2011-01-14 15:45:53

Familja, jeta, puna: në qendër të vëmendjes së Papës gjatë takimit me përfaqësuesit e Zonës së Lacios, të Komunës e të Provincës së Romës.


(14.01.2011 RV)Politika organike për familjen dhe garanci për gratë, që t’u sigurohet mundësia e përkimit ndërmjet detyrave të familjes e të punës. Këtë u kërkoi Papa përfaqësuesve të institucioneve të Zonës së Lacios, të Komunës e të Provincës së Romës, të cilët i priti sot në audiencë, në Vatikan.
Papa kërkoi për familjen politika organike, që nuk kufizohen me propozimin e rrugëzgjidhjes së problemeve, por që kanë si qëllim fuqizimin dhe zhvillimin e familjes, shoqëruar me veprimtari të përshtatshme edukative.
Familja është djepi i parë i shoqërisë, në të cilin fëmijët mësojnë vlerat themelore:
“Në familje fëmijët mësojnë vlerat njerëzore e të krishtera, që janë në bazë të bashkëjetesës paqësore. Në familje mësohet solidariteti ndërmjet breznive, respektimi i rregullave, falja e mirëkuptimi me tjetrin. Në shtëpinë e tyre të rinjtë provojnë së pari dashurinë e prindërve, zbulojnë ç’është dashuria e mësojnë të duan”.
Benedikti XVI nënvizoi veprimtarinë edukative, për të kujtuar, më pas, disa aspekte të krizës së familjes, që nganjëherë, për fat të keq, përfundojnë edhe me akte dhune. E duke rikujtuar vlerat, Benedikti XVI nënvizoi se fëmijët duhen mësuar ta jetojnë dashurinë si dhurim të vetvetes, të kenë një vizion të lartë për seksualitetin, ta shikojnë atë si burim të jetës së re:
“Dashuria njerëzore – tha Papa – nuk duhet katandisur në mall tregu. Përkundrazi, duhet perceptuar e duhet jetuar si përvojë themelore, që i jep kuptim jetës”.
E pastaj, vetë jeta: “Shumë çifte dëshirojnë me gjithë zemër të kenë dhuratën e fëmijëve, por u duhet të presin, sepse – shpjegoi Papa – nuk i kanë mjetet, për ta realizuar këtë dëshirë:
Është e nevojshme të ndihmohen konkretisht nënat, ashtu si është e domosdoshme t’u sigurohet grave, që punojnë në sfera të ndryshme, mundësia e përkimit ndërmjet detyrave të familjes e atyre të punës. Shumë herë, ata duhet të zgjedhin njërën nga të dyja. Zhvillimi i politikave të përshtatshme të ndihmës, ashtu si edhe strukturat e caktuara për fëmijët, si çerdhet e kopshtet, edhe këto të drejtuara nga familjet, mund të ndihmojnë që prindërit të mos i shikojnë fëmijët si problem, por si dhuratë e si gëzim”.
Më pas shqetësimi për numrin e madh të aborteve, që praktikohen në zonën e Lacios. Papa kërkoi që këshillimoret të jenë në gjendje t’i ndihmojnë gratë për t’i kapërcyer situatat, të cilat mund t’i çojnë në ndërprerjen e shtatzanisë. Për të shprehur, më pas, vlerësimin për ligjin në fuqi në Zonën e Lacios, që e konsideron fëmijën e sapo zënë, pjesëtar të familjes.
E akoma, jeta, në qendër të fjalëve të Papës, posaçërisht kushtuar pleqëve, parë si pasuri e madhe për shoqërinë. Benedikti XVI kërkoi respektimin e jetës deri në perëndimin e saj të natyrshëm, kërkoi që të moshuarit të mos mbeten kurrë vetëm:
“Njohuritë e tyre, përvoja e dija e tyre janë pasuri e madhe për të rinjtë, të cilët kanë vërtet nevojë për mësues jete”.
Pastaj, mendimi i Atit të Shenjtë shkoi tek kriza e rëndë, e vazhdueshme ekonomike, si dhe tek problemi tejet acaruesi punësimit:
Të rinjtë, posaçërisht, që pas viteve të përgatitjes nuk kanë asnjë mundësi të gjejnë punë, të radhiten në shoqëri e të planifikojnë ardhmërinë, e ndjejnë veten të zhgënjyer e tundohen deri në atë pikë, sa ta refuzojnë vetë shoqërinë. Zgjatja e situatave të tilla shkakton, pastaj, tensione shoqërore, që shfrytëzohen nga organizatat kriminale për të propozuar veprimtari të paligjshme”.
Prej këndej, thirrja:
“Është urgjente që, ndonëse në një çast të vështirë, të bëhen të gjitha përpjekjet për promovimin e politikave të punësimit, që mund t’u sigurojnë të rinjve punë e jetesë dinjitoze, kushte të domosdoshme për krijimin e familjeve të reja”.
Familja, jeta, të rinjtë, puna: terma që vijojnë të lidhen në mënyrë të pazgjidhshme ndërmjet tyre!







All the contents on this site are copyrighted ©.