2011-01-13 16:40:19

Të krishterët mund të arrijnë bashkimin e plotë: ndjeti i lutjes misionare të Papës për muajin janar


(13.01.2011 RV)Gjatë muajit janar, Papa Benedikti XVI lutet që të krishterët të arrijnë bashkimin e plotë. Ky është ndjeti i lutjes misionare të Atit të Shenjtë e kjo temë do të jetë në qendër të Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, në program nga data 18 deri më 25 janar.
Bashkimi i të krishterëve e bën më të besueshëm e më të frytshëm mesazhin e Ungjillit. Është dhurata, që kërkojnë besimtarët nga Zoti, në mënyrë që historia të ndriçohet nga fjalët e Jezusit në prag të vdekjes: “Qofshin një gjë e vetme…që bota të besojë”. Detyrë e vështirë kjo, por entuziazmuese, siç kujtoi Benedikti XVI më 25 janar të vitit 2010, në përfundim të javës për bashkimin e të krishterëve:
“Fatkeqësisht, nuk mungojnë çështje, që e ndajnë njërin nga tjetri e, që shpresojmë të zgjidhen përmes lutjes e dialogut, por thelbin e mesazhit të Krishtit mund ta shpallim sëbashku: atësinë e Zotit, fitoren e Krishtit mbi mëkatin e mbi vdekjen me Kryqin dhe ringjalljen e Tij, besimin në veprën shndërruese të Shpirtit Shenjt”.
Në lutje, bashkësitë e krishtera e venë veten përballë Zotit, duke u ndërgjegjësuar për kontradiktat, që lindin nga ndarja e përçarja. Të krishterët – uroi Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme të 23 janarit 2008 – duhet ta dëshmojnë bashkimin e tyre në një botë, që vuan për shkak të mungesës së Zotit:
“Bota vuan për mugesën e Hyjit, për pamundësinë që t’i afrohet Zotit, ka dëshirë ta njohë fytyrën e Zotit. Por si mund ta njohin njerëzit e sotëm këtë fytyrë të Hyjit në fytyrën e Jezu Krishtit, nëse ne të krishterët jemi të ndarë, nëse njëri flet kundër tjetrit, nëse njëri është kundër tjetrit? Vetëm të bashkuar mund t’i tregojmë vërtet kësaj bote – e cila ka nevojë – fytyrën e Zotit, fytyrën e Krishtit”.
Sprovat e vështirësitë i shtyjnë dishepujt e Krishtit të kenë durim e të vazhdojnë rrugën e nisur, duke e kërkuar bashkimin vëllazërisht. E nuk duhet të lodhen së kërkuari, pati theksuar Papa në Lutjen e Engjëllit të Tënzot të 22 janarit 2006:
“Nëse do ta bëjmë këtë me fe, mund të jemi të sigurtë se kërkesa jonë do të dëgjohet. Nuk e dimë as si e as kur, sepse nuk na takon neve ta dimë, por nuk duhet të dyshojmë se një ditë do të jemi “një gjë e vetme”, ashtu si Jezusi dhe Ati janë të bashkuar në Shpirtin Shenjt”.
Gjatë asamblesë së përgjithshme të Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, më 17 nëntor 2006, Ati i Shenjtë shpjegoi se dialogu ndriçohet nga “ekumenizmi i dashurisë”, i bazuar në të vërtetat e fesë:
“Ai, që duhet nxitur me çdo mënyrë, është ekumenizmi i dashurisë, që rrjedh drejtpërdrejt nga urdhërimi i ri, lënë dishepujve prej Jezusit. Dashuria, e shoqëruar me gjeste koherente, krijon besim, bën të hapen zemrat dhe sytë. Dialogu i bamirësisë, për natyrën e vet, nxit dhe ndriçon dialogun e së vërtetës”.
Uniteti në Kishë i ka rrënjët në bashkimin e saj me Krishtin. Arritja e bashkimit të plotë mbështetet në lutjen e në premtimin e Jezusit, nënvizoi Benedikti XVI më 29 qershorin e kaluar, në festën e Shën Pjetrit e të Shën Palit.







All the contents on this site are copyrighted ©.