Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve një udhë vëllazërimi e bashkimi
Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve, Papa Benedikti XVI na kujton se është
Shpirti Shenjt ai që i udhëheq ithtarët e dishepujt e Jezusit në rrugën drejt bashkimit
të plotë dhe se lutja është porta kryesore dhe mbretërore e ekumenizmit. “ Të
bashkuar në mësimin e apostujve, në mbledhje vëllazërore, në ndarjen e bukës e në
lutje” (Vp 2,24)– është tema e Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve. Sivjet
na kujton 102 e themelimit të Tetëditshes së lutjes, që më pas u bë Javë dhe u kremtua
për herë të parë më 18 deri më 25 janar të vitit 1908. Që asokohe lëvizja ekumenike
ka bërë një rrugë të gjatë, por shpirti i saj mbetet gjithnjë lutja drejtuar Hyjit,
Atit tonë Qiellor, e kjo, sepse bashkimi i të krishterëve nuk mund të jetë tjetër,
veçse dhuratë e Zotit, që duhet kërkuar vazhdimisht e me këmbëngulje në rend të parë
e sidomos përmes uratës. Kjo sepse pikërisht nga lutja buron forca për ta lënë
veten në duart e Hyjit, që na pastron e na jep hirin t’i bindemi planit të Tij të
shëlbimit e të bashkimit. Lutja e ndryshon mendjen dhe mendësinë tonë dhe i ndihmon
të krishterët t’i shikojnë të tjerët si vëllezër, bij të të njëjtit Atë Qiellor. Lutja
edukon e shoqëron, propozon e transmeton të vërtetën, dritën, jetën, dashurinë, do
të thotë Jezu Krishtin, Shëlbuesin e mbarë njerëzimit. Java e Lutjes Ekumenike
e janarit tashmë është bërë praktikë e përbashkët e të gjitha bashkësive e konfesioneve
të krishtera dhe ka rëndësi të madhe për pajtimin, vëllazërimin e unitetin e të krishterëve,
për realizimin e vullnetit të Jezusit: “që të gjithë të jenë një”. Teksti frymëzues
i këtij viti është marrë nga Veprat e Apostujve “ Të bashkuar në mësimin e apostujve,
në mbledhje vëllazërore, në ndarjen e bukës e në lutje” (Vp 2,24) dhe ripohon pikërisht
rolin themelor të të ndenjurit e qëndruarit në bashkësinë vëllazërore të krishterë:
“në mbledhje vëllazërore, në ndarjen e bukës e në lutje”. Tema nënvizon se jeta
e bashkësisë së krishterë është me të vërtetë e hareshme dhe e mbarë, vetëm përmes
jetës së përbashkët, pra në bashkësi vëllazërore e në lutje, e vetëm kështu kontribuon
për rritjen e saj shpirtërore, morale, shoqërore e kulturore dhe ndërton ura dashurie,
paqeje e shprese. Bashkimi i thellë e i vërtetë me Zotin është udha më e sigurt për
të ri-themeluar e për të ri-krijuar bashkimin e besimtarëve në Krishtin.