2011-01-20 16:06:13

Europarlamenti miraton mocionin për mbrojtjen e të krishterëve e të lirisë fetare


(20.01.2011 RV)Parlamenti Evropian, i mbledhur sot në Strasburg, miratoi me shumicë gati absolute votash rezolutën në mbrojtje të të krishterëve dhe të lirisë fetare në botë. Rezoluta, e nënshkruar nga të gjitha grupet politike, u diskutua pas ngjarjeve të dhunshme e sulmeve kundër pakicave të krishtera në Nigeri, në Irak e në Egjipt.
Në tekst dënohet dhuna kundër të krishterëve dhe çdo lloj persekutimi, apo diskriminimi i bazuar mbi fenë. Europarlamenti shprehet i shqetësuar për eksodin e të krishterëve nga vendet e tyre dhe për instrumentalizimin e fesë nga terroristët e të gjitha rajoneve të botës. U kërkohet Komisionit e Këshillit Evropian, si edhe Përfaqësueses së Lartë për punët e jashtme të tregojnë më tepër kujdes për temën e lirisë fetare në marrëdhëniet që nënshkruajnë me vendet e tjera. Sipas europarlamentarëve, zonja Kethrin Eshton duhet të hartojë me urgjencë një strategji të përbashkët evropiane, e cila të parashikojë sanksione kundër shteteve, që qëllimisht, nuk mbrojnë bashkësitë fetare.







All the contents on this site are copyrighted ©.