Kuvendi i Abërit mbrojti identitetin kombëtar e fetare të shqiptarëve
Si sot më 14 e 15 janar të vitit 1703 në Mërqi afër Lezhës u organizua Kuvendi
i Arbërit, Koncili i Kishës Katolike në trojet Shqiptare me dëshirën e Papës Klementit
XI Xhanfrançesk Albanit, me prejardhje shqiptare, i cili këtë ngjarje të madhe kishtare
e kombëtare ia besoi kryeipeshkvit të asaj kohe të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviçit. Eshtë
thënë se Kuvendi apo Koncili i Kishës katolike i trojeve shqiptare u mbledh në një
situatë tejet të vështirë: populli shqiptar, këndej të krishterët e në mënyrë të posaçme
katolikët, pësonin trysnin e sundimit otoman, që dalëngadalë, por me vendosmëri e
në mënyrë sistematike punonte për kalimin e popullsisë shqiptare në fenë islame.
Të
joshur nga premtimet dhe lehtësirat që turqit krijonin e u jepnin myslimanëve, një
pjesë e mirë e shqiptarëve kaloi në fenë islame, ose mbeten të krishterë të fshehtë,
do të thotë që në shtëpi e mbanin fenë dhe doket e krishtera, derisa në jetën publike
paraqiteshin si myslimanë e kishin edhe nga dy emra. Eshtë fjala për ‘kriptokatolikët’
apo ‘laramanët’, fenomen ky ende sot e kësaj dite i pranishëm në disa zona të Kosovës
siç është ajo e Karadakut afër Gjilanit e Vitisë apo në zonë të Istogut e të Mallishevës
Ky fenomen apostazie u dënua nga Kuvendi i Kishës së Arbërit.
Ndërsa, përsa
i përket Kishave, perandoria otomane fillimisht nuk i prishte, por as nuk lejonte
që të bëheshin meremetime, apo të ndërtoheshin Kisha të reja, duke e kufizuar e më
vonë duke ndaluar jetën dhe veprimtarinë e Kishave, e si pasojë erdhi deri te rrënimi
i pashmangshëm i sa e sa Kisha e kuvendeve rregulltare - manastireve të krishtera
në trojet shqiptare. Përveç aspektit shpirtëror, këndej fetar, luftimi i Kishave nga
turqit ishte edhe luftim kundër orientimit të shqiptarëve drejt kulturës perëndimore
evropiane.
Në kushte të këtilla, pra, mblidhej Kuvendi apo Koncili Kishtar
Kombëtar Shqiptar në Mërqi më 14 e 15 janar të vitit 1703, në të dielën e dytë pas
Krishtlindjes, në Kishën e shën Gjon Pagëzuesit. Qe pikërisht kryeipeshkvi imzot Zmajeviçi,
ai që e mbajti fjalën e hapjes së këtij Koncili vendor kishtar. Në të bie në sy gëzimi
dhe shpresa që, pas kaq shekush të tiranisë turke, u bë e mundur një mbledhje e tillë.
Njëkohësisht, imzot Zmajeviçi u kujtoi të gjithë ipeshkvijve pjesëmarrës të Kuvendit
të Arbërit detyrën që të kujdesën me të gjitha forcat për ringjalljen e jetës fetare
të popullit, e të punojnë për përtëritjn e rritjen e klerit si dhe për lirinë e kultit
e të popullit.
Kujtojmë se në Kuvendin e Abërit, episkopati shqiptarë, në
njëren anë analizoi aspektet e brendshme kishtare: administrimin e Sakramenteve, lirinë
fetare e të kultit, reformën e zakoneve e tjera dhe në anën tjetër gjendjen e popullsisë
në realitetin shoqëror nën sundimin otoman me të gjitha problemet e rënda që përjetonte
çdo ditë.
E vendimet e Kuvendit të Arbërit qenë të rëndësishme pikërisht për
rregullimin e brendshëm të jetës dhe veprimtarisë kishtare, për ringjallërimin e fesë
dhe në anën tjetër për nxitjen drejtuar popullsisë shqiptare për mbrojtjen e vlerave
dhe të identitetit kombëtar para pushtimit e sundimit shkatërrimtar otoman. Ky Kuvend
kishtar, pra, mori në shqyrtim dhe mbrojti dy çështjet më jetike për shqiptarët: identitetin
fetar e identetitin kombëtar shqiptar.
