2011-01-11 16:59:58

Lideri LDK-së Mustafa: me zgjedhje nuk është dhënë provimi i demokracisë në Kosovë


Duke komentuar raportet për parregullsitë e evidentuara në zgjedhjet e 9 janarit, ndërkohë që PDK ka thënë se zgjedhjet kanë përmbushur standardet, kryetari i LDK-së Isa Mustafa konfirmoi se ka pasur "dobësi shumë të mëdha" edhe në zgjedhjet e përsëritura.
Ndërmjet 12 dhjetorit dhe 9 janarit është një diferencë prej mase 33 mijë votave gjë që dëshmon për abuzime. "Është e vërtetë që ka pasur dobësi shumë të mëdha, ka pasur votime të shumëfishta, ndërhyrje në procesin e votimit, pengim të vëzhguesve. Argumenti më i fortë është se aty është treguar një diferencë shumë e madhe e votave ndërmjet 12 dhjetorit dhe 9 janarit, një diferencë prej mase 33 mijë votave, prej të cilave vetëm PDK-së i takojnë mbi 21 mijë vota që është argumenti më i mirë i abuzimeve që kanë bërë përpara", theksoi kreu i LDK-së në një prononcim sot në Prishtinë.
Isa Mustafa u shpreh se "është shumë keq" për vendin që nuk është zhvilluar një proces normal zgjedhor dhe që "nuk është dhënë provimi i demokracisë as tash as më 12 dhjetor". "Ne insistojmë që të sigurohet edhe parakushti ligjor në mënyrë që të ndryshohet ligji për zgjedhjet, të shkohet në zona, të bëhet regjistrimi i popullsisë dhe përgatitjet teknike për zgjedhje të cilat në mënyrë burimore do të japin një qeveri të qëndrueshme", nënvizoi Isa Mustafa.
Ndërkaq lidhur me paralajmërimin e PDK-së se menjëherë pas zgjedhjeve në Mitrovicë do të formojë qeverinë, dhe mbi këto parregullsi nëse është e pranueshme një qeveri e tillë për LDK, Mustafa tha se partia që drejton do të presë që organet të kryejnë procedurën e tyre ligjore dhe certifikimin e zgjedhjeve, pastaj do të dalin me qëndrimin e tyre. Por Mustafa theksoi se nuk sheh asnjë arsye që dikush të mburret me këto zgjedhje dhe të presë vetëm të qeverisë dosido.
"Ne megjithatë do të presim që të kryhet i tërë procesi sepse ai nuk është mbyllur. Kemi votimet që do të mbahet në Mitrovicë". Ai tha se LDK edhe atje do të jetë e kujdesshme që votimet të zhvillohen mirë. "Pavarësisht se çfarë ka ndodhur, ne jemi të interesuar që të zbatohet ligji e demokracia në Kosovë dhe që nga zgjedhjet të dalin institucione të qëndrueshme", theksoi Mustafa.
Procesi i rivotimit më 9 janar me parregullsi si më 12 dhjetor
Gjatë procesit të rivotimit në pesë komunat e Kosovës: Deçan, Skenderaj, Drenas dhe në dy qendrat e votimit në Malishevë dhe Lipjan, Demokracia në Veprim ka pasur të angazhuar mbi 500 vëzhgues, dhe mbi disa ekipe mobile në çdo komunë. Po ashtu Demokracia në Veprim ka pasur të angazhuar edhe 60 vullnetarë në Qendrën e Thirrjeve dhe Komunikimit. Bazuar në të dhënat e vëzhguesve të Demokracisë në Veprim numri votuesve që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës në Komunat që kanë qenë pjesë e procesit të rivotimit është si në vijim: Skenderaj 57.97 %; Drenas 53.77% ( pa përfshirjen e dy vendvotimeve në Korreticë të Epërme, për shkak të largimit të vëzhguesve të DnV së pas kërcënimeve ndaj tyre); Deçan 33.79 %; Lipjan 53.06 % si dhe Malishevë 36.30 %.
Demokracia në Veprim në një deklaratë preliminare lidhur me procesin e rivotimit në këto komuna ka njoftuar për gjetje të përgjithshme në ditën e zgjedhjeve.
1. Procesi i rivotimit në pesë komunat e Kosovës me 09 janar 2011, është përcjellë në një masë me parregullsitë të cilat e kanë shoqëruar edhe procesin zgjedhor të 12 dhjetorit 2010.
2 Nga aspekti i organizimit teknik, KQZ ka siguruar që materiali i domosdoshëm zgjedhor të jetë i pranishëm në të gjitha vendvotimet në kohën e duhur, si dhe nuk është shënuar ndonjë rast ku ka pasur vërejtje mbi kualitetin e këtyre materialeve. Megjithatë përkundër kësaj janë evidentuar raste kur komisionerët nuk kanë përdorur fare llambat ultravjollce (identifikuese).
3 Demokracia në Veprim vlerëson se përkundër ndërrimit të komisionerëve nga ana e KQZ së, nuk janë realizuar të priturat për shmangie të parregullsive.
4 Procesi zgjedhor është zhvilluar nën presion, ku janë evidentuar edhe disa raste dhe situata të kërcënimit ndaj vëzhguesve të Demokracisë në Veprim, madje edhe janë dëbuar me dhunë nga Vendvotimi, gjatë procesit të votimit dhe numërimit. ( dy raste); Në fshatin Kllodernicë të Skenderaj automjetit të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim i janë shpërthyer gomat, me ç?rast ka intervenuar Policia e Kosovës për të garantuar sigurinë e tyre.
5 Gjatë këtij procesi të rivotimit janë evidentuar 68 raste të votimeve të shumëfishta.
6 Po ashtu gjatë këtij procesi janë evidentuar rreth 227 raste ku i njëjti person ka asistuar më shumë se një person.
7 Votimi familjar edhe më tutje mbetet shkelja më e shpeshtë në proceset zgjedhore në Kosovë. Votimi familjarë apo prezenca e dy e më shumë persona në kabinën e votimit kanë qenë shumë të shprehura në shumë vendvotime. Janë evidentuar mbi 2344 raste të votimeve familjare.
8 Po ashtu gjatë këtij procesi është paraqitur problem edhe mungesa e energjisë elektrike në 7 qendra të votimit.
9 Gjithashtu janë evidentuar edhe shumë raste të prezencës në vendvotime të personave të paautorizuar dhe asistencës së më shumë se një personi, madje edhe në rastet kur qytetarët nuk kanë kërkuar asistencë.
10 Demokracia në Veprim i bënë thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin veprimet e duhura ndaj personave të përfshirë në parregullsi, në mënyrë që ata të përgjigjen për veprimet e tyre të kundërligjshme.
11 Procesi i numërimit është përcjellë me disa parregullsi, si mospërputhja e numrit të nënshkrimeve dhe numrit të fletëvotimeve në kutitë e Votimit.
12 Po ashtu, në pesë vendvotime janë evidentuar raste të plotësimit të formularëve nga ana e komisionerëve duke ia vënë numrin e votave kandidatëve sipas preferencës së komisionerëve, pa i numëruar fare fletëvotimet e votuese për kandidatë e subjekteve.
nga Kosova.com







All the contents on this site are copyrighted ©.