2011-01-07 16:50:01

Me solemnitetin e Dëftimit të Zotit, përfundoi edhe Viti jubilar në Vietnam.


(07.01.2011 RV)Në Shenjtëroren La Vang u mbyll, me një ceremoni solemne, kryesuar nga i dërguari i posaçëm i Atit të Shenjtë, kardinali Ivan Dias, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, Viti Jubilar i Kishës së Vietnamit, kremtuar me rastin e 350-vjetorit të krijimit të vikariateve të para apostolike dhe të 50-vjetorit të themelimit të hjerarkisë katolike në vend.
Nuk ishte rastësi zgjedhja e ditës. Ipeshkvijtë e Vietnamit vendosën ta kremtojnë përfundimin e Vitit Jubilar të Kishës vendase në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit, me një qëllim të caktuar.
Zoti është dashuri – shpjegoi kardinali Dias gjatë homelisë – na u dëftua edhe ne në Vetjen e të Birit në Betlehem, dymijë vjet më parë; e vijon t’u dëftohet të gjithë atyre, që dëshirojnë ta pranojnë në jetën e përditshme. Jezusi është dhurata më e madhe, që Hyji Atë i bëri mbarë njerëzimit. E njerëzimi nuk mund të mos e falënderojë e të mos i përgjigjet ftesës së tij për ta ndarë edhe me vëllezërit, që nuk e njohin akoma, këtë dhuratë të paçmuar. Kështu u shpreh i dërguari i Papës, kardinali Dias, i cili në vijim falënderoi misionarët guximtarë, ardhur në Vietnam nga vende të largëta, për t’u kumtuar vietnamezëve Lajmin e Mirë të Krishtit, Shëlbuesit të botës.
Në vendin aziatik jetojnë gjashtë milionë katolikë të cilët, duke u nisur nga shembulli i barinjve të tyre, duhet të përpiqen me gjithë shpirt për të bërë kthesë personale, duke ecur në rrugën e shenjtërisë, të lumnimit të Zotit, të ungjillëzimit, të kumtimit të Ungjillit me vepra e me jetën e përditshme. “Ju jeni kripa e tokës... drita e botës”. Duke marrë shtytje nga fjalët e Ungjillit sipas Mateut, kardinali Dias kujtoi edhe 117 martirët e Kishës vietnameze. Kjo Kishë, sot, më shumë se kurrë, ka nevojë që bijtë e saj ta jetojnë fenë me guxim në gjirin e shoqërisë, në mënyrë që të arrijë në zemër të njerëzve, të cilët nuk e njohin akoma Krishtin. E pikërisht shenjtëria, dashuria e krishterë, veprat e bamirësisë, mbrojtja e familjes, edukimi i të rinjve, lutja e përditshme, ushqimi i shpirtit e pjesëmarrja në Liturgji e në Sakramente, posaçërisht në Eukaristi, do të vihen posaçërisht në dukje në dokumentin përfundimtar, që do të hartohet si bilanc i asamblesë së Popullit të Zotit, kremtuar në Hochiminville, nëntorin e kaluar.







All the contents on this site are copyrighted ©.