2011-01-13 18:05:13

Tunizi: Vazhdojnë trazirat. Presidenti urdhëron uljen e çmimeve.


(13.01.2011 RV)Natën e kaluar në kryeqytetin e Tunizisë, Tunis, vazhduan përleshjet mes policisë dhe manifestuesve që zbritën në shesh duke shkelur ligjin e ndalimqarkullimit. Po ashtu edhe sot paradite disa qindra protestues dolën prap në qendër të kryeqytetit për të manifestuar përpara ambasadës franceze dhe më pas u përpoqën të shkojnë në Medinë, pjesa e vjetër e qytetit. Njoftohet se marshimi i tyre u shpërnda vetëm pas ndërhyrjes së forcave speciale të policisë me gaz lotsjellës. Më pas policia rrethoi edhe selinë e Bashkimit të Përgjithshëm të Punëtorëve Tunizianë (UGTT), sindikata kryesore, e cila është rreshtuar përkrah qytetarëve që kërkojnë drejtësi për viktimat por edhe për papunësinë dhe rritjen e çmimit të bukës.
Nga ana tjetër, presidenti Ben Ali urdhëroi sot që çmimet e mallrave ushqimore jetike të ulen detyrimisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.