2011-01-08 11:32:04

Atë Federiko Lombardi: Papa, të varfërit e fëmijët


Pikërisht këtij takimi me fëmijët dhe atij të mëparshmit, me të varfërit e asistuar nga motrat e Nënë Terezës në Romë, ia kushton editorialin e sotëm zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, drejtori ynë i përgjithshëm. Ta dëgjojmë:
Në periudhën e Krishtlindjes, Papa nuk mungon të përjetojë një çast takimi e feste me të varfërit e me fëmijët. Kështu bëri edhe këtë vit, duke ngrënë drekë, më 26 dhjetor, me personat e ndihmuar nga bashkësia e Misionareve të Dashurisë e duke vizituar më 5 janar fëmijët e shtruar në spitalin “Gemelli”. Është shenjë e vogël, por do të thotë shumë. Nuk është thjesht formalitet i ngutshëm. Është diçka që i përket thelbit të jetës së Kishës e prandaj, edhe shërbimit të Papës.
Koha e Krishtlindjes e kërkon spontanisht solidaritetin; Zoti i bërë fëmijë na ndihmon ta shohim në çdo fëmijë imazhin e Tij, ta pranojmë me dashuri e dhembshuri jetën që lind, e cila në brishtësinë e saj ka nevojë për kujdes e mbrojtje. Por mesazhi vlen për çdo ditë të vitit. Kisha lutet, dëgjon Fjalën e Zotit e kremton në Eukaristi, takimin me Hyjin, por jeton prej dashurisë në veprim, e në këtë dashuri privilegjohen të vegjlit dhe ata, që nga pikpamja njerëzore e shoqërore, rrezikojnë të harrohen. Edhe udha e Papës kalon natyrshëm përmes kësaj etape, në çdo kohë e në çdo shtegtim të tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.