2011-01-07 16:49:49

Kishat lindore e kremtojnë Krishtlindjen në atmosferën e masave të rrepta të sigurimit. Në Egjipt, shumë myslimanë solidarizohen me koptët.


(07.01.2011 RV)Kishat lindore, që ndjekin kalendarin julian, e kremtuan sot Krishtlindjen. Vëllezërve e motrave të këtyre bashkësive, Benedikti XVI u shprehu dje, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, urimet e tij më të përzemërta. Mirësia e Zotit – tha Papa – ju forcoftë fenë, shpresën e dashurinë e i ngushëlloftë bashkësitë, që kalojnë çaste vërtet të vështira.
Kishat lindore e kremtojnë sot lindjen e Krishtit, duke ia besuar çdo shpresë Shëlbuesit, Princit të paqes. Por kremtimet e solemnitetit të madh, në shumë vende rrethohen me masa të forta sigurimi, nga frika e atentateve të mundshme.
Në Lindjen e Mesme besimtarët u mbrojtën nga ushtarakë, të veshur si të ishin duke u nisur për betejë.
Në Irak, e pikërisht në qytetin e Mosulit, forcat e sigurimit gjetën disa bomba e rripa të ngarkuar me lëndë plasëse, pranë ndërtesës së Kishës ortodokse kaldeje.
Edhe në Evropë, policët vijojnë t’i ruajnë hyrjet në vendet e kultit. Alarmi bëhet edhe më i mprehtë, për shkak të kërcënimeve të integralistëve të lidhur me Al Kaedën. Por frika nuk mundi t’i ndalojë besimtarët. Në Egjipt, posaçërisht, bashkësia kopte mori pjesë mbrëmë në kremtimin e Mesnatës, e mbrojtur nga forca të shumënumërta të sigurimit. Shenuda III, Papë i Aleksandrisë e Patrik i Episkopatit të Shën Markut, kujtoi, me dhimbje, në homeli, viktimat e atentatit të vitit të ri, që i kushtuan jetën 23 vetëve, pa harruar edhe gjithë të krishterët e tjerë, të vrarë në vende të ndryshme të botës. Edhe popullsia jo e krishterë u manifestoi koptëve afërsinë e saj. Në Egjipt, shumë besimtarë myslimanë morën pjesë në kremtime, për të nënvizuar, kështu, konkretisht, solidaritetin.
Masa të rrepta sigurimi u morën edhe në Rusi. Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusive, Kirill, e kremtoi Meshën e Mesnatës në Katedralen e Krishtit Shëlbues, në prani të mijëra besimtarëve, ndërmjet të cilëve, presidenti i Federatës Ruse, Dimitri Medvjedjev. Gjatë homelisë, Patriku theksoi se Zoti, duke iu përgjigjur lutjeve, hyn në jetën e njeriut, e merr për dore, ia forcon mendjen, shpirtin e trupin. Sot, më shumë se kurrë – përfundoi Patriku – njeriu ka nevojë për ndihmën e Zotit, për dashurinë e tij, për mëshirën e tij.
Në bashkësitë kopte, posaçërisht, gjatë kremtimit të Krishtlindjes, besimtarët u lutën për viktimat e masakrës të natës së vitit të ri në Aleksandri. Të dëgjojmë, në mikrofonin tonë, ipeshkvin e dioqezës kopto-ortodokse të Shën Gjergjit, në Romë, imzot Barnaba El Soryany:
 
Përgjigje: - Ne e kremtuam Krishtlindjen natën, me trishtim e me lot në sy, duke kujtuar atentatin e vitit të ri, në të cilin gjetën vdekjen 23 vetë nga bashkësia jonë e Aleksandrisë. Sot është takimi me familjet, por këtë vit për Krishtlindje nuk do të ketë urime, sepse për ne, kjo është Krishtlindje pa lumturinë e gëzimin e Krishtlindjeve të kaluara.

Pyetje: - Krishtlindje, e kremtuar më tepër në shpirt, me lutje, me mendje e zemër pranë bashkësisë së martirizuar të Alesandrisë së Egjiptit....

Përgjigje: - Sigurisht, ishte Krishtlindje me drita të shuara; vetëm ceremoni liturgjike e Krishtlindjes, vetëm ceremoni.

Pyetje: - Dje edhe Papa, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, i kujtoi Kishat lindore. Ati i Shenjtë u shprehu ngushëllimet më të ndjera bashkësive të vëna në sprovë të rëndë edhe në këto ditë, që duhet të ishin plot gëzim e shpresë...

Përgjigje: - Jemi tepër, tepër mirënjohës ndaj Papës Benedikti XVI, për gjithçka bën në ndihmë të të krishterëve të Lindjes së Mesme: mblodhi Sinodin e posaçëm për Lindjen e Mesme, i ndihmon bashkësitë tona, bëhet zëdhënës i tyre në gjithë bashkësinë ndërkombëtare, për t’i mbrojtur besimtarët tanë në mbarë Lindjen e Mesme. Duhet kujtuar, pastaj, se dialogu ndërmjet katolikëve e ortodoksëve ka nisur që në vitin ’73, kur Shenjtëria i Tij, Papa Shenuda pati ardhur në Vatikan, në kohën e Papës Pali VI. Kemi bërë hapa të rëndësishme përpara e shikojmë se tani, në dialogun ndërmjet Kishave – faleminderit Zotit – është bërë shumë, shumë. E mendojmë se me kohë, dialogu do të shkojë edhe më përpara.
 
Pyetje: - Siç e thatë edhe ju, e sivjetmja ishte Krishtlindje me drita të shuara. Por, cila është drita, që nuk mund të shuhet as në këtë çast tejet të vështirë?

Përgjigje: - Ne u urojmë të gjithë të krishterëve të botës, një vit të qetë, paqësor. E përhapim, në kor, zërin e paqes në tërë botën. Mesazhi ynë këtë vit është: “T’i jepet fund dhunës!”. “T’i jepet fund terrorizmit!”. “T’i jepet fund gjakut!”. Unë shtoj se të dielën e ardhshme, më 9 janar, nga ora 14.00 deri në orën 16.00, bashkësia kopte ortodokse kristiane e Romës, do të bëjë një manifestim në Sheshin e Republikës, për të shprehur kështu, solidaritetin me vëllezërit e krishterë të Egjiptit.







All the contents on this site are copyrighted ©.