Atë Lombardi: Papa Vojtila lidhet me Festën e Mëshirës Hyjnore. Varri do të transferohet
në Bazilikën e Shën Pjetrit.
(14.01.2011 RV)Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi,
në takimin me gazetarët, u ndalua posaçërisht tek data e lumnimit, duke shpjeguar
pse u zgjodh pikërish 1 maji për ceremoninë e lumnimit të Gjon Palit II. Gjon pali
II do të shpallet i Lum më 1 majin e ardhshëm, të Dielën e Mëshirës Hyjnore. Atë Lombardi
kujton rëndësinë e kësaj feste në Liturgji: “Është dita që tashmë liturgjikisht
përqendrohet tek temat e mëshirës, sepse lidhet me dukjen e Jezusit në Çenakull, me
zemër të hapur, si dhe me themelimin e Sakramentit të Rrëfimit e të Pendesës. Është,
pra, e diela në të cilën Liturgjia flet shumë për përdëllimin e Zotit, të manifestuar
nga Krishti Jezus”. E, duhet kujtuar, Papnia e Gjon Palit II është thellësisht
e lidhur me temën e Mëshirës Hyjnore: “Gjon Pali II është ai që e themeloi,
që e shpalli këtë të dielë – të dielën pas Pashkëve – të Dielë të Mëshirës Hyjnore.
Në këtë të dielë e kanonizoi edhe apostullen e madhe të Mëshirës Hyjnore, Motrën Faustina
Kovalska”. E pasi kujtoi shenjtërimin e Motër Faustinës, më 30 prill të
vitit 2000, Atë Lombardi nënvizoi se tema Mëshirës Hyjnore është tejet e pranishme
edhe në shumë fjalime e tekste të ndryshme të Papës Gjon Pali II. Në mënyrë të posaçme,
në Enciklikën “Dives in Misericordia”: “Kjo prani e temës së teologjisë së
Mëshirës Hyjnore, e përshpirtërisë së Mëshirës Hyjnore, përshkon gjithë jetën e tij;
prej këndej, edhe “Dives in Misericordia. E pastaj duhet kujtuar edhe shtegtimi i
tij në Poloni, në vitin 2002, kushtimi e shugurimi i shenjtërores së Mëshirës Hyjnore,
në Lagievniki, vend ku jetoi motër Faustina e ku shkoi edhe Papa. Me këtë rast Gjon
Pali II ia besoi mbarë botën Mëshirës Hyjnore”. Drejtori i Sallës së Shtypit
të Vatikanit njoftoi edhe se trupi i Gjon Palit II do të mbartet nga Kripta e Vatikanit,
në Bazilikën e Shën Pjetrit: “Arkivoli i Atit të Shenjtë do të mbartet nga
Kripta e Vatikanit, pa u hapur – në kapelën e Shën Sebastianit”. Në përfundim
atë Lombardi saktësoi se nuk është vendosur akoma data e kujtimit liturgjik, që do
të bëhet e njohur pas lumnimit. Kjo ditë, në të cilën Kisha do të kremtojë kujtimin
e të Lumit Gjon Palit II, do të vendoset nga Kongregata për Kultin Hyjnor.