2011-01-10 18:13:38

Më 10 janar kalendari Kishtar përkujton Shën Domicianin


(10.01.2011 RV)Shën Domiciani i lindur në vitin e largët 564, u zgjodh ipeshkëv i Melitenës, në Armeninë e lashtë, ku kreu misione të rëndësishme diplomatike, në emër të Mauricit perandor, me të cilin kishte lidhje farefisnore. Ndërmjet tyre, kujtohet posaçërisht misioni pranë Kosroes, mbretit të persianëve, të cilin u mundua, por pa rezultat, ta kthente në fenë e krishterë. Për këtë mossukses njoftoi edhe Papën Gregori i Madh, me të cilin shkëmbeu shumë letra.
Pas kthimit nga Persia, u vendos në Kostandinopojë, si drejtues shpirtëror i perandorit, por pa u shkëputur për asnjë çast nga veprimtaritë kishtare. Më 597, i sëmurë rëndë, perandori e emëroi ekzekutues të testamentit të tij, por Domiciani i parapriu në jetën e pasosur, duke ndërruar jetë më 10 ose më 11 janar, rreth vitit 602.
U varros në Kishën e Shenjtorëve Apostuj të Kostandinopojës, qytet ku nisi të nderohej menjëherë si shenjt, me datën 10 janar. Reliket e tij, më vonë, u mbartën në Melitene, në Armeninë e lashtë. Prej këndej, edhe emri “Shën Domiciani i Militenes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.