2011-01-15 18:56:13

Takimi i Papës me Trupin Diplomatik. Intervista me ambasadorin e Shqipërisë, Rrok Logu


Liri fetare për të gjithë. Këtë kërkoi Papa më 10 janar, në fjalimin drejtuar Trupit Diplomatik, të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, duke denoncuar dhunën kundër të krishterëve e duke kërkuar masa efikase për mbrojtjen e pakicave fetare dhe etnike kudo në botë. E drejta e lirisë fetare është e para ndër të gjitha të drejtat njerëzore: çdo shkelje e saj përfaqëson një plagë të rëndë kundër dinjitetit dhe lirisë së njeriut e prandaj përbën një kërcënim real ndaj paqes.
Para diplomatëve të akredituar në Vatikan, Benedikti XVI shpjegoi rolin e Kishës Katolike në kontekstin ndërkombëtar, në mbrojtje të paqes. Prania e saj aktive e plot respekt për kompetencat e autoriteteve civile bazohet në bindjen se vetëm Zoti i përgjigjes zemrës së njeriut e prandaj përmasa fetare e këtij njeriu nuk mund të mohohet apo të kufizohet. Ky është themeli mbi të cilin ngrihet ajo, që e quajnë politika e Vatikanit, e cila nuk kërkon privilegje, por vetëm liri për misionin e Kishës.
E duke përshkruar kontributin që një Kishë e lirë mund të japë në botë, Papa dha shembullin e jashtëzakonshëm të së Lumes Nënë Terezë e përmendi respektin që ajo gëzon në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Indi e kudo, nga të gjithë, pa dallim e pa përjashtim:
“Simbol për këtë është figura e së Lumes Nënë Terezë të Kalkutës: njëqind vjetori i lindjes së saj u kremtua në Tiranë, në Shkup e në Prishtinë, ashtu si në Indi; homazhe prekëse i bënë asaj jo vetëm Kisha, por edhe autoritetet civile e krerët e tjerë fetarë, pa llogaritur besimtarët e të gjitha konfesioneve. Shembuj si i saji i tregojnë botës sa dobiprurës është për gjithë shoqërinë, impenjimi që lind nga feja”.
Për këtë arsye, vazhdoi Ati i Shenjtë, asnjë shoqëri nuk duhet të privohet nga kontributi themelor i njerëzve dhe i bashkësive fetare. Pikërisht për këtë takim të rëndësishëm me Trupin Diplomatik pranë Selisë së Shenjtë, i morëm një mendim ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Vatikan, Shkëlqesisë së Tij, Rrok Logu. Ta dëgjojmë në intevistën e don David Gjugjës...................00:07:12:24







All the contents on this site are copyrighted ©.