2011-01-15 18:53:28

Gjon Pali II shpallet i lum më 1 maj 2011. Editorial i atë Federiko Lombardit


Papa Gjon Pali II do të shpallet i Lum, më 1 maj të këtij viti. Festa, që i hap kështu rrugën shenjtërimit të tij, bie pikërisht në të dielën e Mëshirës Hyjnore, e kremte, që Karol Vojtila e deshi fort dhe e themeloi vetë. Benedikti XVI nënshkroi të premten, dekretin, me anë të të cilit njihet një mrekulli, bërë me ndërhyrjen e Gjon Palit II. Këtij argumenti, ia kushton komentin javor zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë:...........RealAudioMP3
“Me miratimin, nga ana e Papës, të dekretit për një mrekulli, që ka ndodhur me ndërhyrjen e Shërbëtorit të Zotit Gjon Pali II hapet rruga për lumnimin e tij. Kisha pranon kështu, se Karol Vojtila ka dhënë dëshmi të jashtëzakonshme dhe shembullore për jetën e krishterë, se është mik dhe ndërhyn në ndihmë të popullit në rrugë për t’iu drejtuar Zotit e për ta takuar.
Sado të jashtëzakonshme, nuk janë aq veprat e Gjon Palit II, që sot na tërheqin vëmendjen, por burimi shpirtëror nga rridhnin, feja e Papës, shpresa e tij, bamirësia e dashuria e tij.
Veprat i admirojmë, pikërisht sepse janë shprehje e thellësisë dhe e vërtetësisë së marrëdhënieve të tij me Hyjin, të dashurisë së tij për Krishtin e për të gjithë njerëzit, duke filluar nga më të varfërit e më të dobtit; janë shprehje e marrëdhënieve të tij birnore e të ëmbla me Nënën e Jezusit. E kujtojmë përmes çasteve të lutjes së gjatë e të thellë, përmes dëshirës së tij për të kremtuar e shpallur Krishtin, shëlbues e shpëtimtar i njeriut, të cilin donte ta njihnin e ta donin të rinjtë dhe e gjithë bota; përmes takimeve të tij plot dashuri me të sëmurët e të vuajturit, kur vizitonte popujt më nevojtarë për ushqim e drejtësi; e së fundi, përmes përvojës së vuajtjes personale, aq të vërtetë e plot durim, përmes sëmundjes së përjetuar me fe, para Zotit e para ne të gjithëve. Jeta dhe papnia e tij përshkohen nga pasioni për t’ia bërë të njohur botës mbarë – botës së historisë sonë dramatike në kapërcyellin e mijëvjeçarëve – madhështinë ngushëlluese dhe entuziazmuese të mëshirës së Zotit: për këtë ka nevojë bota. Prandaj, me të drejtë, do të kremtojmë me gëzim lumnimin e tij solemn, në ditën kur ai vetë deshi që e gjithë Kisha ta drejtojë vështrimin e lutjen kah kjo Mëshirë Hyjnore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.