Jezuiti shqiptar, Atë Anton Xanoni, në 149 vjetorin e lindjes (1862-1915)
(12.01.2011 RV) Atë Anton Xanoni, i njohur edhe me emrin Ndoc Xanoni, lindi në Durrës
më 12 janar 1862, por që fëmijë u shpërngul në Shkodër, ku u rrit në gjirin e etërve
jezuitë. Posa kreu shkollën e mesme, duke parë talentin e tij, jezuitët e dërguan
të kryente studimet e larta në Kuvendin Kartuzian Porta Coeli në veri të Valencies,
në Spanjë (1883), në Kraljevicë, në bregdetin dalmat (1884), në Kremonë të Italisë
(1886) dhe në Kolegjin Gregorian në Krakovi të Polonisë (1890-1892). Më 1892 u
shugurua meshtar në Krakovi dhe dy vjet më pas në u kthye Shkodër për të kryer misionin
meshtarak e për të dhënë gjuhë shqipe në Kolegjin Saverian, ku kishte kryer studimet
edhe vetë, trembëdhjetë vjet më parë. Më 1896, para se të kthehej në Shqipëri, dha
mësim një vit në kolegjin Gregorian në Kieri, në juglindje të Torinos në Itali. Atë
Xanoni, së bashku me poetin e gjuhëtarin e shquar, dom Ndre Mjedën (1866-1937) si
dhe me të vëllain e tij, imzot Lazër Mjedën, ishte anëtar aktiv i shoqërisë letrare
Agimi, themeluar më 1901, e cila punonte për nxitjen e krijimeve letrare në gjuhën
shqipe, duke përdorur edhe alfabetin e ri. Ishte Atë Anton Xanoni ai që vendosi
normat e retorikës dhe të stilit të shkrimit në dialektin verior të shqipes, në një
shkollë me ndikim si Kolegji Saverian, norma që i parashtroi në Prîsi në lâmë të letratyrës,
Shkodër 1911-1912. Ai mbante qëndrim të prerë të pastër në shkrimin e shqipes,
ishte idhtar i zëvendësimit të shumë huazimeve nga italishtja, turqishtja dhe sllavishtja
me rrënjë fjalësh më të lashta shqipe. Si autor vjershash, prozash letrare, dramash
e punimesh studimore në gjuhën shqipe, që shërbyen si frymëzim i vazhdueshëm për studentët
dhe kolegët e tij shkrimtarë, ai nuk qe vetëm novator në gjuhë, por edhe stilist i
shkëlqyer për kohën kur jetoi. Nga viti 1908 bashkëpunoi rregullisht me periodikun
jezuit Elçija e Zemers t'Jezu Krisctit me artikuj për historinë, letërsinë, kulturën
dhe politikën, por edhe me tregime të shkurtra e me vjersha apo përkthime, që pëlqeheshin
shumë. Mbeti në histori edhe për veprat Gramatika shqyp, Shkodër 1909, Shkurtorja
e historis së moçme, 1910, e në veçanti për vjershën me frymën e Rilindjes Rrnoftë
Shqypnia, kushtuar shpalljes së pavarësisë. Një pjesë e mirë e veprës së tij ka mbetur
e pabotuar edhe sot e kësaj dite. Atë Xanoni vdiq në Shkodër më 16 shkurt 1915. Kujtohet
si themelues i shkollës letrare të jezuitëve, si një veteran i arsimit e i kulturës
shqiptare.