Më 13 janar kalendari Kishtar përkujton Shën Hilarin e Puatjesë, ipeshkëv e dijetar
i Kishës.
(13.01.2011 RV)Sot më 13 janar kalendari Kishtar përkujton festën e shën Hilarit të
Puatjesë, ipeshkëv doktor i kishës, një figurë e madhe e mendimit teologjik, mbrojtës
i palodhshëm i të vërtetave të fesë së krishterë, luftëtar i patrembur i herezive
fetare të kohës së vet. Shën Hilari i quajtur “Athanasi i Perëndimit”, ipeshkëv i
Puatjesë, në vitin 353 u bë mbrojtës i flakët i Koncilit Kishtar në Nike që luftoi
herezinë ariane. Vepra e tij më madhe mbetet “De Trinitate” – “Mbi Trininë Shenjte”. Hilari,
i lindur në Puatje të Francës rreth vitit 315, ishte pagan që kërkonte me etje dritën
e nevojshme për të gjetur kuptimin e jetës. Kërkimin e nisi në doktrinat neoplatonike,
për të arritur, më pas, tek Bibla, tek krishtërimi, tek drita. Pronar fisnik tokash,
i martuar e me një vajzë, pas pagëzimit u zgjodh ipeshkëv i Puatjesë. Luftoi herezinë
ariane, duke shkruar disa vepra, më e famshmja e të cilave është ‘De Trinitate’. Në
këtë vepër ipeshkvi shenjt mbrojti në mënyrë të pakundërshtueshme besimin në Trininë
e në Hyjninë e Krishtit. Shkroi edhe komente të shquara të Psalmeve e të Ungjillit
sipas Mateut. Por, me që arianët ishin nën mbrojtjen e perandorit Kostanci, i cili
i miratoi vendimet e sinodit arian, mbajtur në vitin 356 në Béziers, ipeshkvi i Puatjesë
u internua në Frigji, ku kaloi katër vjet. Edhe gjatë këtyre vjetëve vijoi t’i
thellonte studimet: mësoi greqishten, zbuloi veprat e Origjenit dhe gjithë prodhimin
e Etërve lindorë, duke siguruar, kështu, një dokumentim të dorës së parë për librin
‘De Trinitate’ që i dha titullin Dijetar i Kishës. Është traktati më i rëndësishëm
e më i thellë që ishte shkruar deri asokohe mbi dogmën kryesore të fesë së krishterë.
E nuk u mjaftua me kaq: nga internimi, sulmoi me guxim të jashtëzakonshëm atë që ia
kishte në dorë vetë jetën, perandorin Kostanci, duke e kritikuar ashpër pse pretendonte
të sundonte edhe Kishën e pse përzihej në diskutimet teologjike e në punët e brendshme
të disiplinës kishtare, të cilat nuk i takonin. Posa u rikthye në seli, ipeshkvi
guximtar rifilloi veprimtarinë baritore. Pati si bashkëpunëtor ipeshkvin e ardhshëm
të Turit, Shën Martinin. Vdiq në vitin 367. Mbeti në kujtesën e Kishës si polemist
i mprehtë e guximtar, por edhe si Atë e Bari i vërtetë i grigjës që i qe besuar. Njerëzor
në luftë e më se njerëzor në fitore, mbrojti gjithnjë ipeshkvijtë që e pranonin gabimin,
duke u njohur edhe të drejtën të vijonin drejtimin e selive të tyre. Piu IX e shpalli
‘Doktor i Kishës’. Emri Hilar vjen nga latinishtja e do të thotë ‘gëzim’. Simboli
i shenjtit është shkopi baritor.