Ipeshkvi imzot Mark Sopi (1938-2006), lindi në Binçë, komuna e Vitisë së Kosovës,
më 26 shkurt 1938 në një familje të mirë, të madhe, fetare e bujare, pasardhëse e
“Martirëve të Karadakut (1848-18480), e cila Markun qysh nga fëmijëria dhe rinia e
kishte edukuar e frymëzuar në dritën e fesë së krishterë. Pas shkollimit fillestar
në Viti, gjimnazin klasik e kreu në Pazin të Kroacisë, pastaj studimet filozofike
e teologjike në Zagreb e në Romë.
Shugurohet meshtar më 29 qershor 1968 në
Romë dhe Meshën e parë e kremtoi në vendlindje në Binçë. Don Dedë Ramaj, famullitari
i Stubllës e Binçës, në fjalën e rastit gjatë drekës kremtore pat thënë:“Mos harro
biri i kujt je, së pari i Zotit, pastaj i Kishës sonë martire, pasardhës i tyre, pastaj
i bashkësisë famullitare dhe i familjes… Ndero të parët e ndero vetveten, sepse ke
gjurma për të ndjekur nga lashtësia e historia…”. Don Mark Sopi për pesë vjet shërbeu
si famullitar në Ferizaj dhe si sekretari i ipeshkvit ndihmës të Shkup-Prizrenit imzot
Nikë Prelës. Në vitin 1974 qe emëruar famullitar i fshatit Zllakuqan afër Klinës.
Prej
vitit 1974 deri në vitin 1991 në Zllakuqan e në rrethinë bëri shërbime të shumëfishta,
ndër të cilat duhet theksuar organizimin e jetës baritore, ndërtimin e Kishave, kapelave,
meremetimin e Kishës amë në Zllakuqan, përgatitjen për themelimin e dy famullive kishtare
të reje, të Klinës dhe të Budisalcit.
Ishte pjesëmarrës e prijës shpirtëror
edhe në pajtimet e gjaqeve gjatë viteve 1990, bamirës dhe babë për të mjerë dhe të
varfër, këshilltar për të pasigurt, ngushëllues për të pikëlluar, udhëheqës për të
pavendosur, me një fjalë vëlla, atë, gjithçka.
Përpos këtyre punëve tejet të
rëndësishme dhe mjaft të vështira, me plotë sfida dhe rreziqe, ai kurrë nuk ishte
ndarë nga shkrimi e leximi, si bashkëpunëtor i zellshëm i revistës fetaro-kulturore
“Drita”, pastaj në Durrës i revistës “Vegim Drite”. Botoi edhe këto vëllime: Baca
Kolë dhe famullitari (1995), Martirët e Karadakut (1996), Koncilët ekumenike (2000),
Shën Luçia (2001).
Imzot Mark Sopi fill pas rënies së diktaturës në Shqipëri,
së bashku me don Damjan Kurtin, shkoi në Durrës si misionar për ta ndihmuar dhe shërbyer
këtë Kishë e Popull martir, duke dëshmuar kështu dashurie vëllazërore e përkushtimin
ndaj misionin të tij meshtarak.
Më 23 nëntor 1995 qe emëruar ipeshkëv i Kosovës,
shugurimin ipeshkvnor e merr nga Papa Gjon Pali II më 6 janar 1996 në Vatikan, së
bashku me 13 të tjerë nga mbarë bota. Imzot Mark Sopi e mori udhëheqjen e Kishës katolike
në Kosovë me seli në Prizren më 18 shkurt 1996 dhe atë e udhëhoqi deri në kalimin
e tij në shtëpinë e Atit Qiellor më 11 janar 2006.
Duhet kujtuar se imzot Mark
Sopi e udhëhoqi Kishës katolike të Kosovës para luftës me guxim para shumë rreziqeve,
pasigurive, duke mbrojtur të gjithë nga rrebeshi i dhunës.
Para, gjatë e pas
luftës në Kosovë imzot Mark Sopi si bari i grigjës që iu kishte besuar, jo vetëm i
asaj katolike, por i të gjithëve, i atyre që s’kishin mbrojtje, përkrahje, liri, dinjitet.
Gjatë këtyre dhjetë viteve ishte kudo lypej dhe kërkohej, sidomos në takime me vendorët
dhe ndërkombëtaret, gjithnjë i gatshëm për të dëgjuar, kërkuar dhe punuar për të mirën
e përbashkët.
Të keqes i tha gjithnjë jo, të mirës gjithnjë po. I qetë e i
vendosur, i guximshëm në vendime e në qëndrime, me Imzot Mark Sopin Kisha Katolike
në Kosovë u bë gjithnjë më e njohur dhe e pranishme në hapësirat kosovare, sidomos
përmes Karitasit në ndihmë për ata njerëz që qenë goditur nga lufta, duke ndihmuar
në ndërtimin e shtëpive të djegura, shkollave të rrënuara, spitaleve të shkatërruara,
rrugëve e sidomos në përtëritjen e zemrës së njeriut.
Po kështu ishte gjithnjë
në kërkim të mundësive të reja për përfshirjen e Kishës katolike në çështjet shoqërore,
kulturore, arsimore. Vdiq në punë, gjatë një takimi të rastit rreth Katedrales të
së Lumes Nenë Terezë në Prishtinë.
Nuk duhet harruar fjalën që pat në Kongresin
Amerikan më 18 maj 2005, ku me këmbëngulje e me argumente mbrojti qëndrimet kosovare
e kërkoi demokraci, liri, barazi e respektin e të drejtave njerëzore për të gjithë
qytetarët kosovarë.
Imzot Mark Sopi, gëzonte autoritet e përkrahje, si në qarqe
të larta shtetërore, po ashtu edhe ato kishtare. Ai punoi e shpenzoi jetën për ti
komunikuar mbarë botës, vlerat dhe vuajtjet e popullit të vet, duke ndihmuar kështu
për të mirën e dobinë e kishës e të popullit shqiptar. Ju propozojmë një pjesë
nga fjalimi që imzot Mark Sopi u drejtoi shqiptarëve e besimtarëve që kishin ardhur
në Romë me rastin e shugurimit të tij ipeshkvnor më 6 janar 1996. Ta dëgjojmë përshëndetjen
drejtuar shqiptarëve..........