2011-01-17 16:12:07

Papa në 100-vjetorin e Institutit Papnor Kishtar Polak uron që ai të formojë meshtarë të përgatitur e të bashkuar me qendrën e krishterimit


(17.01.2011 RV)Kisha ka nevojë për meshtarë të përgatitur, të dashuruar me të Vërtetën e Krishtit, të cilën duhet ta ndajnë me të gjithë, duke i qëndruar besnikë selisë së Shën Pjetrit. Ky ishte thelbi i fjalës së Papës në kremtimin e 100-vjetorit të themelimit të Institutit Papnor Kishtar Polak, mësuesit e studentët e të cilit i priti në audiencë sot paradite.
Të përgatitur si duhet, pasi vetëm një meshtar i formuar mund të jetë një “Krisht tjetër” në botë, tha Papa. E njëkohësisht, të lidhur pazgjidhshmërisht me Atin e Shenjtë, pasi kjo lidhje është garanci se frytet e prodhuara prej tyre vijnë nga pema, ku i ka rrënjët e lashta krejt Kisha:
“Kisha ka nevojë për meshtarë të përgatitur mirë, të pasur me atë dituri, që fitohet në miqësinë me Krishtin Zot, duke u ushqyer vazhdimisht në Tryezën eukaristike e në burimin e pashterrshëm të Ungjillit të Tij. Mësoni të mbështeteni vazhdimisht e të frymëzoheni gjithmonë nga këto dy burime të pazëvendësueshme për jetën e shërbimin e tuaj, për dashurinë e sinqertë ndaj së Vërtetës, që sot jeni të thirrur ta thelloni edhe përmes studimit e punës shkencore e që nesër, do ta ndani edhe me të tjerë”.
Ky kërkim i së Vërtetës, nënvizoi Papa, stimulohet e pasurohet nga afërsia me Selinë Apostolike. Meshtarët duhet ta duan e të kenë përkushtim për figurën e Shën Pjetrit, si edhe t’i shërbejnë Kishës me bujari:
“Të qëndrosh i lidhur me shën Pjetrin, në zemër të Kishës, do të thotë të pranosh me mirënjohje se je brenda historisë shumëshekullore të shëlbimit, e cila ka arritur te ju falë një hiri shumëformësh. Jeni të thirrur të merrni pjesë aktive në këtë histori, në mënyrë që ajo, si një pemë e shëndetshme, të japë gjithnjë frytet e saj të çmuara”.
Instituti Papnor Polak i ka fillesat në vitin 1910. U themelua nga prelati polak, imzot Jozef Sebastian Pelczar e më pas, u miratua nga Papa Piu X, shenjt i Kishës Katolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.