2011-01-15 11:46:39

Poliedriku Ernest Koliqi në 36 vjetorin e vdekjes


Ernest Koliqi lindi në Shkodër me 20 Maj 1903, në një familje te njohur patriotike. Shkollën e filloi në vendlindje, për ta përfunduar më 1921 në Bergamo dhe në Milano të Italisë, ku kreu studimet e mesme. I përgatitur me njohuritë më të përparuara të kohës, u kthye menjëherë në Shqipëri ku, dy vjet me pas, së bashku me Atë Anton Harapin dhe Nush Topallin, themeloi gazetën "Ora e Maleve".
Në vitin 1924 mori pjesë në shoqërinë patriotike "Bashkimi", themeluar nga Avni Rustemi. Për t'i shpëtuar forcave zogiste, emigroi pesë vjet në Jugosllavi. U rikthye në Shqipëri më 1929 dhe filloi punën si mësues në Vlorë e në Shkodër. Më 1937 u diplomua në universitetin e Padovës me tezën "Epika popullore shqiptare". Më 1939 u emërua ministër i arsimit. Mblodhi në kabinetin e tij studiuesit dhe shkrimtarët më të spikatur, me të cilët zhvilloi një veprimtari mjaft të dendur. Më 1944 u largua në Itali, ku u emërua drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare, krijuar më 1957 nga vetë Koliqi, në vend të katedrës së gjuhës shqipe pranë Universitetit La Sapienca të Romës.
Më 15 janar 1975 vdiq në shtëpinë e tij në Romë, i nderuar nga e gjithë bashkësia shqiptare në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij. U varros në Romë.
Pra, Ernest Koliqi klasiku i fundit i brezit letrar të viteve '30, mbylli sytë përgjithmonë 36 vjet më parë në shtëpinë e tij të thjeshtë, në Fiano Romano (Romë), i dënuar të rrinte larg Shqipërisë me akuzën si bashkëpunëtor i fashizmit. Vdiq me dëshirën e zjarrtë, të paplotësuar, të kthehej rishtas në Shkodër, të dëgjonte prapë kambanat e Kishave, të shkelte përsëri në pragun e shtëpisë së moçme të Koliqëve në lagjen Gjuhadol. Të gjitha këto dëshira i shprehu me frymëzim të jashtëzakonshëm në poezinë "Bijës sime", botuar në ‘Shêjzat’, që tingëllon si Testament poetik
Krahas ndihmesës së tij në fushën e publicistikës e të arsimit, Ernest Koliqi njihet si prozator, poet, përkthyes, kritik, studiues i letërsisë. Revista “Shêjzat”, rreth së cilës mblodhi emrat më të shquar të diasporës, mbetet një monument i vërtetë i publicistikës shqipe.
E nisi krijimtarinë me vjersha, të cilat i botoi në gjuhën italiane, në të përjavshmen studenteske "Noi giovani" të Bergamos. Gjatë mërgimit në Jugosllavi, botoi poemthin "Kushtrimi i Skanderbeut" me përmbajtje patriotike; më 1929, "Hija e maleve" e më 1935 "Tregtar flamujsh", kushtuar jetës në Shkodër.
Me vlerë të madhe është edhe përkthimi i: "Poetëve të mëdhaj të Italisë". Më pas botoi "Kangjellat e Rilindjes" (1959) dhe romanin "Shija e bukës së brume” (1960), ku ndjehet fuqimisht malli i mërgimtarit për tokën e vet.
Meritoi medaljen e artë të Shoqërisë "Dante Aligheri"; “Yllin e artë për merita të shkollës"; ishte anëtar efektiv i Akademisë së Mesdheut", Anëtar nderi i qendrës ndërkombëtare për studimet shqiptare në Palermo etj.
Pak vjet më parë arbëreshët e Frashinetos, duke dashur të nderojnë kujtimin e Ernest Koliqit dhe të vënë në dukje kontributin e jashtëzakonshëm që dha në studimin e traditave arbëreshe, i vunë emrin e tij Shkollës së tyre të mesme shtetërore. Vepra e tij, e ribotuar disa herë në Shqipëri dha jashtë saj, vijon të ndiqet me interesim të madh nga lexuesi.
A mund t'i mohohet Koliqit të madh kryevendi që zë në letërsinë shqipe?
Në 32-vjetorin e vdekjes, Ernest Koliqi riduket në kujtesën e atdheut të vet me atributet e shkrimtarit, themeluesit të tregimit modern shqiptar, poetit, romancierit, eseistit, përkthyesit, gazetarit, dramaturgut, mbledhësit dhe studiuesit të palodhur të folklorit, veprimtarit të shquar në fushën e politikës e të kulturës së shekullit XX brenda e jashtë Atdheut.
Do të duhej, prandaj, shumë hapësirë dhe kohë për të ndriçuar plotësisht figurën e tij vigane, pa harruar se është edhe vëllai i kardinalit të parë shqiptar, Mikel Koliqit. Po mjaftohemi, për shkak të mungesës së kohës, të kujtojmë vetëm një nga poezitë e Koliqit, në të cilën ndjehet fuqimisht gjithë malli për vendlindjen, që nuk mundi ta shihte sa qe gjallë e nuk po e shikon as për së vdekuri, në sa trupi i tij do të mund të pushojë në paqe vetëm kur të rikthehet në Shkodrën, mëngjeset e së së cilës i kujton kështu:

Shkodra në mëngjese

Kendojnë bashkë në mengjese pesë kumbonare,
kendojnë në ajri mbi Shkoder ende fjetë:
mbi Maranaj qet vetllen kureshtare
agimi e hjedh në liqe synin e qetë.

