2011-01-13 16:40:33

Lutje për të kujtuar të krishterët e martirizuar në Irak, Egjipt e Nigeri


(13.01.2011 RV)Në Bazilikën e Zemrës së Krishtit në Romë u zhvillua një mbrëmje lutjeje për të kujtuar viktimat e atentateve të fundit kundër të krishterëve në Irak, Egjipt e Nigeri. Takimi u organizua nga rreth 20 lëvizje e shoqata katolike dhe u kryesua nga ipeshkvi ndihmës i dioqezës së Romës, imzot Guerino Di Tora. Pjesëmarrësit u lutën edhe për të gjithë të krishterët e persekutuar në botë. Si lindi kjo nismë, e shpjegon më mikrofonin tonë, kryetari i Veprimit Katolik romak, Benedeto Koça:
Në një farë mënyre, për t’iu përgjigjur ftesës së Papës në mesazhin për Ditën Botërore të Paqes së këtij viti, ftesës për t’u lutur për vëllezërit e krishterë, që vuajnë nga dhuna, për të qenë afër tyre e për të kujtuar viktimat e kësaj dhune, që në këtë periudhë, rriten vazhdimisht në numër. Në veçanti, ne të krishterët e Romës ndihemi pjesë përbërëse e thirrjes universale të Kishës dhe të ipeshkvit tonë, Papës, pra, veçanërisht afër të gjithë të krishterëve të botës.
Shpesh, në bazën e konflikteve ndërmjet feve qëndrojnë motive politike, interesa ekonomike, varfëria – mendoj këtu për Nigerinë, për shembull. Ndoshta janë elemente, që duhen marrë parasysh në parandalimin e këtyre fenomeneve…
Po. Në të vërtetë, të mohosh lirinë fetare do të thotë të mohosh një nga parimet themelore të lirive të njeriut. Ja pse liria fetare ka edhe vlerë politike e në një farë mënyre, edhe juridike. Jo rastësisht, Papa, në mesazhin e tij, u drejtohet edhe shteteve. Sigurisht, problemet ekonomike, që kanë shumë vende në këtë periudhë, bëjnë që nganjëherë, dialogu ekzistues ndërmjet feve të bëhet më i vështirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.