2011-01-12 13:48:23

Lunaçek (BE) kërkon zgjedhje të reja në Kosovë deri në fund të vitit


Referuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, shefja e vëzhguesve të BE-së në zgjedhjet e fundit në Kosovë, Ulrike Lunaçek shprehet në favor të mbajtjes së zgjedhjeve të reja në Vend brenda vitit për shkak të manipulimeve e parregullsive që kanë karakterizuar si turnin e parë të zgjedhjeve më 12 dhjetor e po kështu edhe turnin e dytë të 9 janarit në pesë Komuna.
Madje Lunaçek tha se organizimi i zgjedhjeve të reja në fund të vitit, propozim ky i disa partive, duhet të merret parasysh seriozisht. Lunaçek pohoi se ka parë personalisht nga afër manipulimet që janë bërë edhe në disa vendvotime të dielën e kaluar, ku ka përcjell si vëzhguese zhvillimin e votimeve të përsëritura.
Sipas Lunçek, sistemi aktual në Kosovë ka shumë mangësi, prandaj duhet të fillojnë shpejt përgatitjet, qoftë infrastruktura ligjore dhe të mbahen zgjedhjet deri në fund të vitit. Ky është propozim i disa partive politike të Vendit", i tha Lunaçek gjatë një emisioni të RTK-së duke shtuar se duhen krijuar organe të reja institucionale tranzitore që të ketë për detyrë udhëheqjen e Vendit drejt votimeve.
Zgjedhje të reja në mbarë Kosovës për shkak të shumë manipulimeve janë kërkuar posaçërisht nga lideri i LDK-së Isa Musfata, partia kryesore opozitare dhe e dyta në vend, menjëherë pas PDK e udhëhequr nga kryeministri aktual Hashim Thaçi.
E pikërisht e PDK-ja e kundërshton këtë ide e nuk shqetësohet për vlerësimin negativ të zgjedhjeve. Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj tha se për çështjen e zgjedhjeve vendos vullneti politik i qytetarëve por edhe konsensusi i partive politike, dhe në këtë rast, sipas tij, zgjedhjet janë kryekëput çështje e brendshme e Kosovës.
Gjatë një interviste në emisionin “Interaktiv”, në KTV, Hoxhaj ndër të tjera pohoi se Kosova nuk ka luks qe të organizoj çdo 3-4 muaj zgjedhje pasi qytetarët kërkojnë që të zgjidhen problemet e tyre.
Natyrisht duhet shqyrtuar aspektin tjetër të zgjedhjeve: atë të votës së lirë e te ndërgjegjshme të qytetarëve; e sikur të ishte votuar në mënyrë të lirë e pa manipulime, pyesim, kush do të kishte fituar? Një tjetër aspekt është edhe ai i ndërgjegjësimit moral para Popullit, Vendit e Bashkësisë ndërkombëtare, ndaj së cilës Kosova e as politikanët e saj nuk duhet të harrojnë kaq shpejt mbështetjen e madhe, madje vendimtare, që patën në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë. Tani kërkohet maturi, largpamësi, atdhedashuri e guxim moral e politik, për ti shërbyer së mirës të qytetareve e të vendit e jo rrënjosjes në mbrojtje të interesave vetjake e miope.







All the contents on this site are copyrighted ©.