Perhapë lajmin e zgjimit rrezja e parë
të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë,
e shpejt në at lavdi dielli, qi e veshë fare
Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.

E ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija
udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e shkendija,
tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë:

skaj në skaj si lum gzimi tue rreshqitë
në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë
kaçurrelat e tyne kur shkojnë në shkollë.

Lutja e Dëshprueme

Ju qi keqas t’vorrosun keq flêni nder murrâna
mbi shpate t’pjerrta a n’pyje, n’breg deti ase n’breg lumi,
deshmor‘, q’êmën t’lavdishem keni thadrue n’gojdhâna,
nën dhé me gjak t’uej t’rîmun idhnín nuk u a shuen gjumi.

Ju qi n’vorre t’vetmueme keq flêni e nuk pushoni
e as deka varrz e shtatit nuk thau as nuk u a mbylli,
qi éshtnat vrik ju dridhen kur del nji zâ nga pylli,
a kur nji zhapllim‘ hapash përbrî murân’s ndëgjoni,

ju qi n’mesime fisnike t’lahutës jeni rritun,
ju qi burrnín jetike e patët si mësuese,
ju qi lirín kreshnike zgjedh‘ e kishi per nuse,
ju qi n’mprojen e nderit botën keni çuditun,

sot n’murrâna t’harrueme kërkoni kot pushim:
ju qi epopé t’panjoftun shkruet me gjakun e kuq,
plot vrumulisje n’eshtna rrini tue bluem idhnimin,
fatosa orzez, për flîjen e jetës q’u shkoi huq.

U rrzuet tue rrokun armën dhe rrzue me jue fisi;
ato q’atdheut i kjené ndër mote gardh çeliku,
porzmat vigâne t’ueja, jo, nuk i mposhti anmiku
por mâma e fatit, mâma qi befas mbi né krisi.

N’heshtim t’natës shqiptare s’ndëgjihet kund zâ njerit,
prân‘ votres s’fikun nânat n’vaj nuk e njomin bukën,
por me sy t’papërlotun plot shkndija mnije, strukën
tue prit‘ furín ahmarrse qi t’thej‘ t’prîmunt e mnerit.

Jo váj por gjâm e ahté prej pyjesh sjell jehona,
zhumhura e rrebtë e lumit kushtrim zâ-mbytun ngjanë,
shpirtnat errson e ballet vrugon, ndiell mort zezona
q’atdheut palcet gjallnuese mâ t’mshefta po i a thanë.

O Perëndí, na tokën pranuem qi Ti na fale,
n’tê tash tridhet‘ qindavjeta na u end e ndershme jet,
jetuem m’kto troje t’vobta, n’kto brigje t’thata e t’shkreta,
ngujve larg botës tjetër tue ruejtun dhên mbi male.

Me mzi strehueme trupin nga shiu e brshni e marrdha,
n’kasolle e stane t’brishta qi shpërthejshin duhínat,
pa dijt‘ qejfet e holla, pa dijt‘ ç’janë miradinat,
pa njoft‘ doket e lmueta të kombeve fatbardha.

E, pra, t’ushqyem n’kto gryka me bukë kollomoqe
Qi e zbutshin n’új të kronit, s’lypshim kurrgjâ mâ shum,
sepse bylmet na kishin nji lirí t’thjsht‘, t’pashoqe,
qi me hiret e veta na e bânte gjakun t’lum.

Nânat me qumsht‘ të pastër andjen n’shpírt t’on‘ dikojshin
Me fluturue si shqipe në qiell t’nderit shqiptar,
n’flak t’dokeve m’u kndellun e n’zjarrm t’buzmit bujar,
qi kobin e zvetnimit nga votra na e largojshin.

O Perendí, ndër shekuj ûja buzën na e zverdhi,
shpesh u errem pa hângër bukën m’e ruejt‘ për fmín
e mitun q’ish n’e rritun, por n’qe ‘i mik né shpín
na msyni, ia vûm para at buk mikut kur erdhi.

Pse kshtu na e randon jetën me dhunë e me krajata?
Lírin e dy gisht nderi n’shtek t’ballit: s’kishim tjetër:
kto dy të mira zbritshin vobeksín t’on‘ të vjetër.
Po pse, o i Lumi i Qiellvet, na i rrmbeve kto dhurata?

Vegimi i Laures - Françesko Petrarka

Ky sonet , ashtu si shume te tjere , i kushtohet vashes me emrin Laura,qe Petrarka e njohu ne rini dhe qe vdiq e re.Vegimi i saj i shfaqet ne vetmine e natyres dhe ai nis te kuvendoje me te.

Me ndie zogjt tue pingrue,a flladin n'vere
tue luejtun ambelsisht neper t'njomat flete,
a prej nje bregu t'lulezuem e t'blere
me m'ardhe nje shushuritje ujnash t'qete

ku rrij n'mendim dashnije e shkruej,athere
shof Ate,qe na e fali Qielli vete,
e dheu e mshefi,e i duket zemres s'mjere
se t'fshameve Ajo iu gjegj si t'ish prap n'jete.

"Deh,perse veten po don keshtu m'e shkri,
- me thote tane dhimbje, - e loten e deshprueme
si lume po e derdh prej syve mbushe me idhni?

Per mue mos qaj.pse m'bani t'lume
edhe t'perjetshme,e keta syte e mi
kur t'ngjau se i mbylla, i çela n'drite t'amshueme."

(nga Libri i Kengeve - e perkthyer nga E.Koliqi)







All the contents on this site are copyrighted ©.