2011-01-08 11:31:23

Solemniteti i Pagëzimit të Krishtit Zot, thirrje përi çdo të pagëzuar të ecën në rrugën e e jetës e të shenjtërisë.


Në festën e Pagëzimit të Jezu Krishtit Zot, Kisha na nxit të jetojmë me thjeshtësi, sinqeritet, dashuri e harmoni vëllazërore, duke pasur si model jete Familjen e Shenjtë të Nazaretit. E kështu na fton të rizbulojmë domethënien dhe bukurinë e Pagëzimit tonë, në të cilin jemi bërë bijë të dashur të Hyjit Atë e të Shenjtënueshmes Trini.
Duke përshkuar e kujtuar fjalët e ungjilltarëve, Kisha nënvizoi se Jezusi foli me Atin qiellor pasi pati marrë Pagëzimin në lumin Jordan. E nuk u lut vetëm për vete, por për të gjithë ne. E atëherë qielli u hap! Nga kjo ngjarje kuptojmë se sa më shumë të jetojmë në bashkim me Jezusin në realitetin e pagëzimit tonë, aq më shumë do të hapet mbi ne qielli, sepse me Pagëzim bëhemi bij të familjes së Zotit.
Në këtë festë, Kisha ripohoi se të krishterët janë të thirrur të ecin në rrugën e shenjtërisë, e cila u përket gjithë të pagëzuarve. Në vërtet Bashkësia apostolike e vlerësonte Pagëzimin e Krishtit si ngjarje tepër të rëndësishme jo vetëm sepse qe dëftim i qartë dhe i plotë i misterit Trinitar, pra i Trinisë Shenjte Hyjnore, por edhe pse me të nisi misioni publik i Jezusit nëpër udhët e Palestinës e të njerëzimit mbarë. Pagëzimi i Jezusit në lumin Jordan paralajmëron pagëzimin e Tij me gjak mbi Kryq, simbol i mbarë veprimtarisë sakramentore përmes së cilës Shëlbuesi Jezus realizoi shpëtimin e mbarë njerëzimit. Kështu në këtë festë, Kisha e vënë në dukje lidhjen e ngushtë ndërmjet pagëzimit të Krishtit e pagëzimit tonë.
Përmes Këtij sakramenti ne bëhemi pjesë e Korpit mistik të Krishtit, që është Kisha, vdesim e ringjallemi me Të, vishemi me Të, siç pohon disa herë Shën Pali Apostull. Nga Pagëzimi buron impenjimi për ta dëgjuar Jezusin, do të thotë për të besuar në Të e për ta ndjekaur pas pa fjalë, duke bërë vullnetin e Tij.
Në këtë mënyrë secili mund të synojë shenjtërinë, cak drejt të cili, siç porosit Koncili II i Vatikanit, janë të thirrur të ecin gjithë të krishterët. Kisha pra, kremton festën e Pagëzimit të Jezu Krishtit Zot. Kanë kaluar mase 2000 vjet që kur edhe Krishti vetë, ndonëse i pamëkat, deshi t’u afrohej brigjeve të Jordanit për të marrë pagëzimin e për t’u solidarizuar kështu me pendestarët në kërkim të shpëtimit të shpirtit të njerëzimit. Me praninë e tij, Jezusi e shenjtëroi këtë rit pagëzimor.
Kështu pagëzimi nuk do të ishte më thjeshtë rit pendese e pastrimi, sepse përmes Tij shpirti i Zotit e vendos banesën e vet në atë që e merr sakramentin. Ky gjest i Jezusit është pajtim hyjnor me gjininë njerëzore, pas mëkatit të rrjedhshëm. Edhe ne pra, me Pagëzim jemi të pajtuar me Hyjin At përmes Jezu Krishtin dhe të shenjtuar në Shpirtin Shenjt. Që nga Pagëzimi, ne jetojmë përmasën e re të jetës me Zotin, duke gëzuar e shijuar çdo ditë hiret dhe bekimet Hyjnore, e këtë edhe duhet ta dëshmojmë para botës: dashurinë që Zoti ka për ne e të përshkojmë Udhën e jetës që na tregon e propozon Jezusi.







All the contents on this site are copyrighted ©.