Në përfundim, vendimet e Koncilit, shkruar
në shqip e latinisht nga vetë Imzot Zmajeviçi, iu paraqitën për shqyrtim Papës dhe,
pas miratimit më 28 janar 1704, u botuan nga Propaganda Fide nën titullin "Kuvendi
i Arbnit o Koncili Provinciall i mbledhun Vjetit mijë shtaqind e tre ndenë Shqiptarin
Klementin XI papë Pretëmadhin". Imzot Zmajeviçi i përcillte dokumentet me letrën
që vijon, përmes së cilës shihet qartë se kleri shqiptar i qëndroi pranë në gaz e
në vaj popullit të vet dhe i parapriu rilindjes së tij kombëtare. Me që kanë kaluar
pothuajse mbi treqind vjet që kur u shkrua, u detyruam ta prekim paksa gjuhën e saj,
për ta bërë të kuptueshme për lexuesin: “Urdhnove, o i Lumtuni Atë, me të vizituem
Apostolik, të vërej mbi Kishat e Arbënisë së provinçës seme. Ju binda urdhënit; ju
solla dheut; kërkova rruzullimin; pashë plagët e tij. Pashë, - uh, ç'dhimbje, - vu
nën haraç atë që dikur kje despoti i Provincjave; (pashë) (Shypninë) Zonjën e gjindëve
ndrydhë nën thember, me dhimbje të idhta; shqytin e trimave – shembë; murin e forcës
sonë – rrenue! Pashë gjindt, hy në vend shenjt; kishat, të flligta; lterët përlye.
Mezi pashë vend ku të mundej populli me u mbledhë në kuvend! Pashë pleqtë tue ulurue;
Meshtarët, shërbëtorët e Hyjit, tue gjimue; çobantë, vra; dhentë tretë, tue u shpërnda
dy udhëve; murtajën, që pa mëshirë i çoroditëte të gjithë; e plasjen e mortaisun,
që trimnohej për të gjanë e për të gjatë. Këto pashë e gjimova! U përzien përmbrendcat
e mia prej dhimbe për popullin tem e m'u coptuen, tek shihshe mundimet e bijve që
po mbyteshin. Tue pamë këta, thashë, populli em u ba rob, përse s'pat dijen. Tue ankue
kaq të këqija e ngushtica të paudha, edhe mue më shtrëngoi ngushtica; por, për sa
paçë fuqi, nuk lashë ilaç pa përdorë. Nevoja e lypte me gjetë shtigje ma të mira se
vizita, as lente moti me e shtymë. Ndihma ma e madhe do të ishte mbledhja e Konçilit.
Këtu i përqëndrova fuqitë, këtu ngula mendtë, tue ia himë, pa rrenë, një pune ma të
randë se kishe fuqinë. Po Ai, që i ka ndihmue vëllazënt tanë, që ishin përdamë nëpër
rruzullim të Fesë, më ndihmoi edhe mue në këtë vend. As detyra që kam, si çoban i
shpirtnave, as kujdesi i fortë, që kam për të krishtenët e as mendët e mia të pa afta,
nuk do të mujshin me e krye një detyrë kaq të randë. Po Hyji, i cili ndërron motnat
e doket, që ep të rritunit e mbaron gjithë punët, Ai bani që një detyrë kaq e vështirë
të kryhej si pata dëshirue. Nën hije Tande, o i Lumtun Atë, po gëzon dheu Arbënesh
e mbas ndërrimit të motit ngrihet, sikur të kishte kenë i mbuluem me njegull, tashti
nën papën arbënesh, që latinisht don me thanë i bardhë – e del në dritë, e me zemër
të mirë shpejton me mërrijtë përsëri në lumni të shkueme. Mendja e Atit, e cila asht
ma e madhe se rrethi i shekullit, i uron me dashtëni të TinZot këtë lumni dheut tonë;
për t'iu falë nderës zemrës gazmuese, vijnë si për dhanti në shatorre Apostolike,
në katedër të dijes qiellore, Dekretet e Sinodit të Proviçjes Arbëneshe, në mënyrë
