2011-01-20 13:34:52

Bashkimi Evropian rrit eksportimin e armëve


(20.11.2011 RV)Në vitin 2009, autorizimet për eksportimin e materialit luftarak nga vendet e Bashkimit Evropian kanë arritur shifrën rekord prej 40,3 miliard eurosh. Eksportuesja më e madhe është Franca, e cila ndiqet nga Italia, Gjermania e Mbretëria e Bashkuar. Këto janë disa të dhëna të Raportit XII mbi kontrollin e eksportimit të tekonologjisë dhe të mjeteve ushtarake, publikuar ditëve të kaluara në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian. Natyrisht, të lë pa mend fakti se vende, që nënshkruajnë traktate mossulmimi e çarmatimi, eksportojnë në vende të tjera, armë shkatërrimi në masë. I morëm një mendim për këtë gazetarit italian Xhorxho Bereta, i cili shkruan për Unimondon, faqen e internetit, që i kushtohet temës së paqes, të zhvillimit të qëndrueshëm njerëzor, të të drejtave të njeriut e të ambientit:
Raporti paraqet një sërë të dhënash, por nuk bën komente apo analiza. Fakti i parë është ky: 40,3 miliard euro për autorizimet e eksportit, që do të thotë një rritje me 20%. Fakti i dytë është se ata, që blejnë më shumë armë nga Bashkimi Evropian, janë vendet në jug të botës, pra vende ku shpesh niveli i garancive demokratike dhe ai i lirisë nuk kontrollohet si duhet. E dhëna e tretë e rëndësishme është se kemi dyfishimin e eksportimit të armatimeve drejt zonave të nxehta të planetit, ku konflikti është më i madh. Jo rastësisht, blerësit më të fuqishëm janë në Lindjen e Mesme.
Kanë vazhduar edhe eksportimet drejt vendeve me embargo, pavarësisht nga qëndrimi i Bashkimit Evropian, që u kërkon shteteve anëtare të mos eksportojnë armë në ato vende, të cilat mund t’i përdorin për presion të brendshëm, ose për agresion ndërkombëtar…
Është një faktor jashtëzakonisht shqetësues. Në fakt, në fund të Raportit, bëhet lista e vendeve blerëse, ku hyjnë Kina, Irani, Republika Demokratike e Kongos, Libani, Liberia, Sierra Leone, madje edhe Mianmari. Janë shqetësuese sidomos eksportimet në Somali e në Sudan. Kjo vë pikëpyetje të mëdha në seriozitetin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, pasi nuk respektohen as normat, që i kanë vendosur e pranuar vetë. Ekziston kontrolli parandalues, por pastaj nuk kontrollohet më ç’bëhet. Kjo i takon Parlamentit Evropian, por sidomos parlamenteve të çdo kombi.
Ku duhet përqendruar vëmendja?
Në Bashkimin Evropian janë miratuar shumë direktiva. Në veçanti, njëra prej tyre lehtëson transferimin e armatimeve brenda Evropës. Sipas kësaj direktive, të gjitha shtetet anëtare po ndryshojnë ligjet mbi eksportimin e armëve. Por ky lehtësim, që vlen vetëm brenda Evropës, nuk duhet të bëhet preteksti për të pakësuar kontrollet mbi eksportimin efektiv e sidomos, kontrollet, që kanë të bëjnë me ato vende, ku rrezikohet dhunimi i të drejtave demokratike.







All the contents on this site are copyrighted ©.