Ja sërish në takimin tonë javor të së shtunës me Liturgjinë e Fjalës së Zotit të së
dielës, t’i dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës
Hyjnore të Solemnitetit të Pagëzimit të Zotit. Pas përfundimit të festës së Krishtlindjes,
që tani nisemi udhës sonë shpirtërore drejt Pashkëve. E Pagëzimi i Jezusit përmban
fatin e Jezusit, thirrjen apo misionin e tij. Në këtë periudhë të Krishtlindjes, deri
dje kemi dëgjuar tregimin e Ungjillit se si ka lindur, prej kujt ka lindur, ku ka
lindur e në çfarë kushtet ka lindur. Pjesa e Ungjillit të kësaj të kremte na tregon
arsyen pse çka lindur Jezusi: për shpëtimin e njerëzimit. Pra në solemnitetin e Pagëzimit
të Jezu Krishtit kemi pohimin e Atit që Qiellor që na siguron Ai, Jezusi është shpëtimtar
i njeriut, shenjtëria e familjes dhe paqja e botës. Për këtë arsye këtyre ditëve
jemi kthyer në Betlehem sepse ndjenim nevojën për të shikuar, vështruar e dëgjuar
sërish mësimin e Krishtit, mësimin e Tij të parë të madh: artin e dashurisë ndaj Zotit
e ndaj njeriut. Dhe në aspektin shpirtëror është gjë e bukur të përshkohet pambarimisht
udha e fesë, udha e besimit në Zotit drejt Betlehemit, për t’u shndritur vazhdimisht
me Dritën e Foshnjës Hyjnore e kështu, si barinjtë e Betlehemit edhe ne ta dëshmojnë
gëzimin e ardhjes së Zotit ndër ne e rëndësinë e pranisë së Tij me ne. Derisa
Krishtlindja largohet, mendoj se në çdonjërin prej nesh ka një nostalgji të madhe
për këtë të kremte, për dritën e Foshnjës Hyjnore të Betlehemit, për të mësuar udhën
e jetës së vërtetë dhe mënyrën e pranimit e të zbatimit të planit të Zotit, për një
jetë të re në dashuri e përkim me vullnetin e Tij Hyjnor. Jemi të vetëdijshëm se
koha ecën me të shpejt, fluturon e ne nuk mund të heqim dorë nga detyra e shqyrtimit
dhe e kundrimit të tërë jetës së Krishtit në dritën e Shkrimeve të Shenjte biblike.
E kështu, Ungjilli i kësaj së diele ( këtij solemniteti) na sjell përgjatë lumit të
Jordanit e na paraqet Gjon Pagëzuesin, tashmë të rritur, i cili pagëzon dhe pret e
përgatitet dhe përgatit zemrën e njerëzve për çastin e takimit aq shumë të pritur
me Krishtin Shëlbues. Gjon Pagëzuesi, sikur do të dëgjojmë nga tregimi ungjillor,
pa frikë, paralajmëron të gjithë se Zoti është afër: “Po vjen pas meje, një më i fortë
se unë” (Mk 1,7). Këto fjalë edhe për ne janë të rëndishme sepse na përkujtojnë se
kuptimi i çdo gjëje është pikërisht në Jezusin e pranishëm në realitetin tonë, këtu
konkretisht në çdo jetë njerëzore Zoti vjen, Zoti Është! Jeta e njeriut është pritje
e Zotit. Këndej të jetosh do të thotë të presësh Zotin. Të vdesësh do të thotë mos
pritje e Zotit. Gjoni shton: “Unë nuk jam i denjë të përkulëm as për t’ia zgjidh
lidhëzat e këpucëve të tija” (Mk 1,7). T’i zgjidhësh të mbathurat ishte detyrë
e skllavit!. Gjoni e ndjen kaq fortë distancën midis nesh e Zotit, e nuk gjen tjetër
figurë apo imazh për të treguar habinë, mrekullimin e vet dhe tërë gëzimin e vet para
Zotit që bëhet i afërt. Po të mund të përjetonim edhe ne ndjenjat e Gjonit. Po
të mund të provonim edhe ne mrekullimin e gëzimin para asaj që shohim e para asaj
që dëgjojmë në këtë moment! Sikur të mund të ndjenim tërë madhështinë e të qenurit
të krishterë e të takimit të Zotit, në saje të mëshirës së tij falas që ka ndaj nesh.
