2011-01-14 15:46:04

Patriku i Jeruzalemit: Toka e Shenjtë, Tokë e Kalvarit, i ndan barbarisht besimtarët


(14.01.2011 RV)“Jeruzalemi vijon të jetë epiqendra e mbarë botës, vijon t’i mbledhë të gjithë ata, që besojnë në Zotin, nga të katër anët e Planetit e që vijnë këtu çdo ditë për t’u lutur. Por vijon edhe t’i ndajë, madje në mënyrë barbare: jemi Kishë e Kalvarit, na takon të vuajmë”. Këtë theksoi Patriku i Jeruzalemit, Fuad Tual, në fjalimin e mbajtur pranë Universitetit Enna, në një ceremoni, gjatë së cilës iu dorëzua Laura honoris causa në drejtësi. Në qendër të fjalimit, situata gjithnjë e nderë në Lindjen e Mesme.
I pyetur a beson se një ditë edhe kjo Tokë e Shenjtëruar nga Jezu Krishti, do të ketë, më në fund, liri të plotë fetare, Patriku u përgjigj: “Liria fetare është liria e parë. U prin të gjitha lirive. Është edhe e drejta e parë, që ka çdo njeri. Prej këndej, e ndjejmë fort nevojën që të krishterët, më në fund, ta gëzojnë plotësisht, sepse u përket.
Më pas, Patriku i Jeruzalemit, duke folur për shpresën, shpjegoi se nuk duhet të mungojë kurrë, sepse besimtarët nuk janë vetëm mbi tokë. Aq më shumë, besimtarët e Tokës së Shenjtë . “Së pari, me ne është vetë Zoti, nënvizoi Patriku, e në Të, kemi shumë miq, nga të katër anët e botës, kemi shumë dashamirë, shumë dashuronjës të paqes e të Tokës së Shenjtë, që vijnë e na ndihmojnë: gjithnjë pranë nesh e gjithnjë solidarë. Nuk jemi vetëm! Pastaj ne, barinjtë e grigjës, nuk kemi të drejtë ta humbasim shpresën, të dëshpërohemi. Jemi këtu për t’u dhënë zemër besimtarëve tanë, për t’i mbushur me shpresën, që buron nga vetëdija se Zoti është gjithnjë me ne, nuk na braktis kurrë!”.
Më pas, pyetja: “A persekutohen besimtarët në Tokën e Shenjtë?
“Vuajmë nga keqtrajtimi, por jo nga persekutimi. Persekutimi ndjehet vetëm kur përfshihet në vijën politike të qeverive. Prandaj e përsëris se kemi shumë nevojë për mirëkuptim, e jo për moskuptim, e aq më pak, për keqkuptim. E jo vetëm në Lindjen e Mesme, por kudo që ndjehet rreziku i trazirave, si ato që shpërthyen kohët e fundit në Tunizi. Përsa i përket Jordanisë, Patriku theksoi me forcë: “Në Jordani nuk duam as ta kujtojmë fjalën çrregullim. Jordania është i vetmi vend i Lindjes së Mesme, ku ka më shumë stabilitet. E këtë e tregon qartë fakti se të gjitha takimet ndërkombëtare janë zhvilluar në Aman. Kemi qeveri të fortë e njerëz të drejtpeshuar. Në se do të shpërthenin edhe këtu trazirat, do të ishin pasojë e infektimit ndërmjet popujve”. Në përfundim, imzot Tual kujtoi: “Kam qenë 13 vjet në Tunizi. E kuptoj mirë gjithçka po ndodh. Situata, të cilën e ndjek nga afër, është vërtet e trishtuar. Të gjithë vuajnë, por më shumë se të gjithë, ata që nuk kanë asgjë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.