2011-01-15 19:13:45

Papa për Kohën e Zakonshme gjatë vitit në Kishë: jeta e përditshme qoftë palestër shenjtërie


Ta jetojmë kohën e zakonshme të vitit liturgji çdo ditë sikur të ishte një etapë e rrugës, që çon drejt shenjtërisë. Me përfundimin e festave të Krishtlindjes e Vitit të Ri, Kisha kthehet në kohën e zakonshme të vitit liturgjik. Shpesh, Benedikti XVI ka vënë në dukje se pikërisht në jetën e përditshme, atë pa shumë zhurmë e bujë, vendoset fati i shpirtit të njeriut.
Kisha jeton me çaste të mëdha. Përkujtuam lindjen e Jezu Krishtit, Dëftimin e tij para Mbretërve Dijetarë, Pagëzimin e sot, Rrethprerjen e Tij e festuam edhe Vitin e Ri e Ditën Botërore të Paqes, me një mesazh të rëndësishëm të Papës Benedikti XVI, por tani të krishterët kthehen në jetën e përditshme, secili shkon sërish në punë pas pushimeve e vazhdon gjërat e zakonshme. Por, vetëm në dukje, çdo gjë është “e zakonshme”, pasi për të krishterin, normaliteti nuk do të thotë kurrë banalitet. Benedikti XVI e ka shpjeguar këtë para disa vjetësh, me këto fjalë:
“Bukuria e kësaj kohe qëndron në faktin se na fton ta përjetojmë jetën tonë të përditshme si rrugë shenjtërimi, pra rrugë feje e miqësie me Jezusin, i zili zbulohet e rizbulohet vazhdimisht si Mësues e Zot, Rruga, e Vërteta dhe Jeta e njeriut” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 15 janar 2006)
Kjo kohë e zakonshme pra, nuk qenka bosh, pa kuptim dhe pa variacion. Duke kujtuar çastin pas Pagëzimit të Jezusit në lumin Jordan, me dishepujt, që shkojnë pas Tij, duke e pyetur: “Mësues, ku banon?”, Papa kujton përgjigjen e Jezusit: “Ejani e do të shihni”, duke vënë në dukje se edhe në këtë kohë të zakonshme, fshihet diçka shumë e rëndësishme:
“Fjala e Zotit na fton të rimarrim, në fillim të çdo viti të ri, rrugën e fesë, që s’përfundon kurrë. “Mësues, ku banon?”, e pyesim edhe ne Jezusin e Ai na përgjigjet: “Ejani e do ta shihni”. Besimtari është gjithnjë në kërkim pa fund e zbulon gjithnjë gjëra të reja, sepse vërtet Krishti është po Ai dje, sot e përgjithmonë, por ne, bota, historia, nuk jemi kurrë po ata. Jezusi vjen të na takojë për të na dhuruar bashkimin me Të e plotësinë e jetës” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 15 janar 2006).
Ja pra, si shndërrohet jeta e përditshme në zemrën e atij që beson. Shenjtëria, na mësojnë vetë shenjtorët, nuk është të bësh gjëra të jashtëzakonshme, por t’i bësh jashtëzakonisht mirë gjërat e zakonshme. Sigurisht, vërejti vetëm pak ditë më parë Benedikti XVI, në Lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot për vitin 2011, nuk është gjithnjë e lehtë ta takosh Krishtin çdo ditë. Problemet nuk mungojnë në Kishë e në botë, ashtu si në jetën e përditshme të familjeve. Por, falë Zotit, tha Papa, shpresa jonë nuk bazohet mbi parashikime ekonomike o të llojeve të tjera, pavarësisht se edhe këto janë të rëndësishme:
“Shpresa jonë bazohet në Zotin, jo në një fe të përgjithshme, apo në fatalizmin e zbukuruar me fe. Ne besojmë në Zotin, i cili në Jezu Krishtin na ka zbuluar një herë e përgjithmonë vullnetin e tij për të qëndruar me njeriun, për ta bashkëndarë historinë e tij, për të na udhëhequr të gjithëve drejt Mbretërisë së tij të dashurisë e të jetës. E kjo shpresë e madhe u jep shpirt e nganjëherë i ndreq shpresat tona njerëzore” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 3 janar 2010)
Kush kërkon gjen, thotë populli. E ashtu si dishepujt e Ungjillit, kush vihet në rrugë për të kërkuar Jezusin e gjen:
“Të kërkojmë, të gjejmë. Mund t’i marrim nga Ungjilli këto dy fjalë e t’i kemi si udhërrëfyese për vitin e ri… Të jetë dishepull i Krishtit: kjo i mjafton të krishterit. Miqësia me Mësuesin i siguron shpirtit, paqen e thellë e të qetë edhe në çastet më të errta e në sprovat më të rënda. Kur feja përplaset me netë të errta, ku nuk “ndihet” e nuk “shihet” prania e Zotit, miqësia me Jezusin na garanton se në të vërtetë, asgjë nuk mund të na ndajë kurrë nga dashuria e Tij” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 15 janar 2006).







All the contents on this site are copyrighted ©.