Papa në audiencën e përgjithshme: bashkësia e kohëve të para është model i bashkimit
për të krishterët e ndarë të sotëm. Në Kishë nuk duhet të ketë të varfër, as të uritur.
(19.01.2011 RV)Ndonëse plot vështirësi e paqartësi, historia e lëvizjes ekumenike
është, njëkohësisht, histori e vëllazërimit. Këtë pohoi Benedikti XVI në audiencën
e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, kushtuar Javës
së lutjes për bashkimin e të krishterëve, që filloi dje. Duke folur për ndarjen e
përbashkët të pasurive, Papa uroi që asnjë i krishterë të mos jetë i varfër në gjirin
e Kishës.
Të bashkuar
në dëgjimin e Apostujve, në ndarjen e përbashkët të pasurive, në
thyerjen e bukës eukaristike, në lutje. Katër shtyllat e bashkësisë së
parë të krishterë, asaj, që nuk ishte ndarë akoma, janë edhe shtyllat e udhës së sotme
ekumenike. Katekizmi i Benediktit XVI u nis kryesisht nga kjo tezë. Pikërisht në udhën
e zanafillës, që hapën paraardhësit në fe – pohoi me forcë Papa - të krishterët duhet
të hedhin themelin e palëkundshëm, mbi të cilin, pastaj mund ta ndërtojnë pa frikë
bashkimin e dukshëm të Kishës. E në se të krishterët e dymijë vjetëve më parë ishin
të bashkuar, ky bashkim mbahej në këmbë pikërisht sepse mbështetej mbi katër shtyllat,
katër karakteristikat themelore të Kishës së pandarë, të së djeshmes e të së sotmes.
Këto katër karakteristika, që i dallonin të krishterët nga gjithë të tjerët, u zgjodhën
si temë-udhëheqëse për Javën 2011. Gjatë audiencës, Papa i kujtoi një për një. Së
pari - pohoi – është e nevojshme të nisemi nga dëgjimi i Ungjillit; e duhet ta dëgjojmë
me po atë besim, që patën të dymbëdhjetë shokët e Krishtit: “Ende sot, bashkësia
e besimtarëve e pranon mësimin e Apostujve si normë për fenë e vet: prandaj çdo përpjekje
për krijimin e bashkimit ndërmjet gjithë të krishterëve, kalon përmes thellimit të
besnikërisë ndaj depositium fidei, të transmetuar nga Apostujt. Qëndrueshmëria në
fe është themeli i bashkimit tonë, është baza e unitetit të krishterë”. Pika
e dytë, bashkimi vëllazëror. Ndarja e përbashkët e pasurive - pohoi Benedikti XVI
– në historinë e Kishës është shprehur në mënyra nga më të ndryshmet. Një nga më
të veçantat, është ajo e lidhjeve të vëllazërisë e të miqësisë ndërmjet të krishterëve
të konfesioneve të ndryshme: “Historia e lëvizjes ekumenike, që ka
kaluar gjithnjë përmes vështirësish e paqartësish, është edhe histori e vëllazërimit,
e bashkëpunimit dhe e ndarjes së përbashkët të vlerave shpirtërore e njerëzore, gjë
që i ka ndryshuar në mënyrë të ndjeshme marrëdhëniet ndërmjet besimtarëve në Zotin
Jezus: të gjithë jemi impenjuar të vijojmë ecjen në këtë rrugë”. Por ndarja
e përbashkët e pasurive, ka edhe një aspekt tjetër, atë të drejtësisë shoqërore, që
Papa e vuri me forcë në dukje, duke shprehur besimin se edhe të krishterëve të sotëm
nuk u mungon aftësia për ta ndjerë veten anëtarë të një familjeje të vetme: “Askush
në bashkësinë e krishterë nuk duhet të ketë uri, nuk duhet të jetë i varfër: kjo është
detyrë themelore. Bashkimi me Zotin, realizuar si bashkim vëllazëror, shprehet, konkretisht,
në impenjimin shoqëror, në dashurinë e krishterë, në drejtësinë”. I treti
nga këto aspekte që, siç e vuri në dukje Papa – nuk i përkasin së kaluarës, por duhet
të jenë gjithnjë në bazë të jetës së Kishës, ka të bëjë me “thyerjen e bukës”, domethënë,
me kremtimin e Eukaristisë: “Gjatë kësaj jave të lutjes për bashkimin, ndjehet
më shumë se kurrë keqardhja për pamundësinë e ndarjes të së njëjtës sofër eukaristike,
shenjë që tregon se jemi ende larg nga realizimi i atij uniteti, për të cilin u lut
vetë Krishti. Një përvojë e tillë e dhimbshme, që i jep edhe përmasë pendestare lutjes
sonë, duhet të na nxisë për impenjim edhe më bujar nga ana e të gjithëve që, si të
jenë zhdukur të gjitha pengesat në rrugën e bashkimit të plotë, të arrijë ajo ditë,
në të cilën do të jetë e mundur të bashkohemi rreth sofrës së Zotit, të thyejmë së
bashku bukën eukaristike e së bashku të pijmë në të njëjtin kelk”. Duke
folur, në fund, për karakteristikën e katërt, që i dallon të krishterët, për lutjen,
Benedikti XVI u ndalua tek lutja kryesore, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, tek
“Atyna” në të cilën – vërejti Papa - përemri vetor ‘ne”, përmbledh pikërisht bashkësinë
e krishterë, të gjithë të krishterët, të bashkuar si një trup i vetëm: “Është
providencial fakti që në udhën për të ndërtuar bashkimin, të vihet në qendër pikërisht
lutja: kjo na kujton, edhe një herë, se bashkimi nuk mund të jetë prodhim i thjeshtë
i dorës së njeriut. Udha drejt bashkimit të dukshëm të të gjithë të krishterëve ndodhet
tek lutja, sepse në themel, bashkimin nuk e ndërtojmë ne, por e ndërton Zoti, vjen
prej Tij, prej misterit Trinitar, prej unitetit të Atit me Birin në dialogun e dashurisë,
që është Shpirti Shenjt; e impenjimi ynë ekumenik duhet t’ia hapë rrugën veprimit
hyjnor, të bëhet thirrje e përditshme drejtuar Zotit për ndihmë. Kisha është e tija,
jo e jona!”. Në fillim të katekizmit, Papa kujtoi se në zanafillën e historisë
së krishterë, Shpirti Shenjt i pati bërë njerëz me gjuhë e kultura të ndryshme, një
korp të vetëm, që të ishte vend i bashkimit e i dashurisë. Nga këto parakushte – përfundoi
Benedikti XVI - rrjedh edhe përgjegjësia e përbashkë, që kanë të krishterët përpara
botës: “Duhet të japim dëshminë e fortë, të bazuar shpirtërisht e të mbështetur
nga arsyeja, të një Zoti të vetëm, i cili na u dëftua e na flet në Krishtin, për të
qenë mbartës të një mesazhi, që t’a orientojë e t’a ndriçojë udhën e njeriut të kohës
sonë, shpesh pa pika të qarta e të vlefshme referimi. Ka rëndësi, atëhere, të rriten
gjithnjë më shumë dashuria reciproke dhe impenjimi për t’i shembur të gjitha muret,
që i ndajnë akoma të krishterët”.