2011-01-18 17:26:35

Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve. Imzot Bruno Forte: Është shkandull ta kumtojmë Ungjillin të përçarë.”


(18.01.2011 RV)Detyra e vështirë por entuziazmuese e bashkimit të të gjithë ndjekësve të Krishtit është ajo që gjallëron Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve që nisi sot e do të mbyllet më 25 janar. Tema e saj është: “Të bashkuar në mësimin e apostujve, në mbledhje vëllazërore, në ndarjen e bukës dhe në lutje.” Siç na kujtoi edhe Papa Benedikti XVI të dielën që shkoi në Lutjen e Engjëllit të Tenzot: “Është me rëndësi të madhe që të krishterët, ndonëse janë të shpërndarë në të gjithë botën e prandaj edhe të ndryshëm për nga kultura dhe traditat, të jenë një gjë e vetme.”
Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve është, pra, një kohë që karakterizohet nga fjalët e thëna nga vetë Jezusi: “Të jenë një gjë e vetme...në mënyrë që bota të besojë.”
Po, si mund ta arrijnë bashkimin e plotë të krishterët? Në mikrofonin tonë flet kryeipeshkvi Bruno Forte:..............RealAudioMP3

Përgjigje: Ne duhet ta kërkojmë, duhet të bashkohemi në lutje me Jezusin “ që të gjithë të jenë një”, por duhet që këtë t’ia kërkojmë edhe Zotit sepse vetëm Ai është Zoti i bashkimit tonë. Këtë vit është shumë domethënëse që tema është zgjedhur dhe reflektimet janë përgatitur nga Kisha Nënë e Jeruzalemit. Vargu biblik – “Të bashkuar në mësimin e apostujve, në mbledhje vëllazërore, në ndarjen e bukës dhe në lutje.” , është vargu që përmban udhëzimet e rëndësishme se mbi çka duhet ndërtuar bashkimi që Krishti do për ne.

Pyetje: Pra Qyteti i Shenjtë që sot është fatkeqësisht ende i copëtuar, i përçarë, në të vërtetë është toka e bashkimit, toka e këtij premtimi...

Përgjigje: Jeruzalemi është pika e takimit ndërmjet bukurisë, dashurisë, diturisë dhe dhimbjes. Kisha e Jeruzalemit, sot më shumë se kurrë, është e thirrur të jetë urë lidhëse ndërmjet atyre që janë të ndarë, të krijojë lidhje bashkimi. Është kjo një sfidë shumë e madhe por është një sfidë nga e cila, të krishterët në Tokën e Shenjtë, nuk mund të tërhiqen, e të krishterët në të gjithë botën duhet t’iu rrijnë pranë këtyre me lutje, me dashamirësi e solidaritet.

Pyetje: Ajo çka i jep jetë kësaj lutjeje, këtij premtimi për bashkim, është edhe dëshmia e martirëve. Gjaku i tyre një ditë do të kthehet në farën e bashkimit...

Përgjigje: Persekutimi kundër të krishterëve ka shkaktuar martirë të rinj, viktima, pra. Le të mendojmë për shembull vetëm për të krishterët koptë në Egjipt, që këto kohët e fundit u goditën rëndë. E pra, fara e të krishterëve është farë e së ardhmes së Kishës. Por ama ne, duhet të impenjohemi thellësisht e të kërkojmë respektimin e lirisë fetare si kusht për rritje, për zhvillim të bashkësive të krishtera dhe të marrëdhënieve paqësore të tyre në gjirin e kombeve.

Pyetje: Siç na ka kujtuar disa herë edhe Papa për ta kryer këtë rrugëtim drejt bashkimit nuk mungojnë çështjet që na ndajnë, që i largojnë të krishterët nga njëri-tjetri, por të gjithë të krishterët mund të shpallin së bashku se janë bij të Zotit dhe fitoren e Jezusit mbi mëkatin dhe vdekjen...

Përgjigje: Ta kumtosh ungjillin e Dashurisë të përçarë është një shkandull. Të krishterët duhet të jenë dëshmitarë të të vetmit Zot që është dashuri, të të vetmit Zot-Trini, të Ungjillit të vetëm të Tij. Ungjillëzimi i ri kërkon më shumë se kurrë një përpjekje për bashkim për t’ia paraqitur kësaj bote që s’gjen paqe, të zhgënjyer nga ato rrëfimet e gjata të ideologjive, fytyrën e Zotit të të krishterëve si fytyrë e Zotit që është dashuri dhe që prandaj i jep kuptim dhe ngjallë shpresën në zemrat e njerëzve.







All the contents on this site are copyrighted ©.