2011-01-13 18:05:24

Sudan: Deri tani referendumi i pavarësisë nga veriu ka arritur 60%.


(13.01.2011 RV)Sot Sudani jugor votoi në referendumin për ndarjen nga veriu. Ndonëse numërimi i votave vazhdon ende duket se referendumi ia ka arritur qëllimit dhe është siguruar 60%-shi aq i nevojshëm për fitoren. “Pragu i 60 përqindëshit u arrit por shpresojmë që referendumi të fitojë 100 përqind.” deklaroi për shtypin zëdhënësja e partisë “Lëvizja Çlirimtare e Popullit Sudanez” Anë Ito.
Agjencitë e ndryshme të lajmeve njoftuan se një numër i madh të shpërngulurish në veri është kthyer këto ditë në jug të Sudanit pikërisht për të marrë pjesë në këtë plebishit.
“Nëse referendumi fiton atëherë borxhi i jashtëm duhet t’i falet qoftë Sudanit jugor qoftë atij verior” – u shpreh për mjetet e informacionit ish-presidenti amerikan Xhimi Karter i cili po vëzhgon nga afër ecurinë e referendumit. Nga ana e tij presidenti i Sudanit Omar Hasan Al –Bashir, për të cilin ka edhe një mandat arresti ndërkombëtar, ka deklaruar se do ta pranojë rezultatin e referendumit që kërkon shkëputje nga veriu. Sidoqoftë përfundimi i referendumit do të njoftohet zyrtarisht më 6 shkurt ose më 14 shkurt, po qe se kërkohet apel.
Sudani jugor është një zonë e pasur naftëmbajtëse për të cilën luftojnë si fisi i arabëve endacakë Miserìa ashtu edhe populli afrikan Dinka Ngok, gjë që ka shkaktuar një krizë të thellë humanitare në vend këto njëzet vjetët e fundit.







All the contents on this site are copyrighted ©.