Më 8 janar kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Imzot Ernest Çobës.
31 vjet më parë, më 8 janar 1980, vdiq në burg dëshmitari i fesë së krishterë, Imzot
Ernest Çoba, kryeipeshkëv i Shkodrës duke dëshmuar me qëndresë të pashoq Krishtin
ndër tortura mizore, që ia shkurtuan edhe jetën. U bë kështu model për të krishterët
e grigjës që i qe besuar.
Ipeshkvi shembullor, imzot Ernest Çoba lindi më 16
shkurt 1912 në një familje të vjetër qytetare shkodrane. Mësimet e para dhe ato të
mesme i kreu në Seminarin Papnor të qytetit. U shugurua meshtar më 9 shkurt 1936.
Kreu detyra të ndryshme pranë seminarit papnor, ku ishte përgatitur. Shërbeu edhe
si mësues i besimit ndër shkollat e qytetit.
Pas vdekjes së Imzot Thaçit dhe
arrestimit të Dom Mikel Koliqit, kreu njëherësh detyrën e zëvendës-famullitarit dhe
të famullitarit të Shkodrës. Ishte një nga ipeshkvijtë që u shugurua në kohën më kritike
për Kishën katolike në Shqipëri, kur bëheshin përpjekjet për ta shkëputur nga Selia
e Shenjtë. Në atë kohë, i vetmi ipeshkëv që ishte ende gjallë e jo në pranga, Imzot
Bernardin Shllaku, e shuguroi atë, së bashku me ipeshkvin e Durrësit, Imzot Pjetër
Demën më 20 prill të vitit 1952.
Imzot Ernest Çoba merrte në duar një mision,
që i ngjiste shumë misionit të ipeshkvijve të parë të krishterimit, të cilët shumë
shpesh e bënë edhe më të theksuar veprimtarinë e tyre si ungjillëzues e dëshmitarë
të Mësuesit Hyjnor e të Ungjillit të Tij, duke e vulosur misionin e tyre shpirtëror
me gjakun e derdhur amfiteatrove për t'i qëndruar besnikë Krishtit dhe Kishës së të
tij mbi tokë, me në krye Papën e Romës.
Pak kohë pas shugurimit të tij, imzot
Shllaku vdiq. Dioqeza e Shkodrës, që mbas shkëputjes nga dioqeza e Tivarit, kishte
pasur pesë ipeshkvij të mëdhenj: Imzotë Karl Pooten, Pashko Guerinin, Jak Serreqin,
Lazër Mjedën dhe Gaspër Thaçin, mbeti ndër duart e ipeshkvit të butë, të ëmbël, simbol
i gjallë i dashurisë së krishterë, imzot Ernest Çobës.
Ja si e përshkruan
ipeshkvi ndihmës i Shkodrës, që mbijetoi nga persekutimi komunist, Imzot Zef Simoni
në librin e tij "Portrete klerikësh katolikë": " Imzot Coba kishte trup
të shkurtë, sy të shkathët, gjysmë të mshehun mbas syzeve të errta kur shërbente në
kishë apo në zyrë. Kishte cilësi të mira: ishte i përvujtë, kryeulun, i qetë, i matun,
i palodhun në shërbime, deri ndër ato që nuk i përkitshin si ipeshkëv. Monsinjori
do të gjindej çdo ditë, mbasi kremtonte Meshën e orës 6, mbi krye të sëmurëve të qytetit,
ndër koliba, tue çue sakramendet shenjte, ndërmjet fëmijëve në orë katekizmi masiv,
kur Kisha e madhe gumëzhinte nga zanet fëminore. Kjo bani të fitonte popullaritet
të madh e simpati, sidomos ndërmjet të vorfënve. Qe drejtues i shoqnisë së Kryqtarëve
të vegjël pranë etërve jezuitë, njohës i tri gjuhëve të huaja, specialist i teologjisë
morale dhe i lëndëve të besimit, e jo ma pak, meshtar praktik në punët e fesë e të
liturgjisë. Nuk mujti të marrë pjesë në Koncilin II të Vatikanit por, me largpamësinë
e tij, bani të depërtojë fryma e Koncilit në gjithë jetën e Kishës. Pati guximin të
mblidhte një grup dëshirtarësh për rrugën e meshtarisë dhe të shuguronte shatë prej
tyne, ashtu si dhe guximin të mbante lidhje të ngushta me Selinë e Shenjtë, duke shfrytëzue
të gjitha mjetet dhe rrugët e mundëshme".
Në prag të mbylljes së Kishave
e tempujve nga regjimit komunist e ateist në Shqipëri, në një të djelë të hidhur,
derisa ishte thirrur që të akuzohej nga regjimi diktatorial, u kthye në akuzues, duke
mbajtur një fjalim të fortë e bindës në mbrojtje të fesë në Zotin e sulmuar, e të
Kishave në prag të rrenimit të madh.
Megjithatë, jo shumë kohë më vonë dyert
e Kishave do të mbylleshin nga komunizmi. Atëherë imzot Ernest Çoba u detyrua të kthehej
pranë familjes. Prej derës atërore doli me pranga ndër duar. Ishte viti 1976. Gjyqi
komunist e dënoi me 25 vjet burgim, si të ishte më i madhi kriminel. Akuzohej se kishte
mbajtur lidhje me Selinë e Shenjtë të Vatikanit me anën e legatës italiane.
Vuajti
me durim të pashoq, me shqetësimin e vetëm që t'i ngjante sa më shumë Krishtit në
Kalvar, derisa vdiq në spitalin e burgut në Tiranës më 8 janar 1980. Ishte një vdekje
misterioze, - siç dëshmon në librin e lartpërmendur Imzot Zef Simoni.
Mbyllte
sytë pas një injeksioni që iu bë në ditët e para të janarit 1980, pak ditë para përkujtimit
të Shën Ernestit. Për figurën e tij është shkruar disa herë, e sigurisht që do të
shërbinin shmuë dëshmitë mbi qëndrimin ungjillor, heroik dhe fundin e jetës së tij,
që e flijoi për Fe e Atdhe.