Feja ka nevojë për madhështi, për mrekulli, sepse feja është dhuratë. Mirëpo madhështia
e mrekulli lind nga përvujtëria e përvujtëria përherë është parakusht në të cilin
njeriu mund të takojë Zotin në Jezu Krishtin. Pagëzimi i Jezusit është një ngjarje
e veçantë të cilën Liturgjia na paraqet pas festës së Epifanisë. Në Pagëzimin e tij
në lumin Jordan, Jezusi e përuron jetën publike, e nis misionin e shpëtimit për mbarë
njerëzimin. E tani ju ftojmë ti dëgjoni leximet biblike të solemnitetit
të Pagëzimit të Krishtit e pastaj komentin e leximeve biblike.... Liturgjia e Fjalës Leximi i parë Is 40, 1-5. 9-11 Pas pesëdhjetë
vjetësh mërgimi Hyji e çon popullin e zgjedhur në tokën e tij duke kryer një çlirim
të ri. Hyji ka shumë ngut për të dërguar popullin e tij drejt lirisë. Dhe shënon një
rrugë të drejtë ndërmjet shkretëtirës së lulëzuar. Një profeci e tillë do të kryhet
kur do të arrijë Jezu Krishti që është shfaqja e fundit e shpëtimit të Hyjit. Lexim
prej Librit të Isaisë profet “Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim, thotë
Zoti juaj! Flisni zemrës së Jerusalemit, dhe klithni atij se mori fund skllavëria
e tij, u shpërblye paudhësia e tij, sepse ka marrë prej dorës së Zotit ndëshkim të
dyfishtë për të gjitha mëkatet e veta.” Një zë lëshon kushtrimin: “Në shkretëtirë
përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni në stepë shtigjet e Tënzot. Le të ngrihet çdo
luginë, le të ulet çdo mal e kodër, rruga e shtrembër le të bëhet e drejtë, e rrëpirëta
le të bëhet e rrafshët: do të zbulohet hiri i Zotit, atëherë të gjithë njerëzit së
bashku do të shohin se ka folur goja e Zotit!” Ngjitu mbi një mal të lartë, ti që
i sjell lajmin e mirë Sionit; grihe me gjithë fuqi zërin tënd, ti që i sjell lajmin
e gëzueshëm Jerusalemit! Klith të madhe, mos druaj, thuaju qyteteve të Judës: “Ja,
Hyji juaj, qe, Zoti, Hyji juaj, po vjen me fuqi, zotëron krahu i tij: ja, me të është
shpagimi i tij, e para tij shpërblimi i tij! Si bariu e kullot grigjën e vet, në dorë
i merr qengjat, ngrykë i mbart; i këqyr me kujdes.” Fjala e Zotit. Psalmi
104 ---------- I bekuar Zoti që dhuron jetën O Zot, Hyji im, sa i madh
je! I veshur me madhiëri e me bukuri, i mbështjellë me dritë porsi me petk! E
ngreh qiellin porsi tendë, mbi ujëra ndërton banesat e tua. ---------- Retë
i bëre karrocë për vete, ecën mbi krahët e erës! Erërat i bën lajmëtarë të
tu, zjarrin zharitës shërbëtorë të tu. ---------- Sa të shumta janë, o Zot,
veprat e tua! Të gjitha i ke bërë me urti të madhe: plot është toka me krijesat
e tua. Ja, këtu deti i madh, i hapët e i gjerë, atje zvarranikë saqë numri
s'u dihet, kafshë të vogla të përziera me të mëdha! ---------- Po e fshehe
ti fytyrën, ato trazohen, po ua more frymën, ato ngordhin dhe kthehen në pluhur
përsëri. Po e dërgove frymën tënde, përsëri përtërihen dhe e rinon fytyrën
e dheut. ---------- Leximi i dytë Tit 2,11-14; 3,4-7 Shfaqja më e
lartë e mirësisë dhe dashurisë së Hyjit për njerëzit është Krishti Shpëtimtar. Ai
është njeriu Jezus që pranon lirisht të japë jetën për dashuri, për të na pajtuar
me Atin. Kjo dashuri reagon në ne nëpërmjet Shpirtit Shenjt dhe na bën krijesa të
reja të drejtuara drejt jetës së amshuar. Lexim prej Letrës së shën Palit apostull
drejtuar Titit Fort i dashur, u duk hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin të gjithë
njerëzve. Ai na mëson t’i biem mohit besimit dhe dëshirave të shekullit për të jetuar
në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht, duke pritur shpresën e lumtur
dhe ardhjen e lavdisë së të madhit Hyj dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit. Ai e flijoi
vetveten për ne që të na shpërblejë nga çdo paudhësi dhe ta pastrojë popullin që Atij
i përket, që të jetë plot zell për të kryer vepra të mira. Fort të dashur, kur
u dëftua mirësia e Hyjit, Shëlbuesit tonë, dhe dashuria e tij ndaj njerëzve, Ai na
shëlboi, jo në saje të veprave tona që ne i bëmë në drejtësi, por në saje të mëshirës
së vet: me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes që jep Shpirti Shenjt,
të cilin me begati e ndikoi në ne nëpër Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë, që, të shfajësuar
me anë të hirit të tij, të jemi, në saje të shpresës, trashëgimtarë të jetës së pasosur.
Fjala e Zotit. † Ungjilli Lk 3, 15-16.21-22 Ungjilli tregon
momentin e pagëzimit të Jezusit, kur Shpirti Shenjt zbriti mbi të dhe u dëgjua zëri
i Atit që e paraqet si Birin e vet të dashur. Jezusi, duke marrë pagëzimin, përuron
kohën e Ungjillit, është i shpallur e i njohur si “Bir”, në mënyrë që pas Tij të gjithë
njerëzit të mund të bëhen bij të Hyjit. Në momentin e pagëzimit të Jezusit në lumin
Jordan, ndodh zbulimi i misterit të Trinisë. Leximi i Ungjillit shenjt sipas
Lukës Në atë kohë, pasi populli priste me shpresë dhe pasi të gjithë mendonin
në zemrat e veta për Gjonin: a mos është shi ky Mesia, këndej Gjoni mori fjalën e
u tha të gjithëve: “Unë, vërtet, po ju pagëzoj me ujë, por po vjen një më i fortë
se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidhë lidhëset e sandaleve të tija.
Ai do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt e me zjarr.” Kur u pagëzua mbarë populli, u pagëzua
edhe Jezusi dhe, ndërsa po lutej, u hap qielli dhe Shpirti Shenjt zbriti mbi të në
trajtë trupore porsi pëllumb, e prej qiellit ushtoi zëri: “Ti je Biri im, Djali i
dishirit. Ty të përkrah plotësisht!” Fjala e Zotit.