2011-01-11 16:26:59

Ndeshje në Tunizi, rëndohet bilanci i viktimave


Vazhdon të rëndohet bilanci i viktimave të ndeshjes ndërmjet manifestuesve dhe forcave të rendit, që vazhdon prej katër ditësh në Tunizi. Edhe Ministria e Brendshme pranoi se numri i të vdekurve ka arritur në 18 vetë. Por gjendja duket se është edhe më e rëndë. Sipas sindikatës kryesore kombëtare, gjatë tri ditëve të fundit kanë humbur jetën mëse 50 vetë, shifër e konfirmuar edhe nga Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, organizatë me seli në Francë ku bëjnë pjesë 164 lëvizje humanitare. Amnesti Interneshënëll flet për dhjetra të vdekur.
Dita e sotme dukej e qetë në kryeqytetin Tunis, pas mbylljes së shkollave dhe të universiteteve me urdhër të presidentit Ben Ali. Por fjalimi i djeshëm kreut të shtetit për kombin, në të cilin ai i akuzoi manifestuesit për “akte terroriste”, shkaktoi tension në qytete të ndryshme, ku policisë iu desh të përdorë gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit e zemëruar. Presidenti premtoi edhe se brenda vitit 2012 do të krijohen 300 mijë vende pune, por njerëzit nuk i besojnë.
Kujtojmë se revolta në Tunizi dhe në Algjeri filloi pas rritjes së çmimit të bukës, shenjë e gjendjes aspak të mirë ekonomike të këtyre vendeve dhe shtimit të papunësisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.