Delegacioni Evropian kërkon nga Kosova më shumë përpjekje për përforcimin e demokracinë
Pavarësisht përpjekjeve qëllimmira të shumë aktivistëve dhe individëve gjatë zgjedhjeve
të 12 dhjetorit dhe 9 janarit, defekte serioze kanë shënuar vullnetin politik të pamjaftueshëm,
përfshirë atë në nivel bazë, për zhvillimin e zgjedhjeve të mirëfillta në pajtim me
standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira zgjedhore, thuhet në deklaratën e delegacionit
monitorues të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian. Deklarata u lëshua para përfundimit
të numërimit të votave dhe zgjidhjes së ankesave të paraqitura për zgjedhjet e përsëritura
më 9 janar 2011. Delegacioni Evropian inkurajon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për
përfundimin e numërimit të votave në mënyrë të saktë dhe për shpalljen e rezultateve
të zgjedhjeve sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë transparente dhe të hollësishme.
Delegacioni thekson rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për tranzicionin e vazhdueshëm
demokratik të Kosovës, për çka Parlamenti Evropian është plotësisht i përkushtuar.
Në njoftim shprehet keqardhje për shkelje të rënda zgjedhore në disa komuna si dhe
për procesin e stërzgjatur të numërimit të votave të 12 dhjetorit. Për të përforcuar
besimin publik në procesin demokratik, sipas delegacionit evropian, duhet të ndërmerret
menjëherë një përpjekje vendimtare dhe e shpejtë, për të ndjekur penalisht të gjithë
kryerësit e identifikuar të mashtrimeve, përfshirë këtu rastet e zgjedhjeve lokale
të vitit 2009. Kosova duhet të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të përmirësuar
procesin e ardhshëm zgjedhor për të garantuar të drejtat demokratike të qytetarëve
të Kosovës, si dhe për të forcuar perspektivën evropiane të Kosovës. Delegacioni Evropian
mirëpret faktin që partitë politike të Kosovës e kanë kuptuar domosdoshmërinë për
të çuar përpara reformën zgjedhore në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe praktikat
më të mira zgjedhore, thuhet në deklaratën e lëshuar nga zyra e Komisionit Evropian
në Prishtinë.