që, në paçin gabime, të qortohen me fjalë Tande. Unë, pra, në paça gabue si Prelat
Arbënesh, vij te magjisteri i Pjetrit me u qortue; e nuk më vjen marre me i kthye
ndryshe fjalët. Nuk kanë kurrfarë vlere veprat tona të errta; asgja nuk vlejnë Dekretet,
në se nuk mbështeten mbi Gurin e palëkundun; e si të jenë provue mbi gurin e fortë,
të forcohen me profeci të pushtetes sate. Pëlqe, pra, o i Lumtuni Atë, dhantitë
e nderimet e përvujta, sheje të Kombit tem, por ma fort tandit. E, n'e pashë se ndokund
puna duhet lëmue, godite e ndreqe me gjykimin e shenjtnueshëm e të pagabueshëm… Po,
sepse kështu këto pak të falna, që përkojnë me vobësinë tonë, me gjykimin e hyjnueshëm
pagabim kanë për t'u shumue fort. E ndërkaq unë, me vëllazën të mij të tjerë të Arbënisë…
lusim Hyjin t'ju ruejë Ju, Papën Arbënesh Pretmadhin, për shumë mot në Kishë e edhe
ne të na ruejë shëndosh pa kurrnjë të keqe… Shkrue në Perastti, ditën e dhetë të
korrikut, në vjetë të Krishtit njimië e shtatqint e tre. Marrë nga “Concilli i ZÉUT
‘SCCIPNIIS” Bot. III N’Rom, me sctamp T’ Cuvenit S. T’ PROPOGANDS, 1878 – FQ XI Po
radhisim më poshtë klerikët që nënshkruan Konçilin e Parë të Shqipërisë, mbajtur në
Merqi në vitin 1703 nën kryesinë e Shkelqësisë së Tij, Imzot Vincenc Zmajeviq, arqipeshkëv
i Tivarit: Imzot Vincenz Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit, Primat i Serbisë, Vizitator
apostolik në Shqipni. Imzot Pjeter Karagjiku, arqipeshkëv i emnuem i Shkupit. Imzot
Gjergji, Ipeshkëv i Zadrimës. Imzot Nikollë Vladanji, ipeshkëv i Lezhës. Imzot
Ndue Babi, ipeshkëv i emnuem i Shkodrës. Imzot Marin Gjini, ipeshkëv i zgjedhun
i Pultit. Atë Fra Egjidi de Arsenta, Prefekt Apostolik i Misioneve t'Arbënisë. Atë
Fra Frano Maria a Lycio, Prefekt Apostolik i Misioneve të Maqedonisë. Atë Fra Martini
nga Gjonima (Gjonmi), i pari i Provinçes së Fretënve.
Materialet e punimeve
të Kuvendit të Abërit u hartuan nga imzot Vinçenc Zmajeviçi dhe u botuan në Romë më
1706. Botimi i dytë, me disa shtesa latinisht, u botua në Romë i përkthyer nga dora
e shkrimtarit të njohur shqiptar, dom Engjëll Radojës më 1868. U përsërit nga i njëjti
shkrimtar më 1872. Rëndësi e dorës së praë iu dha qartësisë së gjuhës, në mënyrë që
dekretet e Kuvendit Kishtar të ishin sa më të kuptueshme për masat e popullit.
Botimi
shqip i punimeve të Kuvendit të Arbënit çmohet porsi i pari botim aktesh kishtare
sinodale në gjuhën shqipe, me sa dihet deri më sot. Ato dalin nga një mbledhje e nivelit
të lartë sinodal për Shqipërinë veriore e të mesme. Në këto akte gjejmë një metrial
shumë të çmueshëm për gjendjen e vështirë ekonomike të shqiptarëve në atë kohë, për
gjeografinë, për çështjet e shkollimit, për situatën e lirisë njerëzore e fetare,
për të drejtat themelore njerëzore që u mohoheshin sistematikisht e me një tragjedi
të mirëmenduar të turqve. Teksti shqip i Kuvendit të Arbenit është një dëshmi
e rëndësishme e 1706-es për historinë e shkrimit të shqipes, e po kështu ka edhe vlera
të mëdha për historinë dhe gjuhën e shqiptarëve.