2011-01-10 15:42:34

Papa në festën e Pagëzimit të Zotit: familja ndesh jo pak vështirësi në përpjekjen për edukimin fetar.


(10.01.2011 RV)“Familja, e kërcënuar nga të katër anët, ndesh jo pak vështirësi në përpjekjen për edukimin fetar” – kështu u shpreh Benedikti XVI në homelinë e Meshës, kryesuar dje në Kapelën Sikstine, me rastin e Festës së Pagëzimit të Zotit. Gjatë kremtimit, sipas traditës, Papa pagëzoi 21 fëmijë të posalindur.
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, menjëherë pas Meshës, kujtoi vuajtjet e popullsive të Haitit, një vit pas goditjes së rëndë nga tërmeti e nga kolera.

Çaste të paharrueshme gëzimi dhe emocioni, dje, në Kapelën Sikstine, gjatë Ritit të Pagëzimit të 21 fëmijëve të posalindur, bij të punonjësve të Vatikanit, që morën sakramentin e parë nga dora e Papës, në krahët e prindërve, të prekur thellë në këtë çast kaq të jashtëzakonshëm. Ishin 13 djem e 8 vajza, ndërmjet të cilëve, edhe dy binjakë. Më i madhi, katër muajsh; më e vogla, katër javësh. Gugatja e tyre kumboi nën qemerin mikelanxholesk të Sikstinës, si kori më i bukur i kësaj feste, me të cilën u mbyllën edhe të gjitha kremtimet e Krishtlindjes. Mbyllje simbolike, me dëftimin e Zotit në valët e lumit Jordan, për t’u pagëzuar nga Gjoni, domethënë për t’iu nënshtruar – shpjegoi Papa – kësaj shenje të pendesës, që na kujton të gjithëve kthesën e madhe shpirtërore, drejt Zotit e larg çdo mëkati:
“Pagëzimi i Jezusit, të cilin po e kujtojmë sot, është shprehje e logjikës së përvujtërisë e të solidaritetit: është gjesti i Atij, që dëshiron të bëhet në gjithçka, një nga ne e që prandaj, vihet në radhë me mëkatarët; Ai, që është pa kurrfarë mëkati, e lë veten të trajtohet si mëkatar, për të mbartur mbi shpinë fajin e mbarë njerëzimit”.
Gjesti i Jezusit – shtoi Ati i Shenjtë – i paraprin Kryqit, pranimit të vdekjes, për mëkatet e njeriut, duke zbuluar përkimin e plotë të vullnetit e të ndjeteve të Vetjeve të Trinisë së Shenjtë:
“Të dashur prindër, Pagëzimi, që po kërkoni sot për fëmijët tuaj, ju bën pjesëtarë në shkëmbimin e dashurisë reciproke të Zotit, dashurisë ndërmjet Atit, Birit e Shpirtit Shenjt; nëpërmjet këtij gjesti, që jam duke kryer, mbi ta po ndikohet dashuria e Zotit, duke i mbushur përplot me dhuratat e tij”.
Të çliruar nga mëkati i rrjedhshëm, për ta nis jeta e Hirit, jeta e vetë Jezusit të Ngjallur, vërejti Papa:
“Të dashur miq, duke na dhuruar fenë, Zoti na dha gjënë më të çmuar në jetë, arsyen më të vërtetë e më të bukur, për të cilën ia vlen të jetosh”.
Pikërisht përmes hirit – kujtoi Benedikti XVI – ne besuam në Zotin, e njohëm dashurinë e tij, dëshirën e tij për të na shpëtuar nga e keqja, duke na dhuruar jetën e pasosur, jetën e vërtetë:
“Tani ju, prindër të dashur, nuna e nunë, (ndrikulla e kumbarë) i lypni Kishës t’i pranojë në gjirin e saj këta fëmijë, t’u japë Pagëzimin; e këtë kërkesë e bëni duke u nisur nga dhurata e fesë, që e morët një ditë edhe ju vetë”.
Atëherë, pra, çdo i krishterë mund të përsërisë: “Zoti më bëri shërbëtorin e vet që në kraharorin e nënës”:
“... kështu, të dashur prindër, fëmijët tuaj janë dhuratë e çmuar për Zotin, i cili e ruan për vete zemrën e tyre, për ta mbushur përplot me dashurinë e tij”.
Tani që u bënë pjesëtarë të popullit të Zotit, për këta fëmijë – vijoi Papa – sot po nis një udhë e re, që duhet të jetë udhë e shenjtërisë, udhë e përpjekjes për t’u bërë një me Jezusin, realitet i mbjellur në shpirtin e tyre, si fara e një lënde madhështore, së cilës i duhen krijuar të gjitha kushtet, për të lëshuar shtat. Prandaj Kisha, e cila i pranon në radhët e bijve të saj, duhet t’i ngarkojë vetes edhe detyrën që, së bashku me prindërit, me nunët e nunat, t’i shoqërojë në rritjen e tyre, gjatë kësaj udhe, shpesh aspak e lehtë për t’u përshkuar:
Bashkëpunimi ndërmjet bashkësisë së krishterë e familjes është më i nevojshëm se kurrë në rrethanat shoqërore, në të cilat instituti familjar kërcënohet nga të katër anët e i duhet të përballojë jo pak vështirësi në misionin për edukimin fetar. Mungesa e pikëmbështetjeve të sigurta kulturore dhe shndërrimi i rrufeshëm i shoqërisë, e bëjnë vërtet të vështirë impenjimin edukativ. Prandaj është e nevojshme që famullitë të punojnë gjithnjë më shumë për t’i ndihmuar familjet, Kisha të vogla shtëpijake, në kryerjen e detyrës së tyre për transmetimin e fesë”.

Në Engjëllin e Tënzot, Papa foli përsëri për Pagëzimin, si fillesë e jetës shpirtërore, që e gjen përsosurinë e vet në Kishë. Prej këndej, Benedikti XVI i inkurajoi të gjithë besimtarët ta zbulojnë bukurinë, që buron nga Pagëzimi e të japin dëshminë e gëzueshme të fesë së tyre. Pas lutjes mariane, para përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme drejtuar besimtarëve të shumtë, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI kujtoi se dje, në Haiti, arrinte kardinali Robert Sarah, kryetar i Këshillit Papnor Cor Unum, për t’i shprehur popullsive të Ishullit, afërsinë e Papës e të mbarë Kishës:
“... dëshiroj të kujtoj në mënyrë të veçantë, popullsinë e Haitit, një vit pas tërmetit të tmerrshëm, pasuar nga shpërthimi i epidemisë së rëndë të kolerës”.
Së fundi, falënderimi i një grupi parlametarësh italianë, për impenjimin, së bashku me kolegët e tyre, në mbështetje të lirisë fetare dhe një përshëndetje tjetër, po aq e veçantë dhe e përzemërt, drejtuar besimtarëve koptë, të cilët Papa i siguroi edhe një herë se jeton me shqetësimet e me gëzimet tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.