2011-01-11 15:06:37

Marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me 178 vende të botës


Janë 178, vendet që aktualisht, kanë marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë. Këtyre u duhet shtuar Bashkimi Evropian si i tërë dhe Urdhëri Sovran Ushtarak i Maltës, përveç një misioni me karakter të veçantë: Zyra e Organizatës për Çlirimin e Palestinës.
Përsa i përket organizatave ndërkombëtare, Selia e Shenjtë është e pranishme në OKB si shtet vëzhgues. Gjithashtu, është anëtare e shtatë organizatave apo agjensive të Kombeve të Bashkuara, është vëzhguese në tetë të tjera dhe anëtare, ose vëzhguese në pesë organizata rajonale.
Ndër vendet që nuk kanë marrëdhënie diplomatike me Vatikanin është Republika Popullore e Kinës, që kur Nunci Apostolik u detyrua të zhvendosej në Tajvan, në vitin 1951. Aktualisht, nga vendet komuniste, është Vietnami ai, që po bën përpjekje të afrohet me Selinë e Shenjtë. Në takimin e dytë të grupit të punës dypalësh, që u zhvillua në Vatikan nga data 23 deri më 24 qershor 2010, u vendos që Papa të emërojë një përfaqësues jo rezident në Vietnam. Ky emërim do të bëhet së shpejti, siç pohoi dje drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi. Gjatë vitit të kaluar, edhe tri vende afrikane – Çadi, Malaui dhe Gaboni – pranuan një Përfaqësi diplomatike të Vatikanit, në nivelin e “të ngarkuarit me punë”.
Ndër marrëveshjet, që janë nënshkruar gjatë vitit 2010, vlen të përmendet ajo e Sarajevës për asistencën fetare të besimtarëve katolikë, anëtarë të Forcave të Armatosura të Bosnjë-Hercegovinës. Kjo është një nga zbatimet e para të Marrëveshjes Bazë ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe vendit ballkanik, nënshkruar po në Sarajevë, më 19 prill 2006.







All the contents on this site are copyrighted ©.