308 vjet më parë, në Mërqi të Lezhës, mblidhej Kuvendi i Arbënit
(14.01.2011 RV)308 vjet më parë, në Kishën e Shën Gjonit të Merqisë, tri kilometra
në veri të Lezhës, nën drejtimin e Imzot Vinçenc Zmajeviçit, mblidhej Kuvendi i Arbënit,
apo mbledhja e parë e Klerit të lartë katolik shqiptar, me rëndësi të jashtëzakonshme
për fatet e Kishës katolike në trojet shqiptare e të gjuhës shqipe. Ishte data 14
janar e Kuvendi do të vijonte edhe të nesërmen. Më 28 janar të vitit të largët
1704 Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve, që njihej me emërtimin latin "Propaganda
Fide" miratonte botimin e dokumenteve të këtij Konçili. Askohe në fronin e Shën
Pjetrit ishte ulur Papa shqiptar, Kelmendi XI, i cili i pati kërkuar Imzot Vinçenc
Zmajeviçit, Kryeipeshkëv i Tivarit, të kryente vizitën kanonike në të gjitha kishat
dhe qëndrat katolike të Shqipërisë. Pas vizitës, që e kreu brenda tre muajve; në dhjetor
1703, prelati mblodhi në Kuvend kryetarët e klerit: 5 ipeshkvijtë e dioqezave të vendit
dhe provincialin e Françeskanëve. Në përfundim, vendimet e Konçilit, shkruar në
shqip e latinisht nga vetë Imzot Zmajeviçi, iu paraqitën për shqyrtim Papës dhe, pas
miratimit më 28 janar 1704, u botuan nga Propaganda Fide nën titullin "Kuvendi i Arbnit
o Koncili Provinciall i mbledhun Vjetit mijë shtaqind e tre ndenë Shqiptarin Klementin
XI papë Pretëmadhin". Imzot Zmajeviçi i përcillte dokumentet me letrën që vijon,
përmes së cilës shihet qartë se kleri shqiptar i qëndroi pranë në gaz e në vaj popullit
të vet dhe i parapriu rilindjes së tij kombëtare. Me që kanë kaluar pothuajse treqind
vjet që kur u shkrua, u detyruam ta prekim paksa gjuhën e saj, për ta bërë të kuptueshme
për lexuesin: “Urdhnove, o i Lumtuni Atë, me të vizituem Apostolik, të vërej mbi
Kishat e Arbënisë së provinçës seme. Ju binda urdhënit; ju solla dheut; kërkova rruzullimin;
pashë plagët e tij. Pashë, - uh, ç'dhimbje, - vu nën haraç atë që dikur kje despoti
i Provincjave; (pashë) (Shypninë) Zonjën e gjindëve ndrydhë nën thember, me dhimbje
të idhta; shqytin e trimave – shembë; murin e forcës sonë – rrenue! Pashë gjindt,
hy në vend shenjt; kishat, të flligta; lterët përlye. Mezi pashë vend ku të mundej
populli me u mbledhë në kuvend! Pashë pleqtë tue ulurue; Meshtarët, shërbëtorët e
Hyjit, tue gjimue; çobantë, vra; dhentë tretë, tue u shpërnda dy udhëve; murtajën,
që pa mëshirë i çoroditëte të gjithë; e plasjen e mortaisun, që trimnohej për të gjanë
e për të gjatë. Këto pashë e gjimova! U përzien përmbrendcat e mia prej dhimbe
për popullin tem e m'u coptuen, tek shihshe mundimet e bijve që po mbyteshin. Tue
pamë këta, thashë, populli em u ba rob, përse s'pat dijen. Tue ankue kaq të këqija
e ngushtica të paudha, edhe mue më shtrëngoi ngushtica; por, për sa paçë fuqi, nuk
lashë ilaç pa përdorë. Nevoja e lypte me gjetë shtigje ma të mira se vizita, as lente
moti me e shtymë. Ndihma ma e madhe do të ishte mbledhja e Konçilit. Këtu i përqendrova
fuqitë, këtu ngula mendtë, tue ia himë, pa rrenë, një pune ma të randë se kishe fuqinë.
