Të panumërta ndërhyrjet e Gjon Palit II për fatet e Kosovës e të shqiptarëve të krahinës,
sidomos në vitet 1998-99, në çaste më dramatike për vendin e popullsinë. 8 mars
1998: në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa shpreh shqetësimin për situatën dramatike
në Kosovë dhe lutet për popullsitë e munduara. 7 qershor 1998: – Papa i bën thirrje
bashkësisë ndërkombëtare për paqe në Kosovë, prej nga vijojnë të vijnë lajme që flasin
për acarimin e situatës: “Jo larg nesh – thekson Papa – në Kosovë, opsionet e dhunshme,
shtypja, ikja e popullsive nuk mund të mos e shqetësojnë bashkësinë ndërkombëtare,
me bindjen se kërkimi i rrugëzgjidhjeve paqësore, të vendosura në tryezën e bisedimeve,
kërkojnë durim e guxim”. 9 gusht 1998: – në audiencën e përgjithshme të së mërkurës,
Ati i Shenjtë shprehet: “Mendoj posaçërisht për banorët e Kosovës, ku dhuna dhe kushtet
e jetesës të popullsisë vijojnë të bëhen gjithnjë më dramatike”. 4 tetor 1998:
- Gjatë lutjes të Engjëllit të Tënzot, Papa i këshillon palët në konflikt të ecin
në rrugën e dialogut, ndërsa i kërkon bashkësisë ndërkombëtare të mos qëndrojë duarkryq,
por të japë ndihmesën e vet që vlerat si mirëkuptimi, respekti reciprok, falja e pajtimi
t’i zënë vendin dhunës e shkatërrimit. 9 nëntor 1998: - Selia e Shenjtë shpreh
shqetësimin e saj thellë për ndërhyrjen e mundshme të armatosur të Natos në Kosovë.
Imzot Tauran, Sekretar i Shtetit të Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, kujton
fjalët e shqiptuara një të diel më parë në Split nga Gjon Pali II, pikërisht për gjendjen
në Kosovë: “Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i japë sa më shpejt ndihmën e vet Kosovës”.
25 dhjetor 1988: - Në natën e Krishtlindjes 1998 drama e Kosovës është sërish
në qendër të vëmendjes së Papës. *** 3 janar 1999:
- Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Gjon Pali II thekson dramën e Kosovës, duke pohuar:
“Drama e Kosovës, ku natën e Krishtlindjes pati ndeshje të reja të armatosura, është
përherë e pranishme në zemrën time”.
11 janar 1999: - Ati i Shenjtë ndalet
te situata në Kosovë gjatë takimit me Trupin Diplomatik akredituar pranë Selisë së
Shenjtë, për shkëmbimin e urimeve të vitit të ri, duke theksuar: “Duhet bërë ç’është
e mundur për t’i ndihmuar kosovarët e serbët të ulen në tryezën e bisedimeve, në mënyrë
që t’i jepet sa më shpejt fund mosbesimit të armatosur, i cili paralizon e vret”.
15
janar 1999: - Duke pritur në audiencë kryeministrin e Shqipërisë, Pandeli Majko, Gjon
Pali II u ndal tek domosdoshmëria për gjetjen e rrugëzgjidhjes paqësore në Kosovë
dhe tek gjendja e refugjatëve. Detyra kryesore – u theksua – është të ndahen kundërshtarët
e të çarmatoset agresori; e këtë duhet ta bëjë ai që ka mundësi për ta bërë, dmth
bashkësia ndërkombëtare. Pastaj, me afate të mesme e të gjata, do të jetë e nevojshme
të rivendoset “respektimi i marrëveshjeve” e të ndihmohen serbët dhe shqiptarët të
pajtohen”. 20 janar 1999: - Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Papa bën
thirrje për paqe në Kosovë. 21 janar 1999: - Ati I Shenjtë shtron për zgjidhje
problemin e Kosovës në një telegram drejtuar ipeshkvijve jugosllavë. Përballë ashpërsimit
të krizës – shkruan – e ndjej për detyrë t’u shpreh të gjithë njerëzve të munduar,
afërsinë time atërore, ndërsa u bëj thirrje sërisht udhëheqësve të jetës publike
t’i japin fund spirales së dhunës e të kërkojnë rrugën e dialogut ndërtimtar, duke
respektuar të drejtat e patjetërsueshme të çdo njeriu”. 11 shkurt 1999: - Në
emër të Papës, kardinali Angelo Sodano, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij,
bisedon me kryeministrin italian, Massimo d’Alema, mbi krizën në Kosovë dhe mbrojtjen
e të drejtave të njeriut, të lirisë fetare e të paqes në vend. 22 shkurt 1999:
- publikohet një Komunikatë e sallës së Shtypit të Vatikanit mbi qëndrimin e Selisë
së Shenjtë, përmes së cilës, pasi vihen në dukje ndërhyrjet e panumërta të Selisë
Apostolike dhe personalisht të Papës Gjon Pali II, urohet të gjendet akoma një rrugëzgjidhje
paqësore e afatgjatë që t’i japë fund konfliktit. 21 mars 1999: - Gjatë lutjes
së Engjëllit të Tënzot, Shenjtëria e Tij flet për situatën e tensionuar në Kosovë
dhe i fton besimtarët të luten për bashkësinë shqiptare, që ka përshkuar një udhë
të vërtetë kryqi e prandaj ka të drejtë të presë rrugëzgjidhje, që respektojnë historinë
dhe të drejtën e saj. 24 mars 1999: - Në audiencën e përgjithshme Papa dënon sulmin
ajror mbi Kosovë dhe i lutet Zotit për dhuratën e paqes në Krahinë e në mbarë Evropën; 26
mars 1999: Në kapelën e Tij Private, Gjon Pali II Lutet për paqen në Ballkan; 28
mars 1999: gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të së Dielës së Larit, Ati I Shenjtë
ngre zërin duke theksuar se është me popullin që vuan dhe u bën thirrje të gjithëve:
Është ora e paqes! Mbi forcat e urrejtjes, duhet të ngadhënjejnë vëllazërimi e mirëkuptimi.
