2011-01-19 18:05:41

Kardinali Tarçizio Bertone nuncëve të ardhshëm: hiqni dorë nga planet personale e ndiqni Krishtin!


(19.01.2011 RV)“Edhe puna juaj e zyrës, e kryer me përvujtëri e mençuri, mund të kontribuojë në impenjimin e Selisë së Shenjtë për ndërtimin e një bote më të drejtë e më vëllazërore, në emër të Krishtit”. Këtë pohoi sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinali Tarçizio Bertone, në homelinë e lutjeve mbrëmësore, kremtuar dje pasdite, në sa Kisha përkujtonte Shën Andoun Abat, pajtor i Akademisë Papnore kishtare, ku formohen nuncët, diplomatë të ardhshëm apostolikë.
Kardinali Tarçizio Bertone theksoi, në vijim, sa rëndësi ka përgatitja e nuncëve mendjendritur e largpamës, të mbështetur nga bashkëpunëtorë, që kanë vizion të gjërë për Kishën, një Kishë, e cila jeton në realitetin e botës e kërkon ta orientojë drejt përsosurisë, drejt Krishtit. Kardinali, më pas, u ndal posaçërisht tek dy aspekte themelore për formimin e përshtatshëm gjatë viteve të studimit në Akademi. U kujtoi nuncëve të ardhshëm se duhet të heqin dorë nga vetvetja, nga planet e tyre personale, për të ndjekur pas Krishtin, me të njëjtin zell, që pati Shën Andou Abat i cili, i shtyrë nga dashuria për Jezusin, la gjithçka e iu kushtua plotësisht lutjes e pendesës. Jezusi u kujton qartë të gjithë atyre, që dëshirojnë ta ndjekin pas: “Rrugë të mesme s’ka: o me Të, o kundra Tij!”. Po që të jesh me Të, nuk duhet të jesh me interesat tuaja. Të jesh me Të, duhet të heqësh dorë nga të menduarit e nga të jetuarit sipas planeve personale. Kardinali i nxiti meshtarët e Akademisë të kujdesen, mbi të gjitha, për të jetuar me e pranë Krishtit e Kishës, në bashkim me Atin e Shenjtë. Duke kujtuar shërbimin krejt të veçantë në përfaqësitë papnore, kardinali Bertone theksoi se Kisha ka nevojë për meshtarë të rinj, që e kalojnë gjithë ditën me lutje, me punë, me impenjim pranë kishave vendase, me këshilla. Ata duhet të shquhen edhe për shpirtin e vetmohimit, posaçërisht në orët, shpesh dramatike, të kombieve ku shërbejnë e të popujve të tyre. S’ka gëzim më të madh – theksoi me forcë kardinali Bertone – se të jesh dishepull i Krishtit e shërbëtor i Papës. Eshtë gëzim të vozitësh, së bashku me shumë vëllezër, në barkën e Shën Pjetrit, duke përballuar me sukses erërat e kundërta e dallgët e historisë, sepse në timon është vetë Zoti!







All the contents on this site are copyrighted ©.