Po Ai, që i ka ndihmue vëllazënt tanë, që ishin përdamë nëpër rruzullim të Fesë, më
ndihmoi edhe mue në këtë vend. As detyra që kam, si çoban i shpirtnave, as kujdesi
i fortë, që kam për të krishtenët e as mendët e mia të pa afta, nuk do të mujshin
me e krye një detyrë kaq të randë. Po Hyji, i cili ndërron motnat e doket, që ep të
rritunit e mbaron gjithë punët, Ai bani që një detyrë kaq e vështirë të kryhej si
pata dëshirue. Nën hije Tande, o i Lumtun Atë, po gëzon dheu Arbënesh e mbas ndërrimit
të motit ngrihet, sikur të kishte kenë i mbuluem me njegull, tashti nën papën arbënesh,
që latinisht don me thanë i bardhë – e del në dritë, e me zemër të mirë shpejton me
mërrijtë përsëri në lumni të shkueme. Mendja e Atit, e cila asht ma e madhe se rrethi
i shekullit, i uron me dashtëni të TinZot këtë lumni dheut tonë; për t'iu falë nderës
zemrës gazmuese, vijnë si për dhanti në shatorre Apostolike, në katedër të dijes qiellore,
Dekretet e Sinodit të Proviçjes Arbëneshe, në mënyrë që, në paçin gabime, të qortohen
me fjalë Tande. Unë, pra, në paça gabue si Prelat Arbënesh, vij te magjisteri
i Pjetrit me u qortue; e nuk më vjen marre me i kthye ndryshe fjalët. Nuk kanë kurrfarë
vlere veprat tona të errta; asgja nuk vlejnë Dekretet, në se nuk mbështeten mbi Gurin
e palëkundun; e si të jenë provue mbi gurin e fortë, të forcohen me profeci të pushtetes
sate. Pëlqe, pra, o i Lumtuni Atë, dhantitë e nderimet e përvujta, sheje të Kombit
tem, por ma fort tandit. E, n'e pashë se ndokund puna duhet lëmue, godite e ndreqe
me gjykimin e shenjtnueshëm e të pagabueshëm… Po, sepse kështu këto pak të falna,
që përkojnë me vobësinë tonë, me gjykimin e hyjnueshëm pagabim kanë për t'u shumue
fort. E ndërkaq unë, me vëllazën të mij të tjerë të Arbënisë… lusim Hyjin t'ju ruejë
Ju, Papën Arbënesh Pretmadhin, për shumë mot në Kishë e edhe ne të na ruejë shëndosh
pa kurrnjë të keqe… Shkrue në Perastti, ditën e dhetë të korrikut, në vjetë të
Krishtit njimië e shtatqint e tre”. Marrë nga “Concilli i ZÉUT ‘SCCIPNIIS” Bot. III
N’Rom, me sctamp T’ Cuvenit S. T’ PROPOGANDS, 1878 – FQ XI Po radhisim më poshtë
klerikët që nënshkruan Konçilin e Parë të Shqipërisë, mbajtur në Merqi në vitin 1703
nën kryesinë e Shkëlqesisë së Tij, Imzot Vincenc Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit: Imzot
Vincenz Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit, Primat i Serbisë, Vizitator apostolik në
Shqipni. Imzot Pjeter Karagjiku, arqipeshkëv i emnuem i Shkupit. Imzot Gjergji,
Ipeshkëv i Zadrimës. Imzot Nikollë Vladanji, ipeshkëv i Lezhës. Imzot Ndue Babi,
ipeshkëv i emnuem i Shkodrës. Imzot Marin Gjini, ipeshkëv i zgjedhun i Pultit. Atë
Fra Egjidi de Arsenta, Prefekt Apostolik i Misioneve t'Arbënisë. Atë Fra Frano
Maria a Lycio, Prefekt Apostolik i Misioneve të Maqedonisë. Atë Fra Martini nga
Gjonima (Gjonmi), i pari i Provinçes së Fretënve.