2011-01-11 12:37:01

Religion for Peace boton Kalendarin 2011, në 25-vjetorin e takimit të parë të lutjes për paqen në Asizi.


Lëvizja shumëfetare ndërkombëtare “Fetë për paqen”, boton Kalendarin 2011, në 25 vjetorin e takimit të parë të lutjes për paqen në Asizi me përfaqësuesit e feve të ndryshme të botës, të thirrur në këtë takim të jashtëzakonshëm nga Gjon Pali II. Na flet për këtë, sekretari i përgjithshëm i seksionit italian të lëvizjes “Fetë për paqen”, Luigi De Salvia:RealAudioMP3

 
Përgjigje: - Jemi në 25 vjetorin e takimit të Asizit të 27 tetorit ’86, një përvjetor i veçantë. E pikërisht këtë deshëm të nëvizonim. Këtë vit do të ketë nisma të shumta në të gjitha nivelet, për ta përtërirë këtë shpirt të Asizit. Dëgjuam Papën, në ditën e Vitit të Ri, kur njoftoi se do të shtegtojë në Asizi me liderët e feve të tjera, pikërisht në ditën e këtij përvjetori: më 27 tetor 2011. Natyrisht është fjala për një ditë kthese historike në marrëdhëniet ndërmjet feve, që i hapi rrugën respektit reciprok, mirëkuptimit, mikpritjes dhe që i ndërgjegjësoi të gjithë në luftën për paqen, për drejtësinë. Mund ta quajmë, pra, pa frikë, ditë kthese historike, që mbolli shumë farë paqeje: edhe përballë vështirësive të sotme, shikojmë sa rëndësi kanë urat e krijuara, rrjetet e hedhura e kështu me radhë, sepse të gjitha janë prita kundër forcave shkatrrimtare, që nuk mungojnë në botë.

Pyetje: - Të flasim tani për Kalendarin: është një gjest i vogël, por që hyn në të përditshmen, sepse kalendarët i shfletojmë ditë për ditë. E ky kalendar do të na kujtojë çdo ditë pikërisht dialogun ndërmjet feve, mundësinë që kanë fetë për të folur me njëra tjetrën e për të punuar së bashku për paqen. Si u hartua kalendari?

Përgjigje: - Puna është tashmë fryt i bashkëpunimit me njerëz të feve të ndryshme, të pranishëm në Religion for Peace në Itali. Shumica është katolike, natyrisht, por ka edhe valdezë, hebrenj, myslimanë, hinduistë, budistë, sikh, bahati e kështu me radhë. Mund të themi, prandaj, se është fryt i bashkëpunimit ndërmjet tyre. Domethënia kryesore është respekti për përshpirtërinë dhe për mikpritjen në festat e ndryshme, gjë shumë e rëndësishme për edukimin e miqësisë dhe të marrëdhënive pozitive.

Pyetje: - Në kalendar, sigurisht, janë shënuar edhe festat...

Përgjigje: - Të gjitha festat e të gjitha feve; e pastaj, shkurtimisht, ka edhe të dhëna për të gjitha fetë...

Pyetje: - Ka rëndësi që fetë ta njohin njëra-tjetrën, që të mund t’i kapërcejnë ndryshimet e të mos arrijnë kurrë deri tek përdorimi i dhunës, për shkak të mosnjohjes...

Përgjigje: - Ashtu është, siç përsërit me ngulm edhe kardinali Toran: “Ta dëgjojmë, ta dëgjojmë e përsëri ta dëgjojmë njëri-tjetrin, të njihemi me njëri-tjetrin e kështu t’i hapim rrugën bashkëpunimit”. Kur s’e njeh tjetrin, mund të të duket edhe i rrezikshëm. Prej këndej, duhen zhdukur dyshimet, duhen kapërcyer shfaqjet shabllone, negative. E ky mund të konsiderohet një hap i rëndësishëm përpara.







All the contents on this site are copyrighted ©.