Skeda: Papa Gjon Pali II, nga vdekja, në nderimet e elterit!
Po kujtojmë çastet kryesore, nga thirrja “Vojtila Shenjt, menjëherë”, tek nënshkrimi
përfundimtar i çështjes kanonike, që do ta lartojë Gjon Palin II në nderimet e elterit. “Shenjt,
menjëherë”, shkruhej në parrullat, që shpalosën besimtarët në Rrugën romake të Pajtimit,
përballë Bazilikës së Shën Pjetrit, më 8 prill 2005, kur një turmë vigane merrte
pjesë në salikimiet e Gjon Palit II, në shekull, Karol Vojtila. Populli katolik e
shikonte si njeri të shenjtë e dëshironte që edhe Kisha ta shpallte shenjt. Shenjtëria
e Tij Gjon Pali II ndërroi jetë më 2 prill 2005, në orën 21. 37 minuta, në
apartamentin e tij në Vatikan, në moshën 84 vjeçare, në vitin e 26-të të papnisë,
i përforcuar me të gjitha ngushëllimet e fesë. Vdiq pasi vuajti për një kohë të gjatë
nga një mori sëmundjesh, shkaktuar prej plumbit, që u nis drejt tij nga arma e Ali
Agçait, më 13 maj të vitit 1981. Ndërmjet tyre, sëmundja e Parkinsonit. Pasi u
dha lajmi për vdekjen e Papës, në Sheshin e Shën Pjetrit, në shenjë mirënjohjeje,
shpërtheu një duartrokitje e stuhishme, e pasuar nga një heshtje e thellë, surreale,
ndërprerë nga dënesët e besimtarëve, të cilët shtrënguan njëri-tjetrin në një përqafim
prekës. Pastaj të gjitha këmbanat e kishave të Romës ranë përnjëherësh mënjanë, për
t’i dhënë lamtumirën Kryebariut të Kishës Katolike Universale, ndërsa besimtarët u
gjunjëzuan dhe nisën lutjen për pushimin e pasosur të të vdekurit. Gjithë natën Sheshi
i Shën Pjetrit ishte plot me njerëz të përlotur. Prelatët u drejtuan ftesën të vijojnë
lutjen në heshtje, për ta shoqëruar kështu Papën në hapat e para drejt qiellit.
Gjon
Pali II, në shekull Karol Wojtyla, lindi në Wadovice (Në Poloni, dioqeza e Krakovisë)
më 18 maj të vitit 1920. I shuguruar meshtar më 1 nëntor 1946; ipeshkëv më 28
shtator 1958, më 26 qershor 1967 u emërua Kardinal nga Papa Pali VI. I zgjedhur
papë më 16 tetor 1978, po mbushte 27 vjet papnie, e treta për gjatësi në historinë
e Kishës. Duke nisur që nga data e vdekjes e për nëntë ditë me radhë u kremtuan
salikimet për pushimin e Tij të pasosur. Filluan menjëherë të gjitha procedurat
e parashikuara në Kushtutën apostolike “Universi Dominici gregis”, shpallur nga Gjon
Pali II më 22 shkurt 1996. Sipas Kushtetutës Apostolike “Universi Dominici Gregis”
(Grigja Universale e Zotit), Konklavi për zgjedhjen e papës pasardhës, do të fillonte
brënda 20 ditëve, pas vdekjes së Gjon Palit II. Kardinali Anxhelo Sodano, asokohe
sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kremtoi në Vatikan Meshën parë të nëntëditshit
për shpirtin e Papës, e pikërisht në solemnitetin e Mëshirës Hyjnore. Trupi
i Gjon Palit II u vendos në Bazilikën e Vatikanit për homazhet e besimtarëve duke
nisur nga dita e hënë, 4 prill, pasdite. Që aso kohe kanë kaluar vetëm 6 vjet.
Kohë rekord, përjashtim nga ligji i Kishës, mbi bazën e të cilit duhet të kalojnë
pesë vjet pas vdekjes së Shërbëtorit të Zotit, që të nisë procesi, i cili mund ta
çojë në nderimet e elterit.
Më 14 janar 2011, Papa Racinger nënshkroi
Dekretin e Lumnimit: Gjon Pali II do të shpallet i Lum më 1 maj 2011. Kremtimi
do të mbahet në Vatikan e do të kryesohet nga Benedikti XVI. Është e Diela e Mëshirës
Hyjnore, e lidhur fort me shenjtoren polake Faustina Kovalska, që të dyja tejet të
dashura për Papën Vojtila e për mbarë popullin polak. Sigurisht ky lajm, i cili
tashmë ka marrë dhenë, e vë edhe një herë në qendër të vëmendjes Papën Vojtila, që
arriti në cakun e lumnimit pas njohjes së një mrekullie, bërë me ndërmjetësimin e
tij, pak ditë pas vdekjes. Është fjala për shërimin e një murgeshe franceze nga sëmundja
e Parkinsonit. Përfundoi, kështu, pjesa më e rëndësishme e procesit të Lumnimit,
që filloi pa pritur të kalonin pesë vjetë nga vdekja, siç kërkojnë normat kanonike,
sepse Benedikti XVI nuk i respektoi këto norma, ashtu siç kishte bërë edhe Paraardhësi
i tij, kur ishte fjala për lumnimin e Nënë Terezës, Themeluese e Misionareve të Dashurisë,
vdekur më 1997, lumnuar më 19 tetor 2003. E këtë – shpjegon Kongregata për Çështjet
e Shenjtorëve - e bëri, duke u nisur nga fama e jashtëzakonshme e shenjtërisë, që
gëzonte Papa Vojtila sa ishte gjallë, kur po vdiste e pas vdekjes. Kongregata për
Çështjet e Shenjtorëve shpjegon se Çështja e lumnimit të Papës Gjon Pali II pati dy
lehtësi. E para ka të bëjë me miratimin papnor për të mos pritur pesë vjet; e dyta,
me përjashtimin e rastit nga lista e pritjes. Por, pavarësisht nga këto, të gjitha
procedurat u kryen me seriozitet e kujdes të jashtëzakonshëm, pa asnjë lëshim. Çështja
u trajtua njëlloj si të tjerat, duke ecur hap pas hapi, sipas normave kanonike të
Kongregatës përkatëse. Madje duhet shtuar se pikërisht për ta nderuar më shumë kujtimin
e këtij Pape të madh, Çështja u shqyrtua edhe më imtësisht, që të shmangej çdo dyshim
e të kapërcehej çdo vështirësi, që mund të delte më pas. Më 14 janar 2011,
pra, Papa Benedikti XVI, pasi priti në audiencë kardinalin Anxhelo Amato, prefekt
i Kongregatës, autorizoi dikasterin të shpallte dekretin për mrekullinë e kryer me
ndërmjetësinë e Shërbëtorit të Nderuar të Hyjit, Gjon Palit II (Karol Vojtila). Faza
dioqezane e Lumnimit zgjati nga qershori i vitit 2005, deri në prillin e vitit
2007. Gjatë kësaj faze, u mblodhën dëshmi për jetën, virtytet, famën e shenjtërisë
e mrekullitë e Gjon Palit II, duke u nisur nga dioqeza e Romës, për të vijuar edhe
në dioqeza të tjera. Me dekretin e 4 majit 2007, Kongregata për Çështjet
e Shenjtorëve njohu vlefshmërinë juridike të proceseve kanonike. Në qershor
2009, si u shqyrtua Positio, apo dëshmia e arsyetuar e virtyteve, nëntë këshilltarë
teologë të dikasterit, dhanë mendimin e tyre pozitiv lidhur me virtytet heroike të
Shërbëtorit të Zotit. Një vit më pas, në muajin nëntor, duke ndjekur procedurën
e zakonshme, e njëjta Positio iu nënshtrua gjykimit të kardinajve dhe të ipeshkvijve
të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, që morën vendimin përfundimtar. Më
19 dhjetor 2009 Papa autorizoi shpalljen e dekretit mbi virtytet heroike e mbi
mrekullinë, që postulacioni e kishte paraqitur për shqyrtim në Kongregatën për Çështjet
e Shenjtorëve. Është fjala për murgeshën franceze, Mari Simon Pierre, rregulltare
e Institutit të motrave të vogla të nënave katolike, që u shërua mrekullisht nga
sëmundja e Parkinsonit. Më 21 tetor 2010, aktet e hetimit kanonik, kryer
në përkim me të gjitha rregullat, si dhe ekspertizat e mjekësisë ligjore, iu nënshtruan
shqyrtimit shkencor nga ana e Konsultës Mjekësore të Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve.
Pasi i studiuan me vëmendjen më të madhe dëshmitë e procesit dhe gjithë dokumentacionin,
mjekët pranuan se ishte fjala për një shërim, që nuk mund të shpjegohej shkencërisht.
Më 14 dhjetor 2010, pasi u njohën me përfundimet e mjekëve, Këshilltarët
teologë vijuan veprimtarinë me vlerësimin teologjik të rastit dhe, njëzëri, pranuan
se mrekullia ishte kryer me ndërmjetësinë e Shërbëtorit të Zotit, Gjon Palit II. Së
fundi, më 11 janar 2011, u mbajt sesioni i zakonshëm i kardinajve dhe i ipeshkvijve
të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, gjatë të cilit u mor, pa asnjë kundërshtim,
vendimi përfundimtar: shërimi i rregulltares Mari Simon Pierre, shkencërisht i pashpjegueshëm,
është vepër e kryer nga vetë Zoti, me ndërmjetësimin e Gjon Palit II, të cilit i qenë
lutur plot besim, si murgesha e shëruar, ashtu edhe shumë besimtarë të tjerë.
Kujtojmë
se arkivoli i Atit të Shenjtë do të mbartet nga Kripta e Vatikanit, pa u hapur,
për t’u vendosur në kapelën e Shën Sebastianit. Kështu besimtarët do ta kenë më të
lehtë të gjunjëzohen tek vendi ku pushojnë në paqe reliket e Papës polak, ashtu siç
bëjnë, kur duan të luten para trupit të balsamosur të Gjonit XXIII, poshtë elterit
të Shën Jeronimit, në bazilikën e Shën Pjetrit. Nuk është vendosur akoma data
e kujtimit liturgjik, që do të bëhet e njohur pas lumnimit. Kjo ditë, në të cilën
Kisha do të kremtojë kujtimin e të Lumit Gjon Palit II, do të vendoset nga Kongregata
për Kultin Hyjnor.