleatë më të mirë e më të besueshëm tek të cilët të mbështeten. Por është e qartë se nga këndvështrimi i peshës gjeopolitike, Kina dhe Lindja e Largët po fitojnë një rëndësi gjithnjë e më domethënëse dhe është e pashmangshme, pra, që të shkohet drejt një përforcimi të marrëdhënieve.







All the contents on this site are copyrighted ©.