2011-01-10 16:10:23

Bilanc i Save the children për nevojat e Haitit, ku dje arriti kardinali Sarah.


(10.01.2011 RV)Të mërkurën e ardhshme, më 12 janar, mbushet një vit nga tërmeti shkatrrimtar, që e ktheu Haitin në një grumbull gërmadhash, duke mbytur 200 mijë vetë. Sikur të mos mjaftonte kjo mënxyrë, menjëherë pas saj, e si pasojë e saj, shpërtheu kolera, që i shtoi 3.500 viktima të reja, të vdekurve nga tërmeti. Dhjetra mijëra kufoma janë ende nën rrënoja, denoncojnë organizmat humanitare. E, nën a mbi rrënoja, njerëzit vijojnë të vihen në shënjestër nga vdekja. Natyrisht, ndërmjet atyre që vuajnë më shumë, janë fëmijët, jeta e të cilëve nuk rrezikohet vetëm nga mungesa e strehës, nga uria e nga sëmundja, por edhe nga trafiqet e paligjshme, të cilat ka shumë mundësi të lidhen me bijësimet a, ndoshta-ndoshta, me synime edhe më kriminale. Janë 500 mijë, shpjegon organizata Save the children, fëmijët që jetojnë në çadra, ku mund të shpërdorohen, të dhunohen, të shfrytëzohen lehtësisht. Që sot e deri më 13 janar, Ishullin po e viziton kardinali Robert Sarah, kryetar i Këshillit Papnor Cor Unum, që shkoi në Haiti për t’i shprehur solidaritetin e Papës kësaj popullsie, të dëmtuar rëndë, por që, megjithatë, kërkon të rilindë.
Të dëgjojmë, në mikrofonin tonë, Marta Paserinin, punonjëse e programit Save the children, për mbrojtjen e fëmijëve në Port-o-Prëns:

Përgjigje: - Që nga viti i kaluar është vërejtur një përmirësim jashtëzakonisht i madh, si nga pikëpamja e jetës në përgjithësi, ashtu edhe nga ajo e jetës në kampet e Haitit, ku Save the children ka vënë nën kontroll ujërat e zeza, duke bërë edhe projekte për higjienizimin e ujit. Shumë fëmijë janë rikthyer në shkollë e ne kemi ndihmuar 45 mijë prej tyre në sektorin shkollor, ndërsa në sektorin e mbrojtjes, jemi duke krijuar komitetet përkatëse. Pas një procesi formimi prej dy muajsh, janë seleksionuar personat, që do të bëjnë pjesë në komitetet, të cilat do të merren, së bashku me ne, me të gjitha problemet, që kanë të bëjnë me fëmijët në sektorin e mbrojtjes së drejtpërdrejtë të fëmijëve. Por do të organizojmë edhe takime, në të cilat vetë fëmijët do të na njohin me problemet e tyre më të rënda, me rreziqet, që u kërcënohen. E kush i njeh më mirë, se ata vetë? Ne duhet të kuptojmë me saktësi, për shembull, ku krijohet rreziku i shpërdorimit, cilat janë rastet më të mprehta e ç’bën bashkësia, kur vërtetohet ndonjë rast shpërdorimi mbi fëmijët.

Pyetje: - Është fjala për fëmijë të të gjitha moshave, apo vetëm të një moshe të caktuar...

Përgjigje: - Të çfarëdolloj moshe. Sepse ndodh që të shpërdorohen deri foshnjat. E natyrisht, në kampe rreziku është gjithnjë më i madh. Duhet kujtuar, pastaj, se edhe para tërmetit, Haiti jetonte në një situatë tejet të vështirë, e cila tani, kuptohet vetvetiu, është keqësuar më tej. Port-o-Prëns, pastaj, ka një numër të pallogaritshëm njerëzish të shpërngulur. Por duhet thënë edhe se tani idetë i kemi shumë më të qarta e, më në fund, mund edhe t’i japim përgjigje problemeve më të mprehta.

Pyetje: - Save the children ka edhe njësi, që i kundërvihen kolerës, të cilat po ndihmojnë shumë në spitalet haitiane...

Përgjigje: - Epidemia arriti kulmin gjatë periudhës së festave. U shtuan shumë raste, e sidomos ndërmjet fëmijëve. Organizmat ndërkombëtare janë shpërndarë në mënyrë të organizuar në të gjithë territorin. Tani ia dalim mbanesh të merremi me të gjitha rastet e, gjëja më e rëndësishme, përveç mjekimeve, po bëjmë edhe një përpjekje të madhe për parandalimin, me kontrollin e ujërave të zeza në kampet si dhe me sistemet e pastrimit të ujit. Por duhet theksuar se veprimtaria parandaluese po shtrihet në të gjitha sektorët e jetës.

Pyetje: - Një veprimtari tjetër e rëndësishme, për të cilën punon Save the children, është edhe ribashkimi i familjeve. A mund të na thoni, përafërsisht, sa fëmijë nuk i kanë gjetur ende familjet e tyre?

Përgjigje: - Ne dimë atë, që na komunikohet e, prej këndej, mund të themi se janë 1600 raste. Po aq mund të jenë rastet ende të papërcaktuara plotësisht. Ne punojmë, së bashku me organizata të ndryshme, si në Port-o-Prëns, ashtu edhe në zonat e tjera të vendit. Është punë e ndërlikuar, por kur ia dalim t’i ribashkojmë fëmijët me familjet, mund ta quajmë një sukses të vërtetë.

Pyetje: - Në këndvështrimin thjesht human, ç’ shikoni me sytë tuaj çdo ditë?

Përgjigje: - Një situatë të ndërlikuar, por jo të dëshpëruar, sepse në realitet çdo ditë vërehen përmirësime. Njerëzit duan ta përmirësojnë jetën, duan të kuptojnë cilat janë problemet për t’u zgjidhur, duan të bëjnë diçka për fëmijët e për të rriturit. Pastaj ka edhe ndryshime të ndjeshme: kush është këtu prej kohe, i vëren më mirë ndryshimet. Vëren se shumë gjëra, shkollat për shembull, janë normalizuar. Kur u rihapën shkollat, qyteti u mbush plot me vajza të vogla, me flokët lidhur me kordele të mëdha ngjyra-ngjyra, që dukeshin si flutura. E pamje të tilla, natyrisht, të nxitin të punosh edhe më shumë, të japësh kontributin me të gjitha forcat, për t’i kapërcyer edhe këto çaste ende të vështira. Kjo, që nisi, do të jetë javë reflektimi për të gjithë e, natyrisht, ndihma e bashkësisë ndërkombëtare do të vijojë të jetë themelore për realizimin e projekteve, që nuk duhet harruar, kushtojnë!







All the contents on this site are copyrighted ©.