Egjipti thërret për konsultime ambasadoren pranë Selisë së Shenjtë. Notë e atë Federiko
Lombardit
(12.01.2011 RV)Selia e Shenjtë shqetësohet njësoj si qeveria egjiptiane për
shkallëzimin e ndeshjeve dhe të tensioneve për arsye të fesë. Kështu i tha dje ambasadores
së Egjiptit, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Dominik Mambertì.
Në ditën e djeshme, zonja Lamia Ali Hamada Mekhemar u thirr në Kajro për konsultime
e sqarime mbi fjalimin e Papës para Trupit Diplomatik, në të cilin Ati i Shenjtë përmendi
edhe një herë dhunën kundër të krishterëve, duke pasur parasysh atentatin e Aleksandrisë
dhe duke u bërë thirrje autoriteteve të ndërhyjnë. Ja nota e drejtorit të Sallës
së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi: “Shkëlqesia e saj zonja
Lamia Ali Hamada Mekhemar, ambasadore e Republikës Arabe të Egjiptit pranë Selisë
së Shenjtë, u prit në Vatikan nga Shkëlqesia e tij imzot Dominik Mambertì, Sekretar
i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet. Gjatë takimit, ambasadorja, që shkon
në Kajro për konsultime në Ministrinë e Jashtme egjiptiane, paraqiti shqetësimin e
qeverisë së saj në çastin e vështirë aktual dhe mori informacionet e elementet e nevojshme
për të referuar si duhet mbi ndërhyrjet e Atit të Shenjtë, në veçanti mbi lirinë fetare
dhe mbrojtjen e të krishterëve në Lindjen e Mesme. Duke nënvizuar se Selia
e Shenjtë merr pjesë në emocionin e krejt popullit egjiptian, të turbulluar nga atentati
i Aleksandrisë, Shkëlqesia e tij imzot Mambertì siguroi se Vatikani bashkëndan plotësisht
shqetësimin e qeverisë për “shmangjen e shkallëzimit të ndeshjeve e të tensionit për
arsye fetare”, si edhe vlerëson përpjekjet që bëhen në këtë drejtim”. E ndërsa
ambasadorja jep sqarime në Kajro, të krishterët egjiptianë sulmohen sërish. Një kopt
u vra dhe pesë të tjerë u plagosën nga një polic, që hapi zjarr në një tren afër Samalutit,
250 km larg nga kryeqyteti. Megjithëse arsyet akoma nuk janë të qarta, ipeshkvi kopt
Morkos tregoi se atentatori Amer Ashur Abdel Zaher, fillimisht i kërkoi të krishterët
nëpër tren e pasi pa disa persona pa shami në kokë, e kuptoi se nuk ishin myslimanë
dhe hapi zjarr duke thirrur “Allahu Akbar” (Zoti është i madh).