Qofshin këto gema ulliri simbol i paqes që e dëshirojnë aq shumë popullsitë e zonës
ballkanike – uron Papa. Fillon ndërkaq ndërmjetësia e Vatikanit për paqen në Kosovë.
Më
31 mars 1999: - Papa dërgon në Shqipëri Imzot Cordes, kryetar i Këshillit Papnor Cor
Unum, organizëm i Vatikanit, i caktuar për të asistuar refugjatët e për t’u shpërndarë
ndihmat humanitare. Në mesazhin dorëzuar Prelatit për refugjatët kosovarë, thekson:
Fëmijëve, nënave, pleqve që do të takosh, thuaju se Papa është me ta e me ta do të
jetë përherë, derisa të gëzojnë një paqe të drejtë e të qëndrueshme. Tepër gjak e
tepër lot ka parë të rrjedhin kjo popullsi gjatë gjithë shekullit XX. Ndërsa më
1 prill 1999 dërgon Imzot Jean Louis Tauran, sekretar i Shtetit të Vatikanit për marrëdhëniet
me shtetet, në Beograd, me një mesazh të posaçëm për Presidentin e Republikës Federale
të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç.
2 prill 1999: - Në përfundim të Udhës
së Kryqit në Koloseo, të Premten e Madhe, Gjon Pali II pohon: “I përbuzur e i dëbuar
është Krishti në njeriun e munduar e të vrarë në luftën e Kosovës dhe kudo që ngadhënjen
kultura e vdekjes”.
4 prill 1999: - Në Mesazhin e Pashkëve, Papa kujton situatën
në Kosovë, falënderon dhe uron të gjithë ata që u qëndrojë pranë refugjatëve, duke
i mirëpritur e duke i ndihmuar.
5 prill 1999: - Në të Hënën e Engjëllit, gjatë
lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Gjon Pali II bën thirrje për ndihmë ndërkombëtare
në Kosovë, ku – siç shprehet - kambanat nuk kanë rënë për festë e ku vijon shkatërrimi,
shpërngulja e vdekja.
9 prill 1999: - Ati i Shenjtë u bën thirrje autoriteteve
të Republikës Federale të Jugosllavisë të lejojnë hapjen e një korridori humanitar,
për të krijuar mundësitë të arrijnë ndihmat në kufirin e Kosovës, ku qenë grumbulluar
masa të mëdha kosovarësh. Për solidaritetin nuk ka kufij – thekson Papa – por duhet
të ketë gjithnjë korridore shprese. 11 prill 1999: - Duke uruar besimtarët ortodoksë
me rastin e Pashkëve, Shenjtëria e Tij kujton se në ato ditë sytë e besimtarëve ishin
plot me vdekje, prandaj bën thirrje që të heshtin armët e të rifillojë dialogu. 18
prill 1999 – Gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës, Papa përsërit thirrjen
për paqe në Kosovë e në Jugosllavi. 22 prill 1999: - Duke pritur në audiencë Fondacionin
Gorbaçov, Ati i Shenjtë rikujton nevojën për ndërhyrje në favor të paqes në Kosovë,
sepse situata e luftës rrezikon të destabilizojë gjithë Ballkanin. 27 prill 1999:
- Në një letër personale drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Papa shkruan:
“Selia e Shenjtë e vlerëson shumë faktin që Organizata të luajë rolin kryesor në zgjidhjen
e një krize në të cilën është përfshirë mbarë bashkësia ndërkombëtare. Është urgjente
që zëri i ligjit dhe i institucioneve të mos shuhet nga zëri i armëve. 2 maj 1999:
gjatë Lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Gjon Pali II bën thirrje për stabilizimin e
situatës në Ballkan. 10 qershor 1999: - Publikohet një Deklaratë e Sallës së Shtypit
të Vatikanit mbi tërheqjen e serbëve nga Kosova, nënshkruar në Kumanovë nga gjeneralët
e Natos e të Beogradit. Kjo Deklaratë shënon edhe përfundimin e konfliktit. 4 tetor
1999: Gjatë vizitës në Kroaci, Papa i përshëndetë në gjuhën shqipe shqiptarët që jetojnë
në vendin ballkanik. 6 tetor 1999: - Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës
në Vatikan, Gjon Pali II falënderon shtegtarët e gjuhës italiane për sensibilizimin
e opinionit publik lidhur me nevojat e popullsive të Kosovës, të sprovuara rëndë nga
konflikti.