2011-01-13 17:31:43

Papa emëron përfaqësuesin jo rezident në Vietnam pas 35 vjetësh


Për herë të parë që nga viti 1975 Selia e Shenjtë do të ketë një përfaqësues të vetin, megjithëse jo rezident, pranë qeverisë së Vietnamit. Papa Benedikti XVI ka emëruar sot kryeipeshkvin imzot Leopoldo Girelli, “Nunc apostolik në Singapòr, Delegat Apostolik në Malajzi e në Brunej, dhe Përfaqësues Papnor jo-rezident për Vietnam”.
Emërimi vjen pas bisedimeve të kohëve të fundit ndërmjet diplomacisë vatikanase e qeverisë së Vendit komunist. Në fjalimin e tij drejtuar trupit diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, të hënën e kaluar, Papa pat nënvizuar “me kënaqësi” se “autoritetet vietnameze kanë pranuar që unë të emëroi një përfaqësues, që t’u shpreh me vizitat e tij bashkësive të dashura katolike të atij Vendi përzemërsinë dhe afërsinë e Pasardhësit të Pjetrit”.
Pika kulmore e afrimit ndërmjet dy Shteteve pas ndërprerjes në vitet ’70-ta, ka qenë vizita e kryeministrit vietnamez në Vatikan, më 25 janar 2007.







All the contents on this site are copyrighted ©.