2011-01-19 16:51:33

Ati i Shenjtë prindërve që kanë humbur fëmijët: uroj që vuajtja të shndërrohet në shpresë, me ndihmën e Marisë.


(19.01.2011 RV)Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa përshëndeti anëtarët e Shoqatës “Bijtë në parajsë: flatra ndërmjet qiellit e tokës”, në të cilën bëjnë pjesë prindër, që kanë provuar një nga fatkeqësitë më të mëdha të shpirtit të brishtë njerëzor: vdekjen, shpesh tragjike, të fëmijëve.RealAudioMP3
Papa i përshëndeti me përzemërsi të madhe, duke u drejtuar ftesën:
“Mos lejoni t’ju mundë dëshpërimi e ligështia, por shndërrojeni vuajtjen tuaj në shpresë, si Zoja e Bekuar tek këmbët e Kryqit”.
Plot ngrohtësi, këshilla drejtuar të rinjve:
“Në gjallërinë e viteve të rinisë, mos harroni t’i llogarisni edhe rreziqet e veproni në çdo çast me maturi e ndjenjë përgjegjësie, posaçërisht kur jeni në timon të automjeteve, për ta mbrojtur kështu jetën tuaj e atë të të tjerëve”.
Papa i inkurajoi meshtarët, që i shoqërojnë shpirtërisht familjet në zi për humbjen e bijve, ta vijojnë bujarisht këtë shërbim tejet të rëndësishëm. Më pas i siguroi të pranishmit se do të lutet për pushimin e pasosur e dritën e pambaruar të të gjithë të rinjve, që kanë humbur jetën, duke u bërë përsëri prindërve një ftesë prekëse, të cilën e kupton shumë mirë, kush ka humbur njerëz tepër të dashur, e sidomos, në një moshë të re:
“Ta ndjeni afër jush praninë e tyre shpirtërore, sepse ata, siç thoni ju vetë, janë flatra që bashkojnë qiellin me tokën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.