2011-01-10 19:24:20

Papa: e Lumja Nënë Terezë shembull për respektimin e lirisë fetare të çdo njeriu.


Liria fetare për të gjithë. Këtë kërkoi Papa në fjalimin e tij drejtuar trupit diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, njëri ndër më të mëdhenjtë në botë, duke denoncuar dhunën kundër të krishterëve e duke kërkuar masa efikase për mbrojtjen e pakicave fetare dhe etnike kudo në botë. E drejta e lirisë fetare është e para ndër të gjitha të drejtat njerëzore: çdo shkelje e saj përfaqëson një plagë të rëndë që bëhet kundër dinjitetit dhe lirisë së homo religiosus e prandaj një kërcënim real ndaj paqes.
E pikërisht në mbrojtje të paqes në botë, Papa para diplomatëve të akredituar pranë Vatikanit, shpjegoi rolin e Kishës Katolike në kontekstit ndërkombëtar. Një prani aktive e plot respekt e saj ndaj kompetencave që kanë autoritetet civile, e nxitur nga një bindje: se vetëm Zoti i përgjigjes zemrës së qenies njerëzore e prandaj përmasa fetare është diçka që nuk mund të mohohet apo të kufizohet. Kjo është rrënja e thellë e asaj që mund ta quajmë politika e Vatikanit, që nuk kërkon privilegje por vetëm liri për misionin e Kishës, tipar ky burimor e themelor për çdo bashkësi fetare e aq më tepër për atë të krishterë.
E duke paraqitur fotografinë e situatës së lirisë fetare në botë, Papa Benedikti XVI citoi shembullin e jashtëzakonshëm të së Lumes Nënë Terezë e respektin që ajo gëzon në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Indi e kudo gjetiu, nga të gjithë, pa dallim e pa përjashtim. Papa kujtoi kremtimin e Jubileut të 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës nga të gjithë autoritete civile e qytetarë të të gjitha feve. E në mënyrë indirekte këtu u vlerësua edhe bashkëjetesa paqësore ndërfetare ndër shqiptarë.E Papa këtë shembull, që mund t’i bëjë krenarë të gjithë shqiptarët. Ai tha:
“Simbol për këtë është figura e së Lumes Nënë Terezë të Kalkutës: njëqind vjetori i lindjes së saj u kremtua në Tiranë, në Shkup e në Prishtinë, ashtu si në Indi; homazhe prekëse i bënë asaj jo vetëm Kisha, por edhe autoritetet civile e krerët e tjerë fetarë, pa llogaritur besimtarët e të gjitha konfesioneve. Shembuj si i saji i tregojnë botës sa dobiprurës është për gjithë shoqërinë, impenjimi që lind nga feja”.
Për këtë arsye, vazhdoi Ati i Shenjtë, asnjë shoqëri nuk duhet të privohet nga kontributi themelor i njerëzve dhe i bashkësive fetare.







All the contents on this site are copyrighted ©.