2011-01-17 16:24:32

Kryeministri Berisha: maxhoranca do të punojë për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm në zgjedhjet vendore


Kryeministri Shqipërisë Sali Berisha siguroi sot se, maxhoranca do të bëjë çdo përpjekje që shqiptarët të votojnë të lirë në zgjedhjet vendore të 8 majit 2011 dhe ftoi opozitën që të hartojë amendamentet e nevojshme dhe t'i çertifikojë te institucionet ndërkombëtare, pasi maxhoranca është e gatshme t'i votojë.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kreu i Qeverisë së Tiranës u shpreh se në tërësinë e projekteve, viti 2011 përbën vitin lider të gjithë qeverisjes sonë të derisotme.
"Kurrë ndonjëherë në gjithë qeverisjen tonë nuk nisim një vit me potenciale kaq të mëdha, projekte kaq të shumta dhe vizion më të qartë sa viti 2011", tha Berisha.
Duke folur për zgjedhjet vendore të 8 majit, Berisha siguroi se do të vendosen standardet më të shkëlqyera të numërimit të votave, ndërsa ftoi vëzhgues nga e gjithë bota që t'i monitorojnë ato.
"Opozita do të ketë ofertën tonë të hapur për të hartuar çdo ligj dhe amendament që ajo mendon, t'i dërgojë ato në Komisonin e Venecias dhe të marrë miratimin dhe ne do t'i votojmë në Kuvend. Sikundër, Kodi aktual zgjedhor është konsensual në çdo gërmë dhe fjalë dhe kjo përbën një nga vlerat më të mëdha të këtij vendi", tha Berisha. Kryeministri Berisha siguroi se maxhoranca do të bëjë gjithçka për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, të denjë për një vend që aspiron integrimin në BE.
Kryeministri Sali Berisha siguroi sot se, viti 2011 do të jetë viti i reformave të thella që do të zhvillojnë vendin dhe do ta afrojnë atë me standardet e Bashkimit Europian.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha u ndal fillimisht te arritjet e vitit 2010, të cilat sipas tij, përbëjnë një bazë të fortë për të ecur përpara me reformat.
"Shqipëria e mbylli vitin 2010, si një nga ekonomitë më të forta, më entuziaste, më dinamike dhe më të sigurta. Ne realizuam lirinë e lëvizjes që është gjaku i ekonomisë", tha Kryeministri, duke deklaruar se për vitin 2011 ka një pritshmëri për rritje ekonomike midis 7 dhe 8 për qind.
Sipas tij, "kjo pritshmëri bazohet në perfomancën ekonomike të 6 muajve të fundit, si dhe në heqjen e vizave që përbën 'borxhin" më të shkëlqyer që BE i jep ekonomisë shqiptare.
Kryeministri siguroi për këtë vit, rritje të mëtejshme të rrogave dhe pensioneve dhe për ulje të nivelit të varfërisë në vend.
"Ky është viti i projekteve të mëdha në infrastrukturë. Ne po i japim vendit rrjetin rrugor më modern në rajon. 26 kompani janë paraqitur sot në tenderin e tunelit të rrugës Tiranë-Elbasan që ka impakt shumë të madh për zhvillimin e gjithë jugut dhe juglindjes së vendit", tha Berisha.
Ai theksoi se gjatë vitit 2011 do të punohet për lidhjen e disa komunave me akset kombëtare, ndërsa do të përfundojnë rrugët e mëdha të jugut, Levan-Tepelenë, Levan-Vlorë etj.
"Do të ecim me vendosmëri me infrastrukturë drejt zonave malore", tha Berisha.
Kryeministri u ndal dhe tek reformat në arsim dhe reforma në shëndetësi, që sipas tij, përbën edhe reformën më të vështirë.
"Për reformën në shëndetësi janë hedhur hapa të paprecedent gjatë vitit që shkoi. Së shpejti ne sjellim në Kuvend ligjin e sigurimeve shëndetësore, si një ndër ligjet më të mira. Do vendoset sistemi i ri financiar në sistemin arsimor dhe në shëndetësi", tha Berisha.
Gjithashtu, kryeministri theksoi se prioritet do të jetë plotësimi i kërkesave të Komisionit Europian. Berisha ndal te çështja e imunitetit dhe kërkoi që deputetët e maxhorancës të firmosin një deklaratë ku të deklarojnë heqjen dorë nga imuniteti, duke adaptuar kështu një praktikë, që përdoret në Gjermani.
"Në rast se opozita dëshmon vullnet për të bërë ndryshimet e duhura kushtetuese apo ligjore, ne jemi të gatshëm që nesër t'i bëjmë ato, në interesin më të mirë vendit", tha Berisha.
Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama u bëri thirrje sot demokratëve e socialistëve që të dalin në demostrata më 21 janar. Rama tha se demostrata e 21 janarit nuk është dita e marrjes së pushtetit nga Partia Socialiste por demostrata e shqiptarëve që duan shtet. "21 janari nuk është data e protestës së rradhës për socialistët, por dita e domostratës për socialistë e demokratë që nuk e pranojnë degjenerimin e atij blloku pislleqesh që mban në dorë qeveria" tha